Zija Çela: Kurora e artë mbi varrin e Shuteriqit, është mirënjohja ime e thellë (dhe disa foto të panjohura)

22 Janar 2019, 09:21Kulturë TEMA
Zija Çela: Kurora e artë mbi varrin e Shuteriqit, është

(Profesor i nderuar, unë shpesh u shkoj të vdekurve me lule. Ju lutem të më ndjeni, e mendova ndryshe kurorën Tuaj)

Nga Zija Çela

Tash të gjitha u thanë, e quajtën dhe kolosi i Letrave Shqipe. Në valën e parë të tronditjes, në afshin kur gjaku i kërcëllinte si vaj i djegur, dikush nuk ngurroi të përmendte edhe Çezarin. E Çezar jo, por padyshim që Kaligulë kurrë nuk ka qenë. Mirëpo tash, tash që vdiq, të gjitha u thanë dhe unë nuk vij ta lavdëroj Shuteriqin, por të lavdërohem prej zotërisë së tij, un grand monsieur.

Në gjithë katrahurën e mendimit të sotëm mediatik, me ndonjë përjashtim që meriton vëmendje, shkrimtarët e brezit tim (e filluam krijimtarinë aty nga vitet’70) kanë qëndruar gojëmbyllur, thua askush s’na paska pëlqyer para vitit 1990, se askënd nuk paskemi njohur, rrjedhimisht, jo që të na ketë mbajtur për dore si tutor nëpër rrugët e jetës dhe të krijimtarisë, por të na ketë ndihmuar të ecim vetë. Ndërkohë që çdo avion, dihet, me krahët e tij fluturon, por diku e ka një aerodrom prej ku është nisur. Natyrisht, historinë nuk e vulosin ata që flasin, ky është akt i historianëve, por dëshmitarët ndihmojnë për t’i dhënë objektivitet historisë dhe personazheve të saj, sidomos duke denoncuar çdo shtrembërim imazhi sa herë abuzohet me këmbimin e lenteve, domethënë, sa herë që e kaluara gjykohet spekulueshëm nga e sotmja.

Ndonëse narcizmit i kthej shpinën, me skrupujt ndër dhëmbë, po vihem gjakftohtë përballë një Pasqyre të madhe.

Nuk ishim takuar asnjëherë.

Në shkurt të vitit 1969, pasi kisha mbaruar studimet universitare dhe bëra shërbimin e shkurtuar ushtarak, u emrova në Helshan, një fshat që ndante Kukësin nga Tropoja dhe ku nuk kishte as dritë elektrike. Deri në verë, me dy kandila ndezë (kënga popullore vazhdon: të dy ishin fikë), kisha shkruar librin e parë, e kisha daktilografuar në Shkodër (dhjetë lekë faqja), e kisha çuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, kisha bërë pushimet në Himarë dhe isha kthyer përsëri në Kukës. Kësaj here, nga Helshani më kishin transferuar në shkollën e mesme të Krumës, që atë vit hapej rishtas. Në Has vazhdoja të shkruaja, po mendja më rrinte te libri i parë, asnjë përgjigje. Kisha harruar që në sekretari pata lënë adresën e shtëpisë në Shkodër, rruga Reshit Rusi, nr. 40, dhe në fakt përgjigja pikërisht atje kishte vajtur.

Duke e keqkuptuar, vëllezërit e mblodhën mendjen top, vendosën që ta fshihnin në arkën e nënës pa më dërguar lajm, në mënyrë që të mos mërzitesha, se “boll që isha larg”. Për këtë shkak, nuk ma zunë me gojë as kur erdhi vera tjetër dhe, bashkë me time shoqe, u ktheva sërish për pushime. Por në pjacën e Shkodrës, teksa shëtisja nga Dugajët e Reja deri te Kafja e Madhe, dolën njerëz që sesi po më shihnin, me përshëndesnin ndryshe, me kut tjetër, dhe disa më uruan për tregimet. Kaq mjaftoi që të nesërmen të udhëtoja për Tiranë.

