Nga Kristo Mërtiri
Sot e kësaj dite, në këmbët e malit të Gribës ku merr frymë krahina e Lopsit të Tepelenës, në Matohasanaj, Sinanaj, Dorëz, Dhëmblan e Lap-Martalloz, mund të kuvendosh e të dëgjosh mjaft rrëfime gjurmëlënëse në histori. Rrëfime nga vendalinj që u ka lezet fjala, puna e ndershme, këngët e vajet, miqësia dhe dashuria për njëri-tjetrin, besnikëria e atdhetaria prushndezur përballë Lirisë e Demokracisë së vërtetë. Të thjeshtë e modestë gjer në adhurim, aspak fodullë e mburravecë. Kushdo që e ka merituar respektin dhe nderimin e banorëve të kësaj krahine, nuk e ka hedhur kurrë pas krahëve mirënjohjen e thellë njerëzore nëpër udhët e shtigjet e jetës. Përshembull, që nga rinia ime e hershme, unë ruaj ende të gjalla mbresat nga im at, kur binte fjala për miqtë e tij të cmuar në trevën e Lopsit. Kujtoj me mall rilindasin e fundit të Gjuhës Shqipe në Tepelenë, Mësuesin e Popullit, Murat Kociaj; burrin e mencur Islam Raiti, organizatorin e drejtuesin e talentuar që rrëmbente zemrat e cdo traktoristi, mekanizatori e agronomi në Krahës, Kurvelesh, Buz, Dragot e Dukaj; luftëtarin e paepur Mehdi Axhemi; pishtarin e diturisë në udhëtimin dinjitoz të disa brezave si mësues, Dino Islamin e rrallë, etj. etj.
Por këto ditë nëntori e sidomos në fshatin Matohasanaj, pranë tij dhe kudo ku i ka hedhur puna e jeta, kujtimet drithëruese sikur ndizen vetiu. Dhe jo rastësisht shpalosin copëza plot krenari, dhembshuri e antiharresë tepër njerëzore edhe për Doktorin e Shkencave Mjekësore, të paharruarin kirurg ushtarak, Halo Kërraj. Rrodhën 5 vjetë nga dita që ai mbylli sytë përgjithmonë dhe iku në paqe me veten e të tjerët. Iku me faqe të bardhë, po edhe me pengje e plagë. Ndoshta të vetmet plagë që nuk i shëroi dot plotësisht, ashtu sic bëri me shumë pacientë nëpër Shqipërinë tonë…
Pak ditë më parë, tepelenasit e Vlorës me në krye Moisiun zemërbehar, më ndezën emocione jo të vogla në Pallatin e Kulturës “ Labëria “. Dhe as vetëm mua, por tërë pjesmarrësve të shumtë në atë veprimtari të shënuar. Vetë vlonjatët i mirëkuptuan dhe i përgëzuan me zemër. Të nesërmen, Asim Hyska me bashkëpatriotët e mi të vecantë (Paraardhësit e tyre të ndritur, 98 e 75 vjetë më parë (1920 – 1943), pritën, përcollën e u rreshtuan me heroin popullor Selam Musa Salaria dhe mbi dy dekada më vonë vrapuan prapë për në Mavrovë e Drashovicë. Atje ku gjunjëzuan fashistët italianë e nazistët gjermanë!…),nuk heshtën për shokun, mikun e vëllain e tyre Halo. Madje gati mu lutën për të përgatitur e shkruar dicka në mediat e metropolit, në Tiranën ku shërbeu një jetë në roje të jetës së Njeriut. Sa qe gjallë, në Spitalin Ushtarak e jashtë tij, fare pak e dinin që ai mbante emrin e dëshmorit Halo Ismaili, “rënë heroikisht në luftë me andartët grekë në 1914”. Emër që i ushqente shpesh edhe zjarrin e pashuar të atdhedashurisë…
Përfytyroni një fëmijë motak në Matohasanaj, që nëna Sanie do e linte papritur jetim e të pangritur ende në këmbë. Fëmijë që shkulte së qari djepin e priste gjirin e mëmës ! Lotë e të qara foshnje që canin zemrat e familjarëve dhe të bashkëfshatarëve, canin gurin e drurin. Ninullat, puthjet, përkëdhelitë dhe duart e njoma të motërzezës Xhevahire, nuk e pushonin dot vëllain e shtrenjtë e fatkeq. Por në ato male hijerënda, tradita, dhembshuria e njerëzillëku i grave e nuseve, jo rrallë kapin edhe përmasa proverbiale. Konkretisht, Zela e Nurihani, dy nënat lehona me fëmijë të sapolindur, njërin gji filluan ta ruanin për Halon e Sanies derteshumë. Shpirti i tyre i kulluar pikonte pikëllim e dashuri të vërtetë nëne, bashkë me qumështin e gjirit…( Doktor Halua nuk i harroi kurrë, deri në fund. I donte e respektonte pa kufi, si nëna e shkuar nënës ! Po kështu Ervehenë që nuk e thirri asnjëherë “njerkë”. E mori me vete kudo. E pleqëroi në Tiranë me shumë përkujdesje, bashkë me Xhevin e shenjtë dhe 3 vajzat si yje).
“Pa qenë human, nuk bëhesh dot mjek i mirë”, kjo ishte deviza e tij njerëzore, qytetare e profesionale. Dhe vazhdonte më tej plot seriozitet e bindje : Thesar për Njeriun janë Shëndeti e Dituria, pastaj Bukuria ! Halo Kërraj nuk u rrit e as u ngrit me katapult në mjekësi. Mundimet dhe sakrificat e mjekëve ushtarakë në Shqipëri, fare pak janë mediatizuar. Sidomos Spitali Qendror në Tiranë ku priten, kurohen e shpëtohen mjaft jetë nga Veriu në Jug. Mbi 40 vjetë në shërbim, nuk janë pak. Prandaj e admirojnë ende kirurgun e palodhur të ortoped-traumatologjisë. Shkroi artikuj e mbrojti grada shkencore, pa e kycur sedrën, kërkesën ndaj vetes dhe diplomën brenda dyerve të Spitalit. La gjurmë përkushtimi e përgjegjshmërie në Elbasan,në Jorgucat e Sarandë, në flotën ushtarake detare të Vlorës e në korpusin e Fierit.
Gjurmë që u shumëfishuan natyrshëm në Tiranë, ku pacientët vinin e shkonin nga tërë skajet e Atdheut. Shumica hynin me barela dhe dilnin me këmbë, bashkë me mirënjohjen. Por Halo Kërraj nuk e hodhi librin e studimin pas shpine. “Ditën lëvdoje jo vetëm kur të ngryset”, u thoshte shpesh kolegëve të vjetër e të rinj. Netët e pagjuma të kirurgëve të talentuar, janë libra më vete për jetën. Gjurmët dinjitoze të Halos i gjen edhe te specializimet jo dosido në kryeqytet dhe deri në klinikat e shquara universitare të Vjenës e Romës, në SHBA e gjetkë. Bujar Kociu dhe dy motrat e tij Lenie e Hasia, nuk rrinë dot pa vlerësuar e treguar jo pa krenari për kushëririn e tyre të mirë që bëri emër të merituar në fushën e ortopedisë shqiptare: “ Mëma jonë Gjyslyme u rrit te vatra e dera e Habil Kërraj (babai i doktor Halos) dhe e donte shumë jetimin fatkorb që nuk arriti dot të lodronte e belbëzonte në kraharorin e nënës biologjike.
Por erdhi një ditë, u bë i zoti e nuk ia hante qeni shkopin… Kudo ku shkoi e punoi, nuk harroi asnjëherë të merrte me vete krahinën e Lopsit, zakonet dhe traditat më të mira të saj, mendimin dhe fjalën e urtë melhem për cdo hall shëndetësor. Kurdoherë të jepte zemër e kurajo. Të jepte shpresë e të falte besim si vëlla i mencur e tepër human. 5 vjetë më parë, kur e përcollëm në banesën e fundit në Sharrë, prekëm nga afër edhe një hartë dashurie e shqiptarie nga vise të ndryshme të Atdheut. I erdhën që nga Kosova për ta nderuar kirurgun e talentuar, njeriun e intelektualin burrëror që tërë jetën i kishte zët servilët dhe sekserët “pluralistë” të 100 flamurëve…”.
Doktori i Shkencave, Halo Kërraj, nuk shëmbëllente hic me ata tipa që kapërcejnë lumin dhe mbyten në përrua. Përkundrazi. Të shikonte në sy dhe të hiqte udhën e drejtë me shembullin e vet. Fjalëpak e merakshumë. Gati 8 muaj para se të shuhej, vendlindja i dha titullin më të lartë e më emocionues të jetës së tij, “Nderi i Komunës së Lopsit”. Ai burrë i fortë e me zemër të madhe, nuk i mbajti dot dy pika lotë kur grupi folklorik i Tepelenës i këndoi labce për së gjalli. A ka shpërblim më të madh ?… Ndërsa kolegu e miku i tij, Luan Nikollari, nuk pushon së ligjëruari për vlerat njerëzore e profesionale të kirurgut duarflori. “ Ruaju nga mjeku që ka një ilac për të gjithë !”. E përdorte shpesh dhe i pëlqente shumë kjo aforizëm e famshme agolliane. I neveriste të përkulurit si kulpra, sojin pa shtyllë kurrizore dhe lëpirësit e pandreqshëm. Nderonte punëtorët pa qibër e modestë. Një jetë pa hije e plot dritë, e kulluar si burimet në Sinanaj, Matohasanaj, në Gribë e Këndrevicë. Prandaj e nderojnë e kujtojnë me mall e dhimbje dhe i heqin kapelen në Spitalin Ushtarak e jashtë tij…
Eh iken ata mjeke qe mendonin per shendetin e njerezve. Keta te tanishmit mendojne per shendetin e … xhepit.
Mjeku qe nuk duhet lene ne harrese. Kush ka patur te bej me te e ka njohur kete humanist qe e deshi dhe respektoi profesionin e tij te nderuar.
Faleminderit z. Mertiri.
Figura te ndritura te mjekesise sone, si ajo e Alo Keraj. Shembelltyra te njerzve te palodhur, te perkushtuara per jeten e njerzve dhe jo
te perkushtuar pas parase. Sjellja ne kujtese e ketyre njerzve i ben mire shoqerise. Respekte per gazetarin e ketij shkrimi.
Ku vane doktoret ku vane,
Ti shikojme kemi mall
Qe naten e benin dite
si per pleqte dhe te rite
Ku vane doktoret ku vane
ku ti gjejme si kemi prane
Fjale mjaltet, zemrat behar
RESPEKT PER SHKRIMIN,RESPEKT PER KRAHINEN QE NXJERRIN NJEREZ TE KULLUAR SI UJI ATYRE VENDEVE QE KUNDERMOJNE EREN E TRENDELINES QE U SHERBEJNE NJEREZVE ME ZEMER TE BARDHE DHE PA INTERES.EH MOJ KOHE EKALUAR MBUSHUR ME HUMANIZM,EH O HALO TE KUJTOJE 5 VJETET E SHKOLLES BASHKE NE KONVIKTIN E MJEKESISE QE NDANIM CDO GJE QE KISHIM SI VELLEZER.HUMANIZMI U ZHDUK E PERPIU PARAJA E PANGOPUR.I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I TIJ.
SHOK I KURSIT BAJRAM BALA IZRAEL
Gazetari i njohur shkruan me shume dashuri per mjekun e njohur. Meriton fjalet me te mira.