Jari sot u zgjua me një shije të ëmbël në kokë, sepse kishte nisur të besonte se situata po përmirësohej dukshëm për opozitën, ngaqë qeveria ndodhej nën presionin e studentëve dhe të protestave të tjera.
Pasi piu çajin e mëngjesit fiks në orën e fiqve, nisi të lexojë me nge shtypin e ditës, dhe pastaj i hodhi një sy portaleve.
Por aty nga dreka, befas u nxi në fytyrë dhe nisi të dridhej nga inati.
Një lajm i papritur tek “Panorama” ishte shkaku i tërbimit të Jarit.
Ben Imami kishte sulmuar ashpër Lulin dhe theksonte se nuk do të shkonte në Kongresin e PD, që mbahet nesër.
I mërzitur sa s’bëhet nisi të kontrollojë portalet e tjera, me shpresën se nuk do ta jepnin, por pas pak minutash mori goditjen tjetër.
Kishte reaguar edhe Jozefina, por ajo ishte ku e ku më e egër se Ben Imami.
Dëshpërimi e mbërtheu Jarin dhe u deshën disa orë para se të ulej për të shkruar sa më poshtë vijon:
“Të nderuar demokratë, Jari ju informon.
Harrojini tradhtarët dhe bukëshkalët e Partisë Demokratike, të cilët i kanë futur thikën pas shpine Doktorit, që nga viti 1991 e deri sot.
Armiqtë më të zinj të partisë sonë qenkan Ben Imami dhe Jozefina Topalli.
Me atë që kanë bërë sot, ata e kanë merituar që të përfundojnë me çdo mjet e mënyrë në koshin e historisë së demokracisë sonë.
Sepse, po të mos reagonin ata, askush në Shqipëri nuk do të merrte vesh se nesër do të mbahej Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.
Ndërkohë që Luli së bashku me Doktorin i kishin marrë të gjitha masat që kjo ngjarje e rëndësishme politike të zhvillohej në konspiracion të plotë, edhe pse nën hundën e armikut.
Vetëm disa metra larg zyrës së kreut të Meduzës së krimit dhe drogës në Shqipëri.
Me fjalë të tjera, që mishi të piqej dhe helli të mos digjej.
Që do të thotë se ata do të zgjidhnin kë të donin në Kongres, por kur ta mernin vesh njerëzit, Shqipërinë do ta kishin zënë halle të reja.
Mirëpo këta monstra na i prishën shumë keq planet.
Tani ne jemi të detyruar që të durojmë mediat brenda, të cilat deri më sot nuk kishin asnjë dijeni.
Kjo do ta rrisë koston e aktivitetit dhe nuk di a do të pranojë apo jo kunati i Lulit, i cili nuk punon dot po nuk e gjeti biznesmenin që paguan lekët minimumi një javë para.
Doktori është bërë xhind dhe i ka bërtitur tre herë në telefon Lulit, por ai ditëziu është në siklet për vete dhe nuk ka gisht te kjo histori.
Por nuk ka guxuar t’i kthejë llaf e t’i thotë se e keqja po na vjen pikërisht nga ata që deri dje i kishe marrë ai vetë përsipër, sikur gjoja ishin betuar para tij se mishin do t’ia hanë, por kockën do t’ia ruajnë partisë sonë.
I vetmi ngushëllim deri tani është fakti që Jemini ka dalë garant që kjo situata e rëndë që është krijuar, nuk do të ketë ndikim fare në procesin e numërimit të votave.
Do të jetë njësoj si në Kuvendet e fundit dhe tek lista e deputetëve, ku fituan vetëm ata që donin Luli me Doktorin.
Edhe unë, si ata të dy, kam shumë besim tek Jemini.
Fitorja është çështje ditësh.
I juaji, Jari!”
Jam shumë në merak a u zgjodh përbindëshi i arsimit shqiptar monstra Gramshit Elmaz Hamiti antar se ai është modeli i partisë demokratike