Në Shqipëri, në vitin 2018 kanë humbur jetën nga vrasjet e qëllimshme 68 persona.
Numri ishte më i lartë sesa autorët e vrasjeve me dashje, që ishin gjithsej 60, për shkak se një person mund të ketë shkaktuar më shumë se një viktimë, siç ishte rasti i masakrës së Selenicës që vrau 8 të afërm në verë të vitit të kaluar.
Nga 68 viktima 53 ishin burra dhe 15 ishin femra, sipas të dhënave që janë publikuar nga Instituti i Statistikave.
INSTAT i raporton të dhënat e detajuara, për numrin e të dëmtuarve sipas veprave penale dhe gjinisë, që nga viti 2015.
Nga të dhënat rezulton se numri më i lartë i viktimave nga vrasjet ishte në vitin 2016, me 99 të tillë, nga të cilët 82 ishin meshkuj.
Kjo periudhë përkon me masivizimin e kultivimit të kanabisit në vend.
Një tjetër tabelë e INSTAT nxjerr në pah se në 2016-ën kemi dhe numrin më të lartë të krimeve në fushën e drogës, me rreth 3,200 të tilla, nga rreth 2,000 që ishte mesatarja e viteve të tjera.
Edhe 2019-a nuk ka nisur mbarë, ku vetëm javën e kaluar u shënuan katër vrasje në vend.
Deri në fund të vitit 2017, në vend kishte 992 të burgosur për vrasje.
Ndërsa numri i të burgosurve për krimet e drogës, në 2017-ën ishte rreth 1600, gati 30% të totalit të të burgosurve në vend.
Në raport me popullsinë, në 2018-n, Shqipëria rezulton me rreth 2.5 vrasje për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të Zyrës Kundër Drogave dhe Krimeve të Kombeve të Bashkuara (UNODC), që i referohen vitit 2016, në rajon, Shqipëria është e dyta për nga numri më i lartë i vrasjeve në raport me popullsinë.
I pari është Mali i Zi (4.34), më pas vjen Shqipëria, pastaj Kosova (1.6) Maqedonia (1.59), Serbia (1.39), Bosnja (1.28).
Në Evropë vrasjet më të mëdha shënohen në ish vendet e Bashkimit Sovjetik, Rusia (10.8 vrasje për 100 mijë banorë), Ukrania (6.3), Turqi (4.3).
Në vendet e Evropës Perëndimore, ky tregues luhatet në rreth 1 vrasje për 100 mijë banorë.
Shtetet ku ndodhin më pak vrasje janë Sllovenia, Islanda dhe Norvegjia.
Në botë, rekord për vrasjet e qëllimshme mbajnë shtete si Venezuela (56.5), Brazili (29.5), Kolumbia, me 25.5 vrasje për 100 mijë banorë, Meksika (19.3) etj.
Dy të fundit që njihen për kartelet e fuqishme në fushën e drogës.