Liverpool-i ka vendosur që të mos ta marrë me vete Xherdan Shaqirin në Beograd, ku ditën e nesërme do të përballet me vendasit e Crvna Zvezdës.
Shkak i këtij vendimi është frika trajnerit Jurgen Klopp se do të ketë incidente jashtë fushe dhe se kjo mund të ndikojë në shpërqendrimin e ekipit.
Kështu, ditën e sotme përpara nisjes së skuadrës angleze drejt kryeqytetit serb, u lajmërua se mesfushori zvicerano-shqiptari do të rrijë në Liverpool.
Diçka e tillë sigurisht që e ka mërzitur shqitarin, i cili edhe më herët ishte shprehur se mezi sa priste që të ikte në Beograd dhe që të luante kundër rivalëve në Champions. Ai e bëri të qartë se nuk i trembej fansave apo atmosferës në Beograd.
Por vetë Klopp nuk ka dashur që ta përkeqësojë situatën.
“Është një situatë, ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli, vetëm për të luajtur futboll. Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulime të ndryshme, po flasim për atë lloj pritjeje, që Shaqiri do të merrte në Beograd.
Megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind te futbolli. Nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpooli, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më të gjerë se kaq. Ne duam të shmangim çdo incident.
Plus kësaj, për ne është e rëndësishme të flitet për futboll dhe vetëm për futboll. Shaqiri është lojtari ynë, e duam atë. Ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”, tha Klopp.
Është e sigurt që lojtari do të ishte objektivi i serbëve, të cilët ende nuk e kanë harruar golin e tij në kampionatin botëror dhe festimin me shqiponjë.
Golat e Shaqirit dhe të Granit Xhakës me Zvicrën i dhanë fund aventurës në botëror të Serbisë.