Kategoria Superiore në këtë sezon po dhuron një rivalitet shumë të madh, ndoshta për faktin se mungon spektakli e sidomos golat.
Janë luajtur deri tani 70 ndeshje, por ajo që të bie në sy është se çdo skuadër luan praktikisht për një gol dhe kënaqet nëse e shënon atë, duke u kthyer më pas në mbrojtje, duke bërë që spektatorët në tribuna, ata pak që kanë mbetur, të mos shohin atë që u trumbetohet me të madhe si një kampionat shumë cilësor.
Falë këtij interpretimi të skuadrave, ky mund të cilësohet pa frikë si kampionati i ndeshjeve 1-0. Në hulumtimin e Vip Sport, statistikat flasin qartë në këtë drejtim, pasi ky është rezultati që spikat mbi të gjithë të tjerët në ndeshjet e luajtura.
Kështu, nga 70 ndeshje të zhvilluara në Superiore në këto 14 javë të para, rezultati 1-0 ndeshet në 27 prej tyre. Kjo përbën 38,5% të takimeve të luajtura deri tani, një statistikë e cila tregon më së miri se cili është trendi i kampionatit shqiptar për këtë sezon.
Duke llogaritur që 5 ndeshje kanë përfunduar 0-0 (7,1%) dhe 8 me rezultatin 1-1 (11,4%), kjo ka ulur ndjeshëm edhe numrin golave të shënuar në këtë kampionat.
Pas këtyre ndeshjeve të para, mesatarja e Superiores është 1,86 gola për ndeshje, më e ulëta e sezoneve të fundit në vendin tonë dhe padyshim shqetësuese, pasi kampionati nuk ka hyrë ende zyrtarisht në periudhën e llogarive, kur situata zakonisht përkeqësohet.