Jari shpjegon se përse nuk po funksionon skenari i opozitës për djegien e mandateve

4 Dhjetor 2018, 18:53Antena TEMA

Afrimi i datës së skadimit të mandateve të opozitës në parlament, e ka rritur tensionin tek demokratët, shumica e të cilëve shpresojnë që Luli ta shkrepi më në fund, e të bëjë atë që ka thënë prej kohësh Doktori.

Por intervista e Monës mbrëmë tek Babaramo e zbehu shumë entuziasmin e tyre.

Të 3 demokratët e Kombinatit që mori në telefon Jari, për të matur pulsin e parties, ishin të xhindosur, si me Monën, ashtu edhe me Babaramon.

Për këtë të fundit thoshin që “mos i ngrëntë ato lekët dhe rrugët jashtë shtetit të Likes, pavarësisht se është gjirokastrit dhe nuk i vihet shumë faj, ngaqë po afrohen festat e Vitit të Ri.”

I tronditur dhe i shqetësuar se kjo mund të shpinte në një çarje të pariparueshme të unitetit të opozitës, Jari u përqëndrua fort, për të shkruar mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar miq, Jari ju sqaron!

Kjo puna e djegies së mandateve nuk doli gjë, por ju mos u dekurajoni, sepse Luli do të na çojë prapë drejt fitores.

Ajo Mona na e ngatërroi pak punën, sepse tha që nuk e dorëzonte kurrë mandatin e vet, sepse e kishte fituar me gjak.

Me sa duket e ka fjalën për atë rastin në Lezhë, më 2013-ën, kur u vra njëri afër qendrës së votimit, por atëherë LSI-ja ishte me Edi Ramën.

Dhe kështu i bie që gjakun të na e kërkojë neve.

Por ne do bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë, se nuk do të prishim koalicionin për një vrasje të rëndomtë.

Siç ju kam treguar edhe më parë, Fahri Balliu na kishte thënë që kur u bë marrëveshja e 1 prillit, që “komandanti i Përgjithshëm” ia ka me të futur Edi Ramës, dhe atij i doli fjala fiks pas katër vjetësh.

Nëse LSI i paska fituar me gjak mandatet e saj, ne i kemi fituar me lekë mandatet tona.

Që do të thotë se e kemi blerë gjakun me çmimin e tregut.

Dhe këtë praktikë e njeh dhe Kanuni.

Gjysma e deputetëve të Partisë Demokratike e kanë respektuar siç duhet kunatin e Lulit, për ta merituar vendin e tyre në parlament, dhe kjo është një sakrificë që u duhet njohur atyre.

Ndaj ta harrojnë këta të LSI-së që mund t’i shesin mandatet e tyre sikur kanë më shumë vlerë se sa tonat.

Mjafton të kujtosh sa lekë ka paguar deputeti që kryesoi listën e PD në Vlorë, dhe të bindesh se sa e vërtetë është ajo shprehja “vdekja, kapak floriri”.

Si përfundim, pas kësaj që ndodhi, të gjithë do të jenë në rregull.

LSI-ja do të respektojë siç duhet gjakun e dëshmorëve të saj dhe nuk do të lejojë shfrytëzimin e rastit nga ish-ministrat që po kërkojnë sebep për të kaluar me Edi Ramën.

Luli do t’i thotë Doktorit se nuk ka çfarë t’i bëjë LSI-së, sepse të ishte për të, i digjte mandatet njësoj si Xhordano Brunon në turrën e druve.

Ndërsa Doktori do t’i thotë popullit, si zakonisht, që nuk ka ç’ti bëjë Lulit, se ai i merr vendimet me kokën e vet, ngaqë është kryetar prej vërteti i PD.

Që do të thotë se, në fund fare, mandatet nuk do t’i djegim, por do t’ju rrisim atyre çmimin.

Me Lulin fitorja është e sigurtë.

I juaji, Jari!”

1 komente në “Jari shpjegon se përse nuk po funksionon skenari i opozitës për djegien e mandateve”

  1. Jani says:

    Boll talle arin me kete arin o Mero. Ky pak eshte çyryk edhe ti dhe iku fare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje