Nga Agustin Prenga
Në ditën e rinisë flasim për të rinjtë më shumë sesa do flisnin ata për veten e tyre.
Të rinjtë që i thërrasim në çdo fushatë elektorale për të tundur flamuj; që i thërrasim për të lëshuar brohorima; për të ndezur takime fjalëboshe. Një aromë e re pranë fytyrave të vjetra të lodhura të korrupsionit.
Të rinj që i grishim përditë me postera erotikë t’i bashkohen mbrëmjes së fundjavës. Ata që mezi i shtyjnë ditët në punë të paguara pak apo fare të papunë. Atyre që u paguajmë koktejin dhe u vjedhim lirinë.
Të rinj që i ftojmë të bëjnë karrierë në Call Center. Të rinj që u mësojmë të gënjejnë, të punojnë në kohë prove pa pagesë dhe të mos bëjnë zë. Të rinj që u mësojmë aftësi dhe u dhunojmë dinjitetin.
Të rinj që i ftojmë të flasin në tryezat tona me qëllimin e vetëm për t’u treguar më pas se e kanë gabim; Të rinj që mbushin auditore në universitete dhe janë vetë auditor. Të rinj që janë bujtës aty ku duhet të ishin të shtëpisë. Të rinj që i trajtojmë si klientë në universitete, u shesim notën, u shesim kohën dhe më pas u shesim edhe mend se janë ‘brez i djegur’.
Të rinj që i rrasim në konvikte të ftohta ku ujë i ngrohtë vjen me orar nga lart. Të rinj që u marrim lekë aq sa të ishin në një shtëpi private me qira. Të rinj që i ushqejmë me hamburgera me patate të vajit të stërdjegur kancerogjen.
Të rinj që i transportojmë me autobuzë kinezë të ngjeshur si salçiçe të paketuara. Të rinj që i konsiderojmë me pjekuri të mangët. Të rinj që mendojmë se e kanë mendjen vetëm për të prishur para dhe për seks.
Rinia nuk është kjo!
Unë mendoj që është KOHA e këtij brezi. Rinia nuk është e ardhmja, ajo është e sotmja. Përvoja e këtyre ditëve do të lerë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë. Familja e nesërme, shkolla, udhëheqësit do të dëgjojnë nga rinia e sotme historitë e këtyre ditëve.
Bëjini një nder vetes: Mos e mbani peng rininë me pengjet e jetës tuaj !
Besoni në të! Lejojeni të ëndërrojë, të gabojë, të mësojë, të udhëheqë, të jetojë! Pushteti në duart tuaja është i përkohshëm.
Trajtojeni rininë me dinjitet dhe do korrim së bashku një brez dinjitarësh.
Dështimi për t’i trajtuar ata sot si të rëndësishëm do të ketë pasoja në ditët kur do të jeni gjyshër; Në ditët kur do të keni më shumë nevojë për ndihmë. Këtë ndihmë nuk do ta gjeni te shembulli që nuk e keni dhënë.
Le të ecim me ta! Krah për krah të rinjve të sotëm. Dhe siç thoshte Aristoteli: “Zakonet e mira që formohen në rini bëjnë ndryshimin e madh në jetën e një njeriu.” Unë do të shtoja: …në jetën e një kombi.
Si i ri kjo është një urtësi që më ka drejtuar që në vitet studentore:
Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate,
para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: “Nuk gjej asnjë kënaqësi në to. (Solomoni)
Njihni të Vërtetën dhe jetoni në të ateherë do të jemi me të vërtetë të lirë.
Të dashur miq gëzuar ditën e rinisë
Rinofshi!