Jari merr udhëzimet për vazhdimin e protestës së studentëve

12 Dhjetor 2018, 18:23Antena TEMA

Jari sot u gdhi me një ndjenjë të përzier mes gëzimit dhe hidhërimit, pasi nuk e kuptonte dot nëse kishte fituar apo humbur Doktori dje, kur protesta e studentëve ishte ndarë në tre pjesë.

Paqartësia ishte bërë më e fortë mbrëmë, kur përpiqej të informohej për atë që po ndodhte përmes debateve të televizioneve kryesore, që kishin të gjitha të njëjtën temë.

I kishte bërë shumë përshtypje buzëqeshja e Fevzos pas çdo akuze që kishin studentët ndaj qeverisë, dhe kjo e kishte turbullluar.

“Ky guxim i Fevzos kundër pushtetit e tejkalon çdo lloj revolucioni”, mendoi Jari, dhe mori sërish guximin të telefonojë atje ku zakonisht priste vetëm urdhëra dhe udhëzime.

Pastaj e ktheu nga Zonja Eni.

Zakonisht ajo zgurdullon sytë kur nuk kupton gjë, por dje nuk i ishin zmadhuar sytë.

Ngjante e qetë dhe largpamëse, si Dervishe Hatixheja që parashikonte fatin e protestës.

Pas ziles së tretë, u dëgjua një “alooooo” e zgjatur, nga ato që të ngjethnin mishin.

-Më falni për shqetësimin Doktor, Jari në telefon.

Të mora se nuk po e marr vesh tamam se çfarë po bëhet me këtë protestën e studentëve.

Na bëhet mirë ne që u ndanë në tre grupe ata, apo është lajm i keq ky?

-Dëgjo Bujar, mbaj shënim, u dëgjua zëri nga ana tjetër.

-Një minutë Doktor, sa të marr stilografin, dhe aty për aty mendoi se nga do ta dinte ai nëse nuk mbante shënim vërtetë.

Por e mblodhi mendjen shpejt dhe shkoi të merrte takëmet e shkrimit, sepse ku i dihej jetës, Doktori mund ta përgjonte edhe brenda shtëpisë.

-Është shumë mirë për ne që protesta është ndarë në tre grupe, sepse ashtu të bashkuar tek Ministria e Arsimit nuk po e çanim dot fare.

Ata studentët më mirë t’i vrisje, se sa t’u çoje Lulin dhe Monikën atje. Se unë dhe “Komandanti i Përgjithshëm” nuk shkonim.

E kupton vetë ti. Atij nuk ia lejon Kushtetuta, kurse unë kam bërë sikur kam ikur dhe ia kam lënë partinë në përdorim Lulit.

Ndaj vendosëm që t’i ndajmë forcat, çfarë është e jona, të mbetej e jona.

Dhe tek Kryeministria dërguam Abin tim, se nuk gjetëm njeri më të sigurt që t’i drejtonte dhe kontrollonte.

Kurse tek “Zogu i Zi” dërguam Flamur Nokën bashkë me këta të LSI-së, ngaqë edhe shkojnë mirë bashkë, që të mos kishim konflikt brenda koalicionit, por dhe për shkak të formimit akademik të Flamurit.

Është i vetmi që ka bërë 11 vite shkollë të lartë.

Ça të bënim më shumë, më të mirët që kishim çuam atje?

Këta tanët mbetën më pak, ndërsa ata tek Ministria e Asimit ishin në shumicë, por në këto raste, nuk ka rëndësi numri, mjafton që të mos kete njeri për t’i numëruar.

Ndaj duhet të gjjemë mënyrën dhe ta mbyllim këtë kodosh proteste, sepse po zgjati shumë, mund të na zbulojë që nuk na duan.

Maksimumi deri në Krishtlindje ajo protestë duhet të mbyllet, që të mos e marrin vesh të gjithë se njerëzit ne na kanë më inat se qeverinë.

Apo nuk janë duke u bërë edhe këto organet e reformës në drejtësi këto ditë..

Aty telefonata u ndërpre papritur dhe Jarit i ngeci pështyma në grykë.

Kur ai arriti të thotë me gjysëm zëri “plotësisht dakord Doktor, Jari ju kupton” telefoni përtej kishte disa sekonda që ishte mbyllur.

I zhytur në mendime të zymta, Jari sot nuk pati mundësi të shkuante mesazhin e zakonshëm për demokratët.

1 komente në “Jari merr udhëzimet për vazhdimin e protestës së studentëve”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje