Taqi Ramën, Raqi Bashën

6 Mars 2019, 10:58Blog TEMA

Nga Edi Oga

Dhimitraqi dhe Sotiraqi janë pensionistë dhe rrinë tërë ditën bashkë. Kanë punuar të dy në minierë. Taqi ishte sekretar partie, kurse Raqin nuk e bënë se kishte biografi të keqe. Kur erdhi demokracia, Taqi u bë socialist, kurse Raqi demokrat. Taqi ka votuar gjithmonë për Nanon dhe Ramën, kurse Raqi për Berishën dhe Bashën.

Sot Taqi bën be për kokën e Edi Ramës!

Sot Raqi bën be për kokën e Lulzim Bashës!

Lexojnë çdo gazetë dhe zihen gjithë kohën. Kur bëjnë debat me njëri-tjetrin, Taqi i thotë Raqit se Rama është i zgjuar, trim dhe mendon për hallet e popullit, kurse për Bashën thotë se është një gënjeshtar dhe i pabesë, një person i katapultuar në politikë dhe me karrierë të dyshimtë, me pasuri të vënë në rrethana të fshehta dhe të vendosura jashtë vendit, përgjegjës për abuzime me fondet e rrugës së Kombit, fajtor direkt për 21 Janarin, abuzues me fondet e Bashkisë kur ishte kryetar, përdorim të Partisë Demokratike për interesa familjare biznesi, eleminim të personave me peshë në Parti…!

Kur i vjen rradha Raqit, ai i thotë Taqit se Basha është i zgjuar, trim dhe mendon për hallet e popullit, kurse për Ramën thotë se është një njeri me çrregullime mendore dhe me vese, një njeri që keqtrajton gratë, që u mbështet nga kriminelë për të ardhur në pushtet, që mbushi vendin me kanabis dhe lejoi që me paratë e pista të ndërtohen kulla dhe të blihen vota, që ka kapur drejtësinë dhe ka favorizuar një grup oligarkësh që i pasuron dhe pasurohet, që mashtron ditë e natë për suksese ndërkohë që populli varfërohet. Një delirant që pretendon të bëhet president i Shqipërisë së Madhe pasi rrethanat historike të sjellin bashkimin e trojeve shqiptare…!

Ajo që më bën përshtypje kur ata bëjnë debat, është pse dreqin të dy thonë të njejtat fjalë të mira për liderin që mbështesin, që është i zgjuar, trim dhe mendon për hallet e popullit?!

Luajnë domino gjithë ditën dhe zihen e grihen. Shahen, gërthasin dhe ulërasin. Taqi shan Bashën, Raqi shan Ramën. Kur lodhen së shari, e mbyllin me lëvdime:

Taqi lëvdon Ramën; është i zgjuar, trim dhe mendon për hallet e popullit!

Raqi lëvdon Bashën; është i zgjuar, trim dhe mendon për hallet e popullit!

Çdo datë trembëdhjetë shkojnë bashkë në postë të tërheqin pensionin. E kanë njësoj. Njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë lekë. Të vjetra. Në muaj.(Newsbomb.al)

4 komente në “Taqi Ramën, Raqi Bashën”

  1. Pajdhany says:

    Debilizem masiv

  2. Qinan Qirinxhi says:

    Taqi Bashen
    Taqi Salen
    Taqi Shkelzenen
    Taqi Griden
    Taqi Kaqin

  3. AQIFI says:

    ME MIRE DO ISHTE TA QI DHE RA QI ..! KESHTU DO DILTE KUPTIMI ME I PLOTE , POR PERSERI PAS TYRE “KRUHENI “..!

  4. Askushi says:

    O Dh-oga Edi, n’vend të Raqi-t, duhej t’kishe vënë Maqi-n (Mamaqin), po hajt mo; Gëzuar Baftjar!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje