Dalja e lajmit se djali i tij kishte hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare, e kishte tërbuar fare Jarin.
Mbrëmë ishte aq keq, sa nuk i vajti në mendje as të kontrollonte Facebook-un e Doktorit për të parë ndonjë postim të ri, për të kuptuar se çfarë po ndodh, gjë që nuk i kishte bërë vaki kurrë në të shkuarën.
Por në mëngjes e mblodhi disi veten dhe ndjeu detyrimin e përditshëm për t’iu drejtuar demokratëve, duke shkruar si më poshtë:
“Të dashur miq, Jari ju sqaron!
Ajo që keni lexuar mbrëmë për djalin tim të vetëm nuk është ashtu siç duket, por më e thellë se kaq.
Dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi shumë shpejt armiku më i egër i kombit shqiptar, Edi Rama.
Arsyeja pse djali im hoqi dorë nga nënshtetësia shqiptare, nuk është se ai nuk e do Shqipërinë.
Ne e morëm atë vendim si familje, kur u hap llafi që Doktorit dhe njerëzve të tij i kanë pezulluar vizën në Uashington, dhe këtë e ka bërë vetëm Edi Rama si hakmarrës primitiv që është.
Sepse ne ishim të sigurt se pas Doktorit do t’i vinte radha familjes sonë për t’i hequr vizën, ngaqë Lulit nuk kanë çfarë t’i pezullojnë më.
Ai i ka dalë të keqes përpara, duke i pasur si gruan, ashtu edhe vajzat, shtetase holandeze.
Ndërsa për vete, edhe po i dhanë vizë të përjetshme, ai nuk shkel në Amerikë gjallë, se ka ato hallet e 650 mijë dollarëve të padeklaruara.
Të ndodhur në këto kushte dhe të ndihmuar nga miqtë tanë të vyer në Vienë, njërin prej të cilëve e njohin të gjithë shqiptarët, Akiun e picave, sepse ka merituar dekoratën e lartë “Urdhërin e Skënderbeut” para disa vjetësh, ne vendosëm që djali të marrë nënshtetësi austriake dhe të heqë dorë nga pasaporta shqiptare.
Dhe tani që ky operacion u krye, djalit tim nuk ia ndalojnë më dot të shkojë në Amerikë, siç vepruan qarqet antishqiptare të blera me paratë e krimit dhe të drogës së Edi Ramës, me Zenin, me Gitën, dhe me Abin.
Dhe e gjitha kjo, falë sakrificës sublime që ka bërë Doktori, i cili në këtë rast ka flijuar veten dhe familjen e tij për të na shpëtuar ne të tjerëve nga bllokimi i paligjshëm i vizës amerikane.
Ndaj edhe betohemi të gjithë se sot e brez pas brez, mirënjohja jonë për të do të jetë e pakufishme.
Por dëshiroj t’ju informoj gjithashtu se pasi i çuam letrat tek “Komandanti i Përgjithshëm”, ai na e bëri në kohë rekord dhe unë gjej rastin që t’i shpreh atij falenderimet më të sinqerta edhe në emrin tuaj.
Të njëtën gjë duhet të bëj çdo democrat, për të qenë të përgatitur të përballojmë rrethimin anglo amerikan.
I juaji, Jari!”
undefined