Goditje dhe kundërpërgjigje mes Iker Casillas dhe Jose Mourinho-s. Gjithçka ka nisur nga fjalët e portierit që, duke iu referuar periudhës që kanë qenë së bashku te Real Madrid, ka thënë:
“Në atë moment vendosa që të largohesha për të mirën e skuadrës, por sot do ta kapja demin prej brirësh dhe do të përballesha me Mourinho-n”. Portugezi nuk ka përtuar dhe i është kundërpërgjigjur: “Më duken fjalë të një personi që është në fundin e karrierës së tij. Më ka sulmuar përherë, por përherë në fshehtësi”.
Së bashku kanë kaluar tre sezone, nga 2010 deri në 2013, me fanellën e “Los Blancos” por nuk kanë qenë kurrë të lidhur, ndërsa ky është motivi i fjalëve të Casillas gjatë intervistës për Universo Valdano.
“Ardhja e Mourinho-s i dha fund konkurrencës me Bacelona-n, nuk më pëlqente madridizmi që po dilte jashtë, me momente të tensionit të madh. Fituam edhe La Liga-n dhe kishim ndjesinë se kishim neutralizuar blaugranat, por ishim gabim. Dukej sikur ishte një luftë mes Katalunjës dhe Spanjës: e dashuroj Real Madrid-in dhe dua që të fitojmë pa arritur në këto ekstreme”.
Murinho, i cili duke folur për “A Bola” i është përgjigjur kështu spanjollit. “Kur thotë se nuk është përballur me mua nuk thotë asnjëherë të vërtetën: e ka bërë në një mënyrë që askush nuk është më i mirë se ai, në fshehtësi. Dukej si një intervistë e dikujt që është në fundin e karrierës”.