Jari shpjegon goditjen ndaj Tupes, si luftë ndaj institucionit të Kunatit

13 Dhjetor 2018, 19:19Antena TEMA

Sot pritshmëria e protestës së studentëve ishte e madhe, ngaqë kishte seancë parlamentare dhe Jari ishte mprehur keq se do të ndodhte diçka tepër e rëndësishme.

Por Kuvendi u mblodh normalisht dhe përveç teatrit të Salianusit, që bëri sikur do të vriste kryeministrin duke e qëlluar me ligjin e Arsimit të Lartë, nuk pati ndonjë gjë tjetër që të ngelte në mendje.

I zhgënjyer sa më s’bëhet, Jari e nisi ditën shumë vonë me një valë mendimesh të zymta, që e përshkonin si asnjë herë tjetër.

Diku nga pasditja e mori disi veten dhe nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju informon!

Mos u dekurajoni shumë që studentët nuk po e pranojnë as Lulin dhe as Monën që t’i qasen protestës së tyre.

Edhe ajo sajesa me gjoja procedimin dhe pastaj arrestimin e profesor Mond Tupes, që prisnim të ndizte zemërimin e gjithë popullit shqiptar, nuk na funksionoi siç duhet.

Arsyet pse ne zgjodhëm Tupen si viktimë të mundshme të Edi Ramës, ishin dy.

E para, se ai është kunati i Edi Palokës, dhe ne kunatin e kemi tashmë një institucion shumë të rëndësishëm në partinë tone, por i kemi pasur personazhe negative.

Tupja do ishte heroi ynë i parë si kunat personazh pozitiv.

Por më kryesorja është se profesor Tupja është shumë i njohur si seksolog, dhe menduam se shqiptarët si shumë të dhënë pas asaj plaçkës, do ta ndjenin shumë mungesën dhe goditjen e tij, ndaj do të reagonin fort, përveç Qim Pekës, që ka hequr dorë nga erotika, se i vdesin në makinë.

Pë çudinë tone, studentët nuk e vranë shumë mendjen, dhe kjo do të thotë se ata, ose nuk pranojnë kunatin si njeri të rëndësishëm, ose janë impotentë.

Por meqë të dyja partitë simotra të koalicionit tonë kanë të njëjtin vlerësim për familjen, edhe zgjidhjen e të gjitha halleve që na dalin para, aty do ta kërkojmë.

Ndaj iu drejtuam për ndihmë “Komandantit të Përgjithshëm”, i cili na u përgjigj menjëherë.

Ende pa përfunduar seanca e parlamentit, ai ia ktheu mbrapsht buxhetin e shtetit qeverisë së krimit dhe të drogës, sepse Edi Rama nuk kishte pranuar propozimet e gruas së tij për të ndihmuar studentët.

Por gjëja më e padurueshme ishte se Mona nuk është thjesht kryetare e LSI-së, por edhe doktore shkencash, ndërsa kryeministri nuk ka marrë ende asnjë titull shkencor dhe ka guximin t’i kthejë llafin asaj.

Ky akt i lartë guximi dhe trimërie i “Komandantit të Përgjithshëm” i dha një përgjigje të merituar vajzës së Azemit, e cila sërish sot i futi një thikë pas shpine Lulit dhe Doktorit, kur foli në parlament.

I shkrova menjëherë një sms Doktorit, që haram i pastë gjithë ato mitingje që kemi bërë pas vrasjes së tij, ku kemi thirrur të gjithë “Azem, Azem, ti je gjallë”.

Dhe mu kujtua dhejtori i 1996, kur Azemin e përjashtuam nga PD.

Të njëjtin fat duhet të ketë dhe kjo, një njeri pa vlera, që nuk i njeh njeri as kunatin.

I juaji, Jari!”

1 komente në “Jari shpjegon goditjen ndaj Tupes, si luftë ndaj institucionit të Kunatit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje