Në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës, komediani Volodimir Zelenskiy dhe presidenti i tanishëm Petro Poroshenko kryesojnë garën, pas numërimit të mbi gjysmës së fletëve të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Zelenskiy, aktor komik që luan rolin e presidentit në një seri komike televizive, doli në vendin e parë me mbi 30 përqind të votave, ndërsa zoti Poroshenko i dyti.
“Njerëