Nga Kristo Mërtiri
Mos i lësho fjalët në erë, pa e ditur se nga fryn ajo !,-më thoshte shpesh në vite, Iliriani, miku im i vjetër vlonjat që e njoha nga afër qysh në hapat e parë gazetareske në Përmet dhe gjer në Myzeqe. Profesionist i zoti e jo dosido, i ndershëm, besnik e aspak mendjembyllur, njeri i lexuar e argumentues i hollë në mbrojtjen e të Drejtës së vërtetë dhe demaskimin e mencur të gënjeshtrës. Burrë që i përfundoi studimet e larta jo mbi pupla a “shpatulla të ngrohta” pushtetare e të miqësisë, por në mes të punëtorisë dhe me tre turne. Larg cdo favori e privilegji të kohës “bishtdhelpër” !
Bashkë me Fatmirin beratas, shokun tonë të mirë e skrupuloz që bëri karrierë të merituar dhe sot lëngon në Tiranë nga një sëmundje e rëndë…Atë urtësinë e mocme në fillim të shkrimit e kujtuam edhe 4 ditët e fundit. Dhe jo rastësisht. Madje biseda mori nota proteste e indinjate qytetare dhe intelektuale, rreth një emisioni televiziv si pa kokë e këmbë në mbrëmjen e së hënës që shkoi. Por edhe me shifra të rrumbullakosura nga gazetare që “sfiliten” për të bërë më tepër shou politik, se sa mediatik, me tituj sensacionalë e pa kurrfarë analize të përgjegjshme e atdhetare. Dhe në finale rrokullisin definicione të cartura për një qytet të tërë e që shëmbëllejnë me muhabete kafeneje rreth filxhanit, duke firasur paketat me cigare dhe hamendjet e një rrumpalle gazetareske.
Shkurt, i servirin publikut të gjerë rrokanisje shushamë, duke futur fakte të pafiltruara në një thes me mbishkrimin tronditës “Të zhdukur”, jetimë a viktima qeveritare ! Pa i hyrë hic problemit me rrënjë e degë dhe pa intervistuar direkt zyrtarët që duhet të japin llogari përballë “zbulimit” befasues të realizuar nga gazetarët e ardhur nga metropoli. Pra, fërkojnë duart e gogësijnë të velur se paskan rrëmbyer ca monologje hallexhinjsh fatkeqë a copëza me rrëfime drithëruese të njerëzve të afërt që realisht nuk akuzojnë gati asnjë zyrtar me emër e mbiemër për ato humbje kobzeza. Por këto akuza cuditërisht vërshojnë nga studiot e politizuara nga flokët gjer te thonjtë, gjoja “të hapura” e tepër komode në Tiranë ! Duke kapërcyer edhe vetë gjerdhet e panikut kallp, me deklarata mujshare e jo ngjyresa hajgare…
Konkretisht, shumicën e lajmeve të ditës, zakonisht unë i lexoj mbrëmave. Po ikte e hëna kalendarike. Vonë, si gjithnjë, sikur pushon edhe “bombardimi” informativ. Kur po mendoja të përfundoja së lëcituri librin e fundit të Kadaresë (dhuruar me shënimin e tij), syri më kapi dicka jo të rëndomtë, hedhur në internet :”…Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje është që njerëzit nuk dilnin darkave pas orës 20.00. Vlora ishte bosh, të imagjinosh që ne ishim aty dy javët e para të nëntorit, ku nuk bënte as shumë ftohtë…”. Dhe ja argumenti e përgjigjia tjetër “bombë” që duhej të kriste jo pak ekranin : “ Nga frika e bandave dhe vrasjeve”(?!). Por unë që isha vetë në Vlorë (tetor) dhe shijova pas shumë kohësh edhe ndryshimet e mbrëmjet e vecanta të saj, lidha duart fort me gishtrinjtë, buzëqesha paksa hidhur në vetmi dhe dicka mërmërita si nëpër dhëmbë për ca “breshka” e “bretkosa” ekrani, që me sa duket kënaqen shumë nëse ua bëjnë mendjen ujem lexuesve e shikuesve fakirë. Sepse “kuak-kuaku” i tyre, në fund të fundit, nuk turbullon e trazon vetëm ekranet. Përvoja mbi 40 vjecare në Gazetari, më ka mësuar se zotësi nuk është vetëm të flasësh, por edhe të heshtësh kur nuk ke gjë në torbë ! Ose sic thotë me të drejtë një tjetër mik i vyer në Vlorë,”plaga e fjalës jo rrallë shërohet shumë më vonë se ajo e shpatës”.
E thotë ekonomisti e biznesmeni i shquar, Anesti Bezhani, me rrënjë të thella lekëlioti në Tepelenë, bashkëpunëtor veteran i vecantë i shtypit. Ashtu me trupin e drejtë si lis nga lisat e Golikut të shenjtë ku mbështeti kokën e shpinën edhe fëmijëria e rinia ime e parë, ai burrë i zgjuar, modest e dinjitoz po u qaset si pakuptuar të nëntëdhjetave ! “C’janë këto kumbulla të papjekura, miku im !”, kaq ishte maja e shpërthimit të tij të natyrshëm. Dhe sidomos “kuak-kuakun” e bretkosave në gjole e rezervate, Nesti e njeh ndoshta më mirë se kushdo… Sic theksonte dikur publikisht vite më parë një personalitet i dashur i kulturës sonë, “ Demokracia e gënjeshtërt, u bë një herë copë e thërrime në Vlorë !”. Edhe kjo meritë do i njihet e vlerësohet gjatë. Po kush kërkon të shtojë edhe një tjetër Babicë që kullon mort ditë e natë në breza ?! “ Oi, nëna ime, oiii !”. Rënkimet therëse të shamizezave nuk shterojnë e as përthahen dot… Dhe medemek gazetarët paskan qëndruar e janë raskapitur mbi një javë në atë qytet aq të dhembshur e të respektuar me zemër nga tërë viset e shqiptarisë.
-Ore babam, kolegët e tu në metropol, mos kanë filluar ta matin veten me hijen e mbrëmjes dhe zbrazin hejbetë me gurë e guricka Dajti nëpër studiot e lyera me brilantinë ? Hejbe me habere “taze” që i serviren publikut fët e fët, pa sita e pa filtra ! Sepse ka ende rrogtarë në media e gjetkë, që e kërkojnë të keqen si breshka gozhdën, ndoshta pa shkuar fare te nallbani ! Pastaj nuk merret vesh se përse ishe me shërbim e në shërbim të kujt u vure me ato profka e gjepura. “ Kjo që lëshove këtu është e rëndë”, i ndërhyri seriozisht një analist kokëplotë. Mirëpo topi bam e Mucua tutje ! Thjesht nxitim keqdashës e panikmbjellës ? Apo për të bërë shou e sa për të bërë me kongjill të vërtetën ndryshe? Mos janë vallë nga ato bretkosat që kuakin dhe ecin duke kërcyer nëpër gazeta e ekrane. Sepse në profesionin tuaj të nderuar, nuk mund të luash as breshkazi “duke lidhur duart poshtë këmbëve e duke shtyrë njeri-tjetrin” dhe të shullëhesh mbi një javë nën hijen e shifrave jo zyrtare. Ndryshe folën të ftuarit në emision(pa munguar ethebutët), ndryshe prokuroria e ndryshe policia (!). Kë të besonte i ziu njeri ?!…
Unë i kuptoj mirë shpotitë e thumbat labe, që gati nuk i vënë fare në hesap e kandar guralecët provokativë të atyre që nuk bëjnë dot as vezë breshke në investigim. Guralecë që përfitojnë më kot nam vetëm pse vërviten nga ekranet e ndonjë kanali prestigjioz. Por opinioni qytetar e intelektual ngre supet dhe i përcjell sipas festes, sidomos në Vlorën tonë të bekuar nga Zoti e të zhgënjyer gjer në kockë nga Polit(h)ika pa moral. Pa munguar ndoshta edhe ndonjë e sharë vendshe ndaj deklaratave ku rafsha mos u vrafsha. Në fund të fundit, autorët nuk janë aspak nga ato breshkëza agrumesh e fiku, të bardha, kuqaloshe a të zeza që mbajnë shpirtin gjallë me lëngje gjethesh. Aq më pak si ajo “gunga që del në trung të ullirit, e cila mund të shkëputet e të mbillet si fidan”! Që në Vlorë i njohin e ua dinë “huqet” më mirë se kudo. Dhe as ngjan hic me atë vallen popullore në dasma, kur dikush i bërë cakërqejf, demonstron disa lëvizje si të breshkës. “ Aman, më qafsh, a i pyet dot kolegët e tu kërthinj e më të rinj në moshë : Po lutjet e shërbesat mbrëmjesore nëpër xhamira e kisha a ruhen “nga frika e bandave” ? Po për fejesa, dasma, ditëlindje etj., a e kalojnë dot orën tetë të mbrëmjes ? Po koncertet, shfaqjet teatrore, minimarketet e supermarketet, kafenetë e restorantet, janë me shul a lloz nga brenda pas asaj ore të ”mallkuar” ? Po të sëmurët kush i shoqëron dhe a përfitojnë dot ndonjë shërbim të ckycur ? Nuk thosh kot i mocmi i mencur: Lisit shihi hijen, njeriut që kuak si bretkosë shihi mendjen ! Apo s’kanë faj se dalin nga grazhdet e Kryeqytetit një herë në hënë ?… Të kuptohemi, nuk duam të fshijmë hijet pa ikur dielli. Dhe kurrsesi të fshihemi pas hijes së gishtit tregues. Sa për qytetarët vlonjatë, nuk u hedh dot hije frikësuese e abuzuese ndonjë buzëqumësht në Gazetari apo më të “pjekurit” që ndërrojnë zanatet hu më hu e tundin-shkundin diplomat kallpazane. Ata nuk i harrojnë kurrë gjëmat e pikëllimat e marsit të zi ’97 të fundshekullit që shkoi, hatara që ngrinë zemrat dhe eshtrat e cdo shqiptari…
Provokimet e tanishme më kujtuan një përgjigje të Dritëroit pas pyetjes së gazetës se si po e përjetonte mbylljen në shtëpi pas orës 21 në Tiranë. ( “Paska qenë 1 orë më tepër “liridalja” se kjo e sotmja që u tha në ekran. Dhe kur ? Mbi 21 vjetë më parë!):
– Kjo gjendje në Shqipëri nuk më dëshpëron, as më alarmon, përkundrazi, më bën optimist, pasi mendoj se në fund populli im u ngrit dhe ia theu hundët Sali Berishës e pushtetit të tij. Ky popull që bëri një revolucion demokratik,, tregoi se kërkon një demokraci të drejtë, aq sa lejojnë demokracitë borgjeze. Dhe unë, brenda kësaj atmosfere të të revoltuarve e ndiej veten më mirë se në kohën e Sudes dhe të Meksit. Pastaj kjo situatë nuk më duket as mbyllje, as gjendje e jashtëzakonshme e vërtetë, përderisa Sali Berisha dhe Leka Zogu po bëjnë fushatë elektorale. Në ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme thuhet se ndalohen të takohen e rrinë bashkë më shumë se 4 veta. Prandaj unë këtë gjendje e marr si me shaka dhe dal ndonjëherë në mes të natës për ndonjë shëtitje para pallatit tim, atje tek gropa e Hajdinit, ku këndojnë bretkosat !…
Shqetesim i drejte. Jam i nje mendje me gazetarin e ketij shkrimi, por jo me ata gazetaruce qe mos o zot, me hamendjet dhe fake news qe i servirin publikut kerkojne tu mbushin mendjen njerzve se Vlora qenka vend i krimit, se ne Vlore jeta eshte e pasigurt. Keta derdimene jane larg gazetarise se vertete. Vlora flet vet. Ndryshuar e tera, ku te prehet shpirti. Krimi dhe ketu ka bere punen e vet, si kudo dhe jo se nuk luftohet ai. Te nxish realitetin e Vlores e te kujtdo tjetri do te thote ti besh ato jo pa qellim. Si vlonjat ndihem i fyer. Palo gazetaret kane te njejten ndjeshmeri, ndaj dhe u duhet thene: boll me, shkoni beni ndonje pune tjeter. Ejani ne Vlore dhedo me jepni te drejte. Vlora eshte Vlore.
E the more Kristo vellai,por kujt ia the se?
Mire Saliu,qe as te degjonte ,por te vriste,por na doli edhe ky Rama po aq ballist sa Saliu udb-ash!
Rama kerkoi te gjithe tepsine,por e hengri te gjithe per vete!
Rama ka futur ne arkivol PS-ne pastaj Shqiperine!
Me tradhetarin M.Sh e vulosi tradhetine dhe duhet te shporret!
Shume uje kane keto shkrime, me stil realizmi socialist. Sado pozitiv ne ide, nuk arrij ta coj deri ne fund nje shkrim te Kristos.
Ne vend te komentit:
Poeti Ali Asllani per Vloren
Jam vlonjat e jam vlonjat
e kam shkaben meme e at,
shkaba trime dykrenore
fron e saj e ka ne Vlore
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora trime shqipetare
si rob jeten s’e do fare
Llaman o byrazer. Po cthua a ditebardhe. Stili i autorit eshte i rrjedhshem, pa zvargje. Lexoje dhe nje here e do me japesh te drejte. Keto shkrime une i lexoj me kenaqesi per ndjenjen qe ngerthejne dhe pikerisht per ate stil energjik. Tung.
Si gjini artikulli, e nis per kritike , por ne fakt e perfundon ne nje lloj reportazhi. Stili i tij eshte krejt i ndryshem nga sa kerkon gazetaria.
Llakman i nderuar. Si mesimdhenes qe vazhdoj te jap gjuhe e letersi, ve re se kete radhe e thua drejt “stili eshte krejt i ndryshem…”. Dhe stili i gazetarit te njohur eshte i tille: i ndryshem, karakteristike pozitive per shkrimet e tij. Sipas vete Stilistikes, si disipline e njohur shkencore, stili ndryshon ne vartesine e autoreve, si ne letersi dhe ne publicistike, pavaresisht madhesise se ketyre ndryshimeve, qofshin ato dhe minimale. Nuk po zgjatem me tej, por reflektimi si mesues qe jam me pelqen, pavaresisht si shprehet ai. Me shume mirekuptim.