Çfarë kishte ndodhur? Redaktori i librit, Rinush Idrizi, në pritje që të bëhesha diku i gjallë pas përgjigjes, kishte botuar dy apo tre tregime ne gazetën “Drita”, të cilën atje ku jetoja nuk e shihja. Dhe kam një porosi, më thotë, kryetari i Lidhjes ka qejf të të njohë. Në zyrë nuk e gjetëm, e gjetëm në kafe Tirana (atëherë në anë të bulevardit), sipër së cilës kishte edhe banesën. Më tha çfarë më tha, hoqi syzet, fërkoi sytë dhe, me ato tipare të gdhendura, të zmadhuara, të cilat i jepnin vetiu hiret e një sovrani të lindur, më zgjati letër që ta shkruaja aty kërkesën për anëtarsi në Lidhje dhe kërkesën për leje krijuese. Sugjerimit të Rinushit se pas dy-tre muajsh do të dilte libri e mund të prisnim, iu gjegj duke thënë se nuk është gjithmonë e nevojshme që, për të qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, të kesh domosdo edhe libra.

Mendimi i parë që më erdhi: O Zot, nuk paskam qenë i vetëm në vetminë dhe në mërzinë time, ato dy kandilat nuk qenkan fikë!

Pastaj vazhduan marrëdhëniet përsëri në distancë. (Unë hiç, naiv dhe i ndruajtur, asnjë letër a kartolinë falenderimi.) Një ditë, atje në Kukës më troket dera e shtëpisë dhe, sapo e hap, shoh dy miq: Faik Ballancën e Moikom Zeqon, të cilët aso kohe punonin në shtypin letrar të Lidhjes. Përshëndoshemi edhe më thonë: Kemi një porosi për ty: jemi nisur për reportazh në Fierzë, por Kryetari na porositi të vijmë deri në Kukës dhe të të sjellim këtë makinë. Ishte një makinë shkrimi e vogël, Olivetti me valixhe, fringo e re, një alet që në atë kohë, për ëndrrën e një shkrimtari të ri shqiptar, një shkrimtari dyfish të izoluar, t’i hidhte trutë në erë. Më vonë mora vesh se, gjithë-gjithë, dhjetë makina të tilla kishte shpërndarë Lidhja, por Shuteriqi ishte kujtuar që njëra të arrinte tek më i riu.

Pastaj, si më parë, marrëdhëniet vazhduan gjithnjë në distancë (dhe prapë unë, zavalli, prej një zori ta pashpjegueshëm, asnjë letër a kartolinë falendërimi). Natyrisht, lejet krijuese kishin filluar, nisën me tre e shpejt u bënë nëntë muajshe.

Kishte “vinça” atëherë, vinça nepotizmi që e merrnin njeriun dhe e çonin ku të donin dhe e ngrinin sa të donin, njëlloj si sot, madje sot “vinçat” janë shtuar, në daç për pushtet, në daç për nënpunësì, në daç për bujë e lavdi mediatike. Unë vinça nuk kisha, vazhdoja të mbetesha në Kukës, por aq pishman nuk kam qenë. Sidoqoftë, nuk mund të them se nuk e ndieja vetminë. Dhe, në atë farë angështie që nganjëherë më kapte deri në sfilitje, më vjen një ditë një telegram për të marrë pjesë si fitues (e mbaj mend) në ceremoninë e ndarjes së çmimeve: kishte pasur një konkurs letrar (30-vjetori i Çlirimit) dhe kisha një libër me tregime e novela.

Shpallja u bë në Institutin e Lartë të Arteve. Lexohen fituesit, unë kërkund. Duket se çmimi ishte hequr natën ose në çastet e fundit për shkak të novelës “Drita që pikon në pyll”, një histori më vete kjo. Jo, do të duhen të paktën dy rreshta: revista “Nëntori” nuk kishte pranuar ta botonte dhe, kur novela doli brenda librit, po në faqet e revistës u cilësua me “gabime ideore”. Cilësime të tilla nuk ishin shaka, por damkë që mund të të penalizonte, siç u penalizuan disa.

Sesi u mblodhëm pas ndarjes së çmimeve në Bar-Sahati një grup shkrimtarësh, ndër të tjerë Koreshi, Kondo e më duket edhe Koço Kosta, të cilit gjithashtu i kishin rënë vizë në listën e fituesve. Në tavolinë thotë Teodor Laço: “Profesor, thuaji ndonjë fjalë Zijait, është i mërzitur se ia hoqën çmimin dhe kushedi ç’do të mendojnë në Kukës!” Profesor Dhimitri foli pa e ngritur kokën: “Nuk ka nevojë për fjalë, Laço. Ta lexova librin në plazh, – m’u kthye, – dhe më pëlqeu shumë.”

O Zot, thashë prapë me vete, nuk paskam qenë i vetmuar në vetminë time dhe në sfilitjen time! Ato dy kandilat ndezë sikur m’u bënë katër.

Nuk vonoi dhe një të diel, një miku im kukësian që i merrte gazetat drejt e në zyrat e postës, sepse nuk duronte sa t’ia sillnin në shtëpi, më vjen me një “Drita” në dorë e më thotë: Kam një sihariq për ty. Dhe e di nga? Nga Shuteriqi. Kishte botuar një artikull të gjatë për librin dhe dua të them… dua të them se me lavdërimet gjithnjë ashtu më ndodh, i lë të bëjnë rikoshet, por çdo lavdëratë e tij më turbullonte. Dhe turbulancat, më vonë, bëhen gjendje për krijimtari. Pra, mjeshtri kishte filluar të më lexonte qëkur isha njëzet e tre vjeç (e kush i ndiqte me aq vëmendje, sa Shuteriqi, shkrimtarët e rinj!) dhe, kur isha njëzet e tetë, në shkrim guxonte të më quante…

Stop këtu, por ja çfarë më ka pëlqyer veçmas në atë shkrim: as që merreshin parasysh raportet e ngurta qendër – periferi, aureora e personalitetit të tij, ndryshimi i dukshëm i mënyrës së të shkruarit dhe ndryshimi i ndjeshëm i moshës midis nesh, përkundrazi, ngazëllente sinqeriteti i tij emancipues dhe një entuziazëm i hapët që rrallë, rrallë e për mall e gjen tek akademikët. Dhe më duhet të kujtoj se kishte marrë përsipër një libër “allasoj, me hije nga juria e nga shtypi”, dhe më duhet doemos të kujtoj se nuk kishte shumë që, për liberalizëm, e kishin shkarkuar edhe si kryetar i Lidhjes.

Koha rrodhi dhe, pa e pasur kushëri veçse në Letra, doli një “vinç” për mua. Dritëro Agolli më shkuli nga Kukësi dhe më solli në Lidhje (madje aty nga viti ‘83 a ‘84 bëhem kryeredaktor i “Dritës”). Më thotë një ditë Dritëroi: Duhet të bësh gati një fjalë rasti. Për cilin?, pyes. Për Shuteriqin, thotë, Dhimitri ka 70-vjetorin e lindjes. Në krye më erdhi çudi, se i tillë ishte mentaliteti i kohës, na kishin mësuar që ata që ishin para nesh, pra që kishin më shumë moshë, më shumë libra e më shumë emër, atyre u takonin ceremonialet. Dhe e kisha provuar edhe ndryshe, sepse… Sepse ndodhte që ndokush të hynte në zyrë, të më shihte ku isha ulur dhe, për shkak të moshës a ku di pse, prapëseprapë pyeste: “Desha kryeredaktorin, ju lutem, ku është kryeredaktori?”

Dritëroi si Dritëroi, nuk pranoi mëdyshje, por sigurisht që e dinte stimën time për Dhimitër S. Shuteriqin. Aq më tepër që, ndërkohë, tashmë isha takuar disa herë me Profesorin. Kujtoj si shkoja në shtëpinë e tij për t’i marrë ndonjë tregim për revistën apo gazetën. Dhe vonohesha aty. Ulur në kolltuk, me pamjen e tij impozante, por me sytë gjithnjë të lagur si ta ndiqte një përmallim i largët dhe i përjetshëm historik, më lexonte dy, tre apo edhe katër tregime, seancë pas seance, tregime kushtuar figurave të Rilindjes apo bëmëtarëve nga mote më të hershme. Por fjalën e kisha te fjalimi.

Dhe e mbajta në selinë e Lidhjes, në sallën e zbukuruar për mbrëmjen jubilare, mbushur plot me emra në zë, në prani dhe të Foto Çamit, që atëherë besoj se kishte detyrën e sekretarit të KQ të Partisë. Në mos gaboj, e fillova:

“Sa herë që shoqëria ka nevojë të hedhë një hap më tej, në një fushë të caktuar apo në fusha të ndryshme të jetës, ajo bëhet më e vëmendshme ndaj përvojës së pasur të saj. Atëherë bëhen më tërheqës edhe shembujt që janë vlerësuar e meritojnë vërtet të vlerësohen, sepse duke u ndjekur nga të tjerë, çlirohen energji të reja. Në fushën e artit, të shkencës dhe kulturës, Shuteriqi është një shembull që flet. Në Bota e Re, qershor 1936, ju profesor jeni shprehur:

‘Në daçim të punojmë me tërë vullnetin tonë për kombin, puna jonë e zjarrtë do të na mbajë të rinj edhe në pleqëri.’ Pleqëria tani ju ka ardhur, urdhëri i moshës s’na lejon të flasim ndryshe. Por, në thelb, në përvjetorin tuaj është prapëseprapë rinia ajo që na mblodhi, rinia e mendimit dhe e fjalës së bukur që buron nga vepra juaj e gjatë letrare e shkencore.

Tani, pas tetëmbëdhjetë vjetësh, mbërrin lajmi i vdekjes. Natyrisht që nuk pata rastin të mbaja fjalim ndanë varrit, por mendimi m’u kthye shpejt te modeli që shfaqin personalitetet. E po ta mbaja fjalimin, do të isha tepër lakonik, do të përmendja patjetër modelin e tij, do ta thoja troç dhe në invers, duke huazuar, atë kumtimin e njohur se nuk vij ta varros, por ta lavdëroj Shuteriqin, dhe do ta mbyllja kështu: Në jetë të jetëve qoftë e bekuar mirënjohja, amen!

Por do të mbeteshin shumë pengje. Për shembull: Shuteriqi bëri për kulturën shqiptare, mirëpo sa bëmë ne për Shuteriqin? I dhamë ofiqe, tituj, medalje, pastaj e përlyem, e çapërlyem në media edhe pas dy goditjeve në zemër, e lamë vetëm në pleqërinë e thellë, pa u gjetur qeveri dhe pa u gjetur njeri që të nxirrte dy kacidhe nga xhepi për t’ia botuar librat në dorëshkrim, librat që i kishte të gatshëm dhe për të cilët bënte thirrje publike se do t’ia kishte fort ënda t’i shihte të botuar në të gjallë të tij.

Nëse ka breza që gabuan duke iu përkushtuar një ideali të rrejshëm, ne po gabojmë duke u zhveshur nga çdo idealizëm dhe duke iu nënshtruar një materializmi vulgar. Në jetë të jetëve qoftë e mallkuar verbëria e mizorisë dhe mëkati i hipokrizisë. Amen!

(Ky shkrim është përgatitur në korrikun e vitit 2003 kur ndërroi jetë shkrimtari dhe akademiku i shquar, Dhimitër Shuteriqi dhe botohet me lejen e dëshirën e autorit, shkrimtarit Zija Çela)

4 komente në “Zija Çela: Kurora e artë mbi varrin e Shuteriqit, është mirënjohja ime e thellë (dhe disa foto të panjohura)”

  1. BOHOTINA says:

    Bukur mire. Te ka folur zemra dhe jo buzet dhe aq me keq xhepi, siç shohim rendom sot. Bravo Zija Çela. Bonoparti thoshte: “Une mund te kem tere te metat e botes, por mosmirenjohes nuk jam!”. Ju jeni mirenjohes. Vyrtyt shume i bukur.

  2. IP says:

    Falemnderit qe keni botuar kete artikull. Falemnderit zotit Zija Cela per sinqeritetin, vertetesine, mirenjohjen qe shpreh. Mbi te gjitha falemderit zotit Profesor Shuteriqi per tregimet e mrekullueshme dhe studimet e tij per “Historine e letersise shqipe’ nga e cila breza te tere mesuan dhe u formuan me vlerat e n je pune tepalodhur prej studiuesi dhe njeriu te madh. jam mirenjohes per jete

  3. Spinoza says:

    Shuteriqi dhe Spase kane qene intelektual te mirrefillte

  4. Llazar says:

    Zija Cela,mirenjohja eshte fisnikeri , kulture dhe trimeri . Te tria keto i keni manifestuar ne gjithe krijimtarine tuaj. Ky eshte nje shembull tjeter,jo i talentit por ifisnikrise tuaj te larte Urime!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje