Jari shpjegon se LSI-ja është aleate besnike që nuk luan me dy porta!
Jari sot u zgjua i trembur dhe i çuditur nga një zile e fortë dhe këmbëngulëse, sepse kishte kohë që askush nuk i binte më telefonit të tij. Telefonatën e fundit ia kishte bërë Koço Kokëdhima para një muaji, i cili e kishte ftuar në një takim të partive të vogla.
Ai atëherë hezitoi pak t’i thonte po, por kur Koço i tha që gjatë pushimit do të kishte një drekë falas, pranoi menjëherë duke e falenderuar. Por ajo drekë i doli për hundësh, sepse në takim u sulmuan ashpër si Edi Rama ashtu edhe Luli dhe kjo e kishte xhindosur keq Doktorin. E kuptoi këtë në dy ceremonitë e fundit, kur ai bëri sikur nuk e pa dhe Jari ishte gati të vdiste nga marazi.
E ngriti gjithë frikë telefonin dhe sapo e hapi dëgjoi një breshër të sharash me zë të lartë për Monën, Komandantin e Përgjithshëm dhe LSI-në. Ishte njëri nga ata 3 demokratët e Kombinatit që i kishin mbetur besnikë ende, pas largimit të tij nga Presidenca. U përpoq ta qetësonte duke i thënë se asgjë nuk është ashtu siç duket, por ishte e pamundur. Zëri sa vinte e bëhej më i fortë dhe të sharat sa vinin e bëheheshin më të rënda.
Dikur, kur fjalori u prish fare dhe Jari nisi të skuqej nga fjalët e pista, të sharat ndërruan adresë dhe nisën të bien si breshër mbi Lulin më shumë, por pa kursyer edhe Doktorin. Minutat iu dukën shekuj dhe kur zëri i nervozuar e mbylli telefonin, Jari konstatoi se ishte bërë qull në djersë.
Ndenji nja një orë pa folur dhe pa lëvizur për të mbledhur veten dhe pastaj u ngrit që të shkruante mesazhin e mëposhtëm:
Të nderuar miq, Jari ju sqaron:
E di që jeni mërzitur shumë nga intervista e Monës tek Arian Çani, por ju siguroj se LSI-ja nuk luan me dy porta, por është aleatja jonë besnike. Mos u vini veshin fjalëve të saj, kur e mburr Lali Erin, sepse ia ka me të futur atij dhe PS-së. Edhe unë, kështu si ju, u mërzita shumë më 1 prill të 2013-ës, kur bënë marrëveshje Komandanti i Përgjithshëm me Edi Ramën, tek ajo darka e famshme me ngjala në Lalëz.
Po merakun ma hoqi Fahri Balliu, i cili më tha se gjithçka është lojë për të dëmtuar sa më shumë Edi Ramën. Atëherë nuk e kuptova mirë, por për ta respektuar i mora djalin në punë, sepse e kishte hall të madh, ngaqë i pinte shumë dhe luante bizhoz. E bëra këshilltar, por që prej asaj dite, më shpesh vinte në Presidencë i ati, se sa i biri. Koha i dha të drejtë Fahriut, sepse pas 4 vjetësh Ilir Meta u prish me Edi Ramën, dhe ai në shenjë hakmarrje e caktoi President. Kurse djalin e Fahriut, si shpërblim për parashikimin e saktë, Luli e bëri deputet.
Ndaj mos u nxitoni dhe mos u mërzisni kot me Monën! Ashtu u nxituam edhe në vitin 2000, kur Komandanti i Përgjithshëm ishte kryeministër dhe Doktorin e poshtëruan duke e plasur brenda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe e mbajtën atje gjithë natën.
Edhe atëherë na doli borxhit Fahriu, por ne nuk e besuam. Por ja që këto ditë vetë Komandanti i Përgjithshëm ka deklaruar me gojën e tij se me Doktorin ka një lloj “kimie” të veçantë.
Kjo do të thotë se Fahriu vonon, por nuk harron. Ndaj mbani moralin lart, se fitorja e Lulit me në krye Doktorin është thjeshtë çështje kohe.
I juaji Jari!
na plasi fahriu