Jari tregon pse zgjedhjet e Durrësit janë preludi i fitores së PD

24 Nëntor 2018, 20:05Antena TEMA

Jari u zgjua sot me një ndjenjë entuziasmi që nuk justifikohej dot me rezultatet e protestës së Astirit, e cila kishte marrë një goditje të fortë pas plagosjes së polices para Parlamentit.

Shumica e njerëzve kudo në Shqipëri kishin reaguar kundër asaj që kishte ndodhur, por kjo nuk ishte arsye për ta mërzitur Jarin.

Më e rëndë ishte bërë situata pas një statusi të Doktorit, që shante policen e lënduar, sepse nuk kishte lënë njeri në Shqipëri pa reaguar kundër tij.

Por për çudi, kjo nuk e kishte lëkundur gjendjen e mirë emocionale të Jarit.

I cili duke nënqeshur me një vetëkënaqësi që i buronte  nga shpirti, instiktivisht çoi dorën aty ku dikur kishte mustaqet, një gjest që e bënte sa herë ishte i gëzuar.

Dhe pa humbur kohë nisi të shkruajë sa më poshtë vijon:

“Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron!

Ditët e fundit kam konstatuar me kënaqësi doza të forta gjenialiteti politik tek Luli, të cilat nuk i kam hasur më parë as tek vetë Doktori, megjithëse vazhdoj të mbetem ushtar besnik i tij deri në vdekje për nderin që më ka bërë.

Të bësh zgjedhje në Partinë Demokratike në kohën që të gjithë e kanë mendjen ose tek Unaza e Re, ose tek buxheti i shtetit, ose tek Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, nuk është pak.

Sepse i bie që të bësh çfarë të duash me to dhe askush të mos e vërë re.

Dhe kjo është një meritë që i duhet njohur Lulit.

Por më shumë se sa momenti që ka zgjedhur, ai burrë më ka impresionuar për mënyrën se si po i zhvillon dhe për cilësinë e produktit.

Nuk ka qenë rastësi që zgjedhjet e para u zhvilluan në Durrës dhe as që ato i fitoi një xhaketë e kthyer disa herë si Ferdinand Xhaferri.

Sepse për Durrësin, ashtu edhe si për shumë degë të tjera në Shqipëri, përgjegjës ka qenë, që kur është bërë Luli kryetar, strategu i mirënjohur Fahri Balliu.

Sepse ka disa qytete dhe bashki në Shqipëri, ku nuk ka rëndësi rezultati, por mjafton pjesmarrja.

Fahriu ka rënë dakord edhe me Lulin, edhe me Vangjush Dakon, edhe me Ilir Metën, që kandidati i PD në Durrës për zgjedhjet lokale do të jetë Ardian Muka.

I cili është një njeri që i njeh rregullat dhe di ta bëjë nderin tamam.

Ai ka dhënë fjalën që tani se do të respektojë në mënyën e duhur, si kunatin e Lulit, ashtu edhe Fahriun, si shkes të sukseshëm për mblesërinë.

Ndërsa Ferdinand Xhaferri do të përfitojë vetëm fondin e reklamave të fushatës, sepse për aq e ka takatin dhe për atë është zgjedhur me votën e lirë të demokratëve.

Është tamam si në zgjedhjet e 1996-ës, kur PD e udhëhequr nga Doktori, e kishte devizën e fushatës: “Me ne fitojnë të gjithë”.

Fitojnë njëkohësiht edhe Luli, edhe Fahriu, edhe Ilir Meta, edhe Gjushi, edhe Doktori përmes Zenit.

E ha vetëm Ard Muka, por ky është thjesht një dëm anësor.

Zgjedhja e Fred Xhaferrit ka sjellë që në Durrës të rritet në mënyrë të ndjeshme jo vetëm cilësia e përfaqësimit të Partisë Demokratike, por edhe vetë cilësia e diellit.

Por më shumë se për qytetin bregdetar, ky proces pritet të shërbejë si një model për t’u ndjekur në të gjithë Shqipërinë.

Strategu Balliu po ndjek me vëmendje zgjedhjet në Korçë, Pogradec, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe gjetkë, duke prenotuar me përpikmëri dhe në kohë në kohë rekord fituesin, në dakordësi të plotë paraprake me kunatin e Lulit.

Pasi zgjedhjet të mbarojnë dhe të gjithë të kuptojnë se fushata është e vështirë dhe duhen shumë lekë për ta përballuar, Edi Rama të gjejë vrimë ku të futet, se nuk do ta frenojë dot ortekun e opozitës së Lulit.

Fitorja po afrohet.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje