Ndeshja e kthimit e “Superklasiko” në finalen e Kupës Libertadores mes River Plejt dhe Boka Juniors eshte shtyre.
Shkak për këtë është sulmi që i kanë bërë tifozët e River Plejt autobusit të Boka Juniors ndërsa ky i fundit po i drejtohej stadiumit “Monumental” ku është planifikuar të zhvillohet ndeshja.
Tifozët i kishin bërë pritë autobusit dhe në momentin kur ai kaloi pranë stadiumit, e gjuajtën me gurë, sende të forta dhe gaz me pigment, që shkakton acarim sysh dhe të vjella. Xhamat e autobusin tu thyen thuajse plotësisht, ndërsa lojtarët që ishin brenda raportohet se u shtrinë në tokë për të shpëtuar nga sendet e forta që fluturonin drejt tyre apo ciflat e xhamave.
Ndërkohë, sapo kanë mbërritur në stadium, shumë prej tyre kanë filluar me të vjella, aq sa klubi ka kërkuar që mjekët e “Conmebol”, që organizon aktivitetin, të kontrollojnë gjendjen e tyre, pasi për momentin e kanë të pamundur të aktivizohen në këtë sfidë.
Mes tyre është edhe Karlos Tevez, i cili raportohet se për shumë minuta kishte të vjella papushim.