Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku në një intervistë për “Vizion Plus” tha se federata do të paraqesë kërkesat e tyre në mbledhjen e programuar për ditën e hënë. Ideja e tyre është e qartë: Policia duhet të jetë në stadiume sepse e ka për detyrë të ruaje rendin publik.
Polemikat FSHF-Policia e Shtetit – “Nuk do të thosha që është presion, është diçka që e kemi kërkuar që javën e parë të kampionatit, nuk është diçka që po e kërkojmë sot. Ju keni edhe pamjet filmike, ku në ndeshjen e parë të kampionatit mes Skënderbeut dhe Partizanit ka pasur trazira. Policia nuk ishte e pranishme në stadium dhe ndërhyrja me vonesë solli ato pasoja, ku tifozët invaduan fushën dhe filluan të godasin njëri-tjetrin. Që atë ditë në një konferencë shtypi ne kemi kërkuar që Policia e Shtetit të rikthehet në stadium. Pas asaj dite ka pasur edhe disa raste të tjera të kësaj natyre, kurse rasti i fundit i vuri vulën.
Presion? – Nuk mendoj se po bëhet presion, por po kërkohet një e drejtë. Edhe në ligj, e thënë më shkoqur, ligji është interpretuar në mënyra të ndryshme. Juristët tanë kanë zbërthyer ligjin dhe thonë se është detyrë e Policisë së Shtetit që të garantojë rendin në aktivitet sportive, gjë të cilën policia nga ditën e parë të kampionatit e deri më sot nuk e ka bërë”.
Ana juridike – “E thashë që ka qenë çështje interpretimi i ligjit. Neni 51.1 e thotë qartë që ruajtja e rendit dhe qetësisë në ambientet Sportive është detyrë e Policisë së Shtetit. Ka disa pika poshtë, ku ne themi që është pika e parë, Policia thotë të tjerat.
Mbledhja e së hënës – Megjithatë është një çështje e shkuar, pasi të gjitha do sheshohen ditën e hënë në mbledhjen që do të zhvillohet. Do ketë përfaqësues të shtetit, duke nisur nga kryeministri, presidenti i FSHF-së, përfaqësues të klubeve dhe kështu me radhë. Aty do japim opsionet tona, ato çfarë kërkojmë ne nga qeveria dhe nga policia”.