Jari shpjegon pse u bind Luli të shkonte në Prokurori

25 Mars 2019, 20:32Antena TEMA

Pas shkuarjes së sotme të Lulit në Prokurori, Jari vendosi të qetësojë demokratët pse Luli ndryshoi qëndrim, dhe ku është e mira e kësaj pune:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

E di që shumë prej jush jeni tronditur kur patë Lulin që shkoi herët në Prokurori.

Pas gëzimit që patëm ditën e enjte, kur ai refuzoi të shkonte, dhe as denjoi të çonte Gaz Bardhin, por u çoi një letër, sot ne kemi përsëri arsye të gëzohemi dhe të krenohemi.

Luli nuk mund të shkonte në Prokurori pa u konsultuar me presidentin Trump.

Meqë presidenti ka pas qenë i zënë të mërkurë në mbasdite, Luli vendosi ta shtynte shkuarjen.

Këtë fundjave Luli kontaktoi me presidentin dhe ai i tregoi për përfundimet e hetimit amerikan ndaj tij, ku u provua se presidenti Trump, nuk është i përfshirë në ndërhyrjet ruse në zgjedhje, pamvarësisht se çfarë ka bërë stafi i tij.

Kjo ka shumë rëndësi për Lulin.

Presidenti e inkurajoi që dhe ky t’u nënshtrohet hetimeve, pasi në fund të fundit, firmat i ka vënë stafi i tij, dhe jo ky.

Ndaj Luli vendosi që sot të nisej për në Prokurori.

Aty i vunë para letrat e adhura nga Amerika dhe Skocia.

Luli i pa, tentoi të bënte disa veprime, pastaj e la letrën.

-Siç e dini, tha, unë s’marr vesh shumë nga llogaritë, pasi e keni parë që 7×7 i kam nxjerrë 42.

Dhe këto mund t’i kem ngatërruar, por për këto pyesni Ristanin dhe këtë llogaritarin.

Unë di që kam një marrëveshje me lobistin tim në SHBA.

Ai më kërkon para, una ja nis. Se si shkojnë, se kush paguan e sa janë, nuk është puna ime.

Këtu prokurori kishte mbetur pa fjalë, se nuk kishte çfarë t’i thoshte

-Dakord, i tha, rëndësi ka ta pranosh që këto pagesa janë të PD-së, se i gjejnë amerikanët sa janë.

-Kështu kanë dash t’ia bëjnë dhe presidentit Trump ata të FBI, por dështuan me turp, i tha Luli.

Por ashtu si presidenti Trump, dhe unë do dal më i fortë nga kjo betejë.

Ndaj të nderuar demokratë, kjo ishte arsyeja që ai sot shkoi në Prokurori.

Përfundimet  e hetimeve ruse ndaj Trumpit, i japin fund çdo frike se Lulin do ta dënojnë në SHBA.

Maksimumi do dënohet stafi  tij.

Edhe ajo ambasadorja e re që ishte armike e Trumpit e donte të emërohej në Shqipëri, e hëngri kokën, pasi Luli nuk i kurseu paratë.

Dhe presidenti Trump i është mirënjohës që i zbuloi një armike në radhët e qeverisë së tij.

Ndaj sot ja vlen të festojmë, se kemi marrë garancitë e fitores.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje