Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka sqaruar sot situatën sa i përket problemeve të javës së fundit në kampin e kuq, me arrestimin e Alban Hoxhës, por edhe me dënimin nga Komisioni i Disiplinës i Lorenc Trashit. Trajneri i të kuqve, deklaroi se klubi duhet të jetë gati për çdo situatë, pavarësisht emrave që mungonin.
Për situatën e krijuar së fundmi në klub
“Është e vërtetë që gjërat kanë funksionuar shumë mirë, në raste të veçanta ka pasur diçka që është bërë mediatike dhe na ka penguar deri diku në ecurinë tonë. Për mua ka qenë më shumë shqetësim dëmtimi i Albanit, sepse u bë hera e dytë që nuk është i pranishëm në fushë. Para derbit e doja të ishte 100% fizikisht dhe aktiv në fushë, aq më tepër është kapiten. Pro fatkeqësisht gjërat kanë ndodhur dhe si qytetar duhet t’i marrim pak më gjerë dhe është normale që dikush, secili nga ne që kemi në krah, e ka tejkaluar në moment të veçantë një gotë. Por si sportist nuk mendoj se do të ishte me vend kjo gjë”.
A do të luajë Hoxha në derbi?
“Albani nuk besoj se do të luajë, përtej ligjit që çdokush të jetë i barabartë par tij, si qytetar, trajner a lojtar. Besoj se mungesa e tij, mosprania në stërvitje për kaq kohë, gjendja jo në 10%%, nuk do t’i japë mundësi të jetë i pranishëm në derbi. Partizani është një klub i madh e di jashtëzakonisht mirë se sa vlen klubi, e di se sa është ky derbi, dhe të gjithë duhet ta kuptojnë rëndësinë. Si me Albanin, si me Trashin, qoftë edhe pa mua, apo pa Gaz Demin ën tribunë, Partizani duhet të dijë të jetë gati për një derbi që do të thotë shumë për ne”.
Për acarimin e Trashit në Vlorë
“Njerëzit janë të ndryshëm, ka qe janë më tepër të qetë se sa duhet, ka që kanë temperamentin e tyre. Gjatë ndeshjes ishte jashtëzakonisht korrekt, në dhomat e zhveshjeve ishte jashtëzakonisht korrekt. Ishte një shembull. Por në 90 minuta nëse je në një ambient të mbyllur, kur ke 2-3 veta që kalojnë kohën duke të sharë, përdorin fjalor jo normal për vende normale, besoj se të shqetëson. Çdo gjë që ndodhi, ndodhi pas ndeshjes, pas bilbilit, pas ndarjes me kundërshtarin.
Situata e ekipit para derbit
“Derbin nuk mund ta ndryshoj se ësht caktuar për t’u bërë. Njeriu hyn në këtë ndeshje me armët që ka. Për fat, Partizani është familje e madhe, ekipi është i kompletuar, mungesat mund të ndodhin në mënyra të ndryshme, duke qenë të lënduar e me kartonë. Kjo është mungesa, por e rëndësishme është që ekipi është gati dhe i karikuar, do të bëjmë të pamundurën të japim spektakël, të japim atë që presin tifozët tanë”.
Nëse Trashi ishte i acaruar nga çështja e shiritit
“Nuk ka të bëjë fare me kapitenin, sepse kemi një grup lojtarësh që janë titullarë, që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, edhe mes tyre ndryshon temperamenti. Shiriti është i rëndë për disa lojtarë. Performanca ishte ajo që tregoi se Trashi tregoi se nuk e ka mendjen te shiriti. Sa i përket vendimit të KDS-së, nuk i di rregullat dhe ligjet e saj. Kam qenë prezent dhe e di sa e vështirë dhe sa presion është kur një lojtar shahet 90 minuta pa pushuar, duke qenë në fushë e bërë punën e vet. Nuk e kemi çuar ne Trashin te Disiplina, njerëzit e federatës kanë çuar Trashin te Disiplina”
Nëse do të ketë masë disiplinore ndaj Alban Hoxhës
“Çdo lojtar, përfshirë edhe Albanin, di rregulloren e klubit. Ne flasim vazhdimisht me lojtarët, përveç pjesës së fushës, ne përfaqësojmë Partizanin, sjelljet tona duhet të jenë si në lokal, bulevard, në çdo vend të përshtatshme. Ai është edhe lojtar i ekipit kombëtar dhe sjellja në varësi duhet të tregojë që është profesionale. Patjetër pas ngjarjes, në momentin që Albani është në shtëpi i lirë dhe e presim në stërvitje, por klubi ka kriteret e veta, ligjet e veta dhe ka mënyrën se si Albani të ingranohet dhe të ballafaqohet me atë që ka bërë. Policia ka marr përgjigjen e vet, klubi ka ligjet e veta, statusin e vet, kriteret, lojtarët e dinë për alkoolin, sjellje të pahijshme, ofendime, gjithçka. Janë të shkruara në letër, i kanë në kontratë, do të ulemi ta diskutojmë. U ndodh vazhdimisht lojtarëve të mëdhenj, por nuk është ky shembulli i mirë që të sjellim ta fusim si pjesë të kulturës të Partizanit që çdokush mund të pijë e arrestohej. Kemi shembuj shumë më të mirë”.
Pse mendon që do të fitojë përsëri Partizani
“Një trajner gjatë gjithë javës i bën pyetje vetes që mund të jetë radha jonë apo e kundërshtarit. Por nëse sheh ekipin tënd, e sheh si punon, performancën dhe arsyet pse kanë ardhur në këtë klasifikim, shtyn çdo trajner që të jetë optimist. Mendoj se do të jetë radha jonë përsëri”.
Për mungesën e “Fanatics” në tribuna
“Unë besoj se “Fanatics” mbështesin ekipin e tyre, i japin adrenalinë dhe atmosferë të mirë, e shtyjnë edhe pak më tepër. Ata janë adrenalinë për ekipin e vet, për fat të mirë jemi me tifozët tonë, dashamirësit tonë. Do të shfrytëzojmë çdo moment të mirë që i shërben ekipit tonë”.
Për diferencën mes Tiranës dhe Partizanit
“Besoj se ecuria jonë është ajo që tregon se kush është diferenca. Jemi në vend të parë e kryesues, pavarësisht se kemi bërë tre humbje, kemi treguar se jemi ekip solid, me agresivitet, vrapon 90 minuta, ekip i ndërthurur mirë eksperienca me të rinjtë. Kjo është diferenca. Jetojmë të dy palët në Tiranë dhe këtu nuk ka diferencë të madhe. Por ky kampionat, kjo fazë ka treguar se ne jemi të parët se e meritojmë. Pjesa tjetër është diferenca mes pikëve”.
Një mendim për fjalët e Bruno Ditës dhe aleancën Tirana-Skënderbeu
“Dëshirat janë të ndryshme, ai ka bërë analizën e Tiranën. Shpresoj t’i bëjë analizë ndeshjes tonë me Tiranën. Ai është sportist që ka lëvizur shumë klube, është perceptimi i tij, nuk më shqetëson Bruno Dita apo ndonjë lojtar i një ekipi tjetër. Mua më intereson sa është gati ekipi, çfarë mendojnë çunat për derbin, për të ardhmen, si i marrin ndeshjet një nga një, intervistat e ish-ave apo kundërshtarëve janë thjesht perceptimi i tyre”.