Ministri në ikje i Bujqësisë Niko Peleshi ka publikuar rezultatet e punës së AKU për uljen e sasisë së importuar të produktit “vaj palme”.
Në një postim në facebook Peleshi thotë se falë punës së AKU çdo familje shqiptare tani konsumon rreth 2 kg më pak vaj palme që deri para 1 viti përdorej në mënyrë të paligjshme në nënproduktet e qumështit dhe konsumohej pa e ditur.
“Dje publikuam një rezultat kuptimplotë të punës së palodhur për të rritur sigurinë ushqimore në vend – sasia e vajit të palmës të importuar është ulur gjate vitit 2018 me 1187 ton.
E thënë ndryshe çdo familje shqiptare ka konsumuar rreth 2 kg më pak vaj palme që deri para 1 viti përdorej në mënyrë të paligjshme në nënproduktet e qumështit dhe konsumohej pa e ditur.
Eshtë vetëm një prej shumë operacioneve të Autoritetit tonë Kombëtar të Ushqimit që po bën realitet një mision në dukje të pamundur – siguri e lartë ushqimore për konsumatorin shqiptar.
Bashkëpunimin me drejtorin e AKU, Agim Ismaili do ta mbaj mend gjatë.
Një drejtues atipik që duke i kthyer kurrizin përfitimeve të paligjshme që historikisht AKU ka prodhuar, u bë një nga bashkëpuntorët më efektivë të punës sonë.
Kemi ende punë për të sjellë të gjithë drejtuesit në këtë standart integriteti.
Mirënjohje ?”– shkruan Peleshi në facebook. (TemA)