Dani Alves është i bindur se Kylian Mbappe ende ka punë për të bërë, nëse do të arrijë të njëjtin nivel me Neymar, te skuadra e PSG, por nuk ka dyshim se 19-vjeçari ka një të ardhme të ndritur përpara tij.
Mbappe konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët e rinj më të mirë në futboll dhe është ende në lojë për të fituar “Topin e Artë”, pas një viti 2018 jashtëzakonisht të suksesshëm, në të cilin fitoi Ligue 1, “Coupe de la Ligue” dhe “Coupe de France”, me PSG, si dhe duke luajtur një rol kyç në fitimin e titullit kampion bote të Francës.
Sulmuesi e përfundoi turneun e Rusisë me katër gola në shtatë ndeshje, duke përfshirë një dopietë në fitoren 4-3 ndaj Argjentinës.
Mbappe e ka filluar sezonin 2018-2019 në mënyrë të shkëlqyer, duke e rritur më tej reputacionin e tij.
Disa kanë argumentuar se është e pashmangshme që ai ta parakalojë Neymar si njeriu kryesor në “Parc des Princes”.
Megjithatë, Dani Alves beson se momenti nuk është ende. Braziliani ndjen se bashkatdhetari i tij është disa hapa më larg.
“Unë besoj se Neymar dhe Mbappe kanë profile të ndryshme, – tha Dani Alves për “Goal”, kur u pyet mbi dallimet mes Mbappe dhe Neymar. – Mbappe do të bëhet një nga lojtarët historikë në futboll, por unë besoj se Neymar tashmë e ka arritur këtë nivel. Mbappe është ende në proces për të arritur atje.
Por, unë mendoj që, nëse Mbappe është i zgjuar, nuk do ta humbasë mundësinë për të mësuar nga Neymar. Unë e them këtë për shkak se edhe Neymar mësoi shumë nga Lionel Messi. Është një zinxhir i të mësuarit, një rend. Unë dua ta ndihmoj, të jem atje për të, edhe kur askush tjetër nuk është. Jam gjithmonë aty, për të.
Do të doja të bëhesha i rëndësishëm për të, kur Mbappe nuk funksionon mirë. Besoj se e kam këtë tipar të karakterit dhe do të jem në gjendje ta ndihmoj, ta bëj sa më racional në vendime dhe një person më të mirë. Është e vështirë të përmirësosh dikë, si lojtar, por është më e lehtë ta ndihmosh që të bëhet një person më i mirë”.