PD-së mund t’i besohet po të zhbëjë 2008-n

1 Shkurt 2019, 09:19Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Për çdo ditë, Partia Demokratike, po mundohet të shfrytëzojë çfarëdo elementi për t’i dhënë fund qeverisjes së lodhur të PS-së. Nga ato që referohen dhe provohen, duket se qeverisja e Edi Ramës është shumë problematike. Argumentet e dobëta që përdorin njerëzit e tij më shumë po e fundosin dhe po tregojnë se mandati i dytë i PS-së është lindur i dështuar, që në krye të rikonfirmimit të dytë.

PD-ja, sikur të mos ketë bërë të njëjta gabime, ka mundur të harrojë të gjithë handikapet dhe gabimet e shkuara, ndërsa tani po shfaqet dhe po pretendon se është parti e shpresës së shqiptarëve. Por, pikërisht këtu, Garda e pakët e vjetër e mbetur e saj dhe të rinjtë po harrojnë një gjë të madhe: Partia Demokratike nuk ka bërë Mea Culpën për atë qeverisje të dobët dhe sjellje gati armike për shumë kohë me popullin e vet. Një gjë, që në një mënyrë apo tjetër po e përsërit PS-ja që ka mohuar dukshëm të varfrit, fashën e saj, që ia dikton ideologjia.

A mund të ketë shpresë për PD-në? Është vetëm një shpresë dhe ajo lidhet me vitin e largët 2008, kur pushtetari i racës Sali Berisha shtrëngoi duart me kryetarin atëherë karizmatik të PS-së, Edi Rama. Për një moment, ata harruan baltosjen natyrale ndaj njëri-tjetrit dhe treguan fytyrën e vërtetë  të politikës shqiptare: Kulisat mbi parimin. Qysh atëherë, kryetarët e PD-së dhe PS-së janë sovranë në partitë e tyre dhe mbi jetën e vendit, kurse pushteti i partive të vogla është nul. Kryetarët e partive të mëdha përcaktojnë gjithçka se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë deputet, por ndërkohë vendosin për gjithçka, duke e bërë të pamundur çdo përpjekje alternative.

Pas zgjedhjeve të vitit 2015 u diskutua për një kompromis të ri, por megjithë variantet kjo nuk u arrit, paçka se u fol deri në një koalicion të gjerë PS dhe PD që do çonte drejt kryerjes së një reforme zgjedhore. Gjithsesi, në fund, mbrëmjen e 17 majit 2017, sikur të mos kishte ndodhur asgjë Edi Rama për PS dhe Lulzim Basha për PD, realizuan një marrëveshje të re, por që në fakt, tregoi thjesht se ndihu për të dalë nga qorrsokaku liderin e Opozitës Lulzim Basha dhe u dha dërrmën partive të vogla.

Në fakt, ajo që po kërkohet shpesh direkt dhe indirekt është që të dy partitë kryesore të bëjnë zgjidhjen e marrëveshjes të vitit 2008 dhe t’i japin fund listave të mbyllura, ku votohet me sy mbyllur për njerëz deridiku anonimë. Për fat të keq, megjithë premtimet, në asnjë nga kampet kryesore politike nuk ka as edhe përpjekjen më të vogël për ta zhbërë. Pikërisht, atë që është Thembra e Akilit e parlamentit tonë dhe që e ka bërë Kuvendin e Shqiptarëve, një nga institucionet më pavlerë të historisë së parlamentarizmit shqiptar. Nëse PD-ja do e propozonte zhbërjen e marrëveshjes së 2008, në valën e këtyre pakënaqësive të arsyeshme ndaj pushtetit të PS-së, do të ishte një tregues real se ajo vërtetë po ndahet me të shkuarën. Pikërisht atë që e bën të njëllojtë me PS-në e sotme për të ngjallur shpresë. (Javanews)

2 komente në “PD-së mund t’i besohet po të zhbëjë 2008-n”

  1. serioze says:

    Une , megjithese nuk me pyet njeri dhe mund te jeme kundra shumices qe duket ketu, jam dakort me nje pjese te asaj qe u be ne 2008-en. Po e spjegoj pse shkurt: Nuk e ka Shqiperia mundesine te mbaje ne kurriz mbi 70 apo 100 kerpudha partie ne emer te pluralizmit. Ju qe e doni Amerike; shikoni sa parti ka. Dhe ju qe po e kritikoni vazhdimisht eliminimin e partive te vogla: shikoni çfare ka ndodhur nga 2005 deri ne 2017: nje parti e vogel qe pavaresisht se fitonte 4 deputete, qeveriste Shqiperine dhe mbante frenat e asaj qe mbeshtetej nga mazhoranca duke e bere qeverisjen ate qe s’po e nxjerrin dot me korrupsionin qe po ulurini te gjithe. Amerikka udheheq me dy parti, Kina udheheq me nje parti dhe shikoni çfare ecjesh ekonomike kane, se ne fund ky eshte fruti qe kerkojme. Ketu ka rendesi pergjegjesia per vendin dhe detyren qe te ngarkon populli, por rruga e shtruar nga Sali Berisha qe ne 1992-shin, e ka bere kete pune shume çorbe korrupsioni e tradhetie. Mund te krijohet ndonje parti e re, por me sa shikoj kerkojne edhe ato qe te behen protogoniste sa te marrin pushtet dhe pasta te bejne varrin. Njerezit duhet te hapin syte dhe s’kane pse votojne asnje parti tjeter sepse taraflleqen e kane shpure vendin ne gremine..Drejtesia duhet te vihet ne binare.

  2. adeci says:

    Analist me te lodhur se ky zor se gjen askund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje