Taulant Balla ka pritur gjatë ditës së sotme në Tiranë dy deputetë të Bundestagut gjerman.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, kreu i grupit parlamentar të PS-së shkruan se rruga dhe reformat e Shqipërisë janë përshëndetur nga një numër i lartë deputetesh.
“Kisha kënaqësinë të prisja deputetët e Bundestagut gjerman zotërinjtë Martin Patzelt (CDU/CSU) dhe Tomas Nord (Die Linke).
Gjatë këtij viti ka qenë një numër shumë i madh përfaqësuesish të Bundestagut që kanë vizituar Shqipërinë dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Dua të them se aktualisht në Bundestagun gjerman kemi një grup të zgjeruar deputetësh, të cilët mbështesin rrugën Europiane të Shqipërisë, të cilët vlerësojnë me nota pozitive, maksimale, hapat e hedhura nga Shqipëria.
Falë mbështetjes së Gjermanisë, vendi ynë ka kryer një reformë të thellë të drejtësisë, e cila konsiderohet nga Komisioni Europian, qoftë në Paketën e Zgjerimit, qoftë në vendimin e Këshillit Europian të 28 qershorit, si një model për t’u shtrirë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe vendet që janë aktualisht duke negociuar e ndërkohë, ne kemi nisur me rezultate shumë inkurajuese zbatimin e Vetting-ut në Drejtësi.
Gjermania është dhe mbetet një mbështetës i rëndësishëm i rrugës sonë dhe aspiratës sonë historike për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shkruan Balla.