Arsene Wenger pranë rikthimit, ja ku pritet ta shohim francezin e njohur

20 Shkurt 2019, 14:10Sport TEMA

Arsene Wenger u takua me presidentin e PSG, Nasser al-Khelaifi, në një turne tenisi të mbajtur në Doha, javën e kaluar.

Ky takim vjen mes pretendimeve se kampionët francezë janë të pakënaqur me drejtorin sportiv, Antero Henrique, sipas “L’Equipe”. Wenger është larg fushave të blerta që kur i dha fund eksperiencës unike 22-vjeçare në krye të Arsenalit, në maj të vitit të kaluar.

Më parë, këtë muaj, u raportua se Wenger po shikonte mundësinë e menaxhimit të një klubi të ri. Dhe angazhimi i tij i ardhshëm mund të vijë në formën e drejtorit sportiv në Paris.

PSG besohet të jetë zhgënjyer nga Henrique, i cili nuk arriti të blejë Frenkie de Jong përpara Barcelonës, muajin e kaluar. Ai u emërua në rolin e drejtorit sportiv të parizienëve në qershor 2017, por nuk pritet t’i mbushë dy vite në “Parc des Princes”.

Në fakt, më herët, ishte presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, që e këshilloi PSG për ta zëvendësuar drejtorin sportiv Antero Henrique, pasi kampionët e Bundesligës kritikuan negociatat e klubit parizien me Jerome Boateng. Gjigandët e Ligue 1 u përpoqën të nënshkruajnë me mbrojtësin ndërkombëtar të Gjermanisë, por një marrëveshje nuk u materializua dot para afatit përmbyllës të merkatos.

Ndjekja e PSG-së, e udhëhequr nga Henrique, ka lënë shije të hidhur te Hoeness, i cili ishte i ashpër me drejtorin sportiv të klubit francez. “Unë do ta këshilloja PSG që ta zëvendësojë drejtorin e vet sportiv. Ky njeri nuk është një figurë e madhe për klubin, – tha Hoeness për “Kicker”. – PSG nuk mund të lejojë që të ketë një drejtues të tillë sportiv, nëse do të jetë një nga klubet më të mira në botë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje