Jari zbulon risinë e Kongresit dhe talentin e Lulit për të vetëlarguar armiqtë

15 Dhjetor 2018, 18:45Antena TEMA

Jari u surprizua nga Kongresi i sotëm i PD.

Në çdo kohë dhe në çdo vend të botës, Kongreset bëhen për të promovuar ardhjet e reja në parti.

Ky Kongres ishte më i veçanti në botë, pasi ishte Kongresi që promovoi largimet në PD.

Dhe pikërisht këtë Jari donte ta sqaronte sot me demokratët:

“Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron.

Do të desha të bëj disa komente rreth Kongresit të sotëm.

E para që dua të them, është se PD nuk e ka suksesin nga ata që i vijnë, por nga ata që i ikin.

Siç e tha dhe Lulzim Basha sot, PD nuk mund të fitojë pushtetin me kufoma.

Të gjithë ata që mendojnë se Luli e ka këtë për Doktorin, gabojnë rënd.

Doktori nuk është kufomë. Kufoma janë ata që largohen nga PD.

Siç e pate, sot rreth 20 kufoma u larguan vetë nga PD, pasi ata e kuptojnë që e ardhmja e tyre nuk është aty.

Dhe pse ndodh kjo?

Kjo ndodh, se në traditën e PD, gjëja më e mirë kanë qenë ata që kanë ikur, dhe më e keqja ata që kanë ardhur.

Ndaj ne vendosëm që këtë Kongres ta dominonim me fenomenin e ikjes, dhe jo me fenomenin e ardhjes.

Dhe gjithçka u bë me vetëdije nga Luli.

Ai futi rreth 20 të dyshimtë në listat e Këshillit Kombëtar, pa i pyetur.

Kështu, ata u kapën të papërgatitur dhe sapo dëgjuan emrin, u dështoi plani i tyre dhe dhanë njëri pas tjetrit dorëheqje.

Sa herë ikte njëri, pyesja Lulin: Çfarë po ndodh?

Dhe ai i qetë, me atë buzëqeshjen karakteristike, thoshte “prit, se ka dhe të tjerë”.

Luli është i vetmi kryetar i PD, që i detyron armiqtë e partisë të iknin vetë.

Doktori u torturua gjithë jetën, i zbonte vetë, i përjashtonte, i përndiqte, i rrihte, i burgoste,  e ata prapë nuk i iknin.

Mbaj mend të ndjerin Azem, e përjashtoi në dhjetor të 96 dhe ai paska thënë, siç thotë Doktori, “Kirin dhe Rudinën i therr, por nga PD nuk iku” .

Dhe ashtu bëri, megjithëse Doktori e përjashtoi.

Këtë gjë Doktori ja kujtoi dhe Rudinës dje, por nuk do të thotë se e kërcënoi.

Thjesht i kujtoi se po tradhtoi PD-në, ai është i obliguar të vërë në vend amanetin e Azemit.

Këtu është diferenca e Lulit me Doktorin.

Doktori i kërcënonte dhe me vdekje dhe nuk i iknin nga PD.

Luli u lutet, i fut pa i pyetur në listë, dhe ata i ikin.

Ky është talenti i tij, është si të thuash risia që ai sjell në PD.

Kjo dukej qartë dhe tek fjalimi i Gridës, e cila me fjalorin e pasur erotik, i përkufizoi të ikurit si ato dashnoret, që kapen në krevatet e burrave të botës.

Dhe si njohëse e shkëlqyer e këtyre praktikave, ajo i ka groposur ata.

Pra, nëse do gjejmë ndonjë fjalë ta përkufizojmë këtë Kongres, mund të themi se ky zbuloi talentin e Lulit se si mund t’i detyrosh rivalë të ikin vetë nga partia.

Mendoj që Doktori nuk duhet të bëhet xheloz dhe duhet të mësojë nga kjo praktikë.

Sa të rrosh, do mësosh, ka thënë populli, dhe nga Luli sot kanë çfarë mësojnë të gjithë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje