Dënimi i Kamzës, sulmuesi Martinena: FSHF të rishikojë vendimin, ose të na lejojë të luajmë me ekipe të tjera!

9 Mars 2019, 14:34Sport TEMA

Sulmuesi argjentinas në një prononcim për TemA, flet dhe për dënimin e Disiplinës dhe dhunën ndaj arbitrit Hamiti.

Nga Fatjon Baze

Komisioni i Disiplinës mori një vendim me dorë të hekurt për incidentin që ndodhi në takimin e javës së shkuar mes Kamzës dhe Laçit. Në përfundim të takimit ndodhi një incident mjaft i shëmtuar ku disa tifozë si dhe drejtuesit e klubit të Kamzës dhunuan arbitrin, Eldorjan Hamti, pasi akordoi një 11 metërsh në favor të kurbinasve.

Një skenë që tronditi opinionin publik, ku dhe Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit mori një vendim duke e përjashtuar Kamzën nga ky edicion i Kategorisë Superiore duke e zbritur në Kategorinë e dytë. Ndërkohë që çdo skuadër që në kalendar kishte në program ndeshjet me ekipin nga rrethinat e kryeqytetit do të marrë fitoren në tavolinë.

Një vendim ku pasojat më të rëndë bien edhe mbi lojtarët të cilët tashmë mbeten katër rrugëve, pasi sipas rregullores çdo futbollist i Kamzës i lind e drejta për të zgjidhur kontratën në mënyrë të njëanshme me klubin, por ajo që i penalizon është rregullorja e Federatës Shqiptare të Futbollit e cila nuk i lejon që ata të aktivizohen në këtë pjesë të mbetur të kampionatit në futbollin shqiptar.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën TemA, sulmuesi argjentinas Nestor Martinena e konsideroi si të tepërt vendimin e Disiplinës, ndërsa i bëri një thirrje FSHF-së që të rishkojë këtë vendim ose tu krijojë një mundësi për lojtarët që të luajnë në ekip tjetër.

“Për mua ky vendim ishte i tepruar sepse na lë pa punë 3 muaj dhe është një situatë shumë e vështirë për ne. Unë shpresoj që Federata të rishqyrtojë edhe njëherë këtë dënimin ose të lejojë hapjen e merkatos në mënyrë që dikush të mund të punësojë lojtarët e Kamzës”, tha fillimisht bomberi argjentinas.

Ndërkohë, sa i përket arsyeve të dhunës që ndodhi kundër arbitrit Hamiti, Martinena tha se nuk i takon të flasë pasi për atë ngjarje janë shprehur kolegët e tij dhe drejtuesit e klubit.

“Sa i përket arbitrit, nuk dua të flas për të, sepse kolegët dhe udhëheqësit e klubit tashmë janë shprehur në lidhje me atë ngjarje dhe nuk mund të shtoj më shumë”, deklaroi për Gazetën TemA, Nestor Martinena.

Ndërkohë, edhe trajneri i Kamzës Gentian Stojku, tha për TemA se ishte e pamundur që të vazhdonte më në drejtimin në këtë kushte ku ndodhet klubi. (TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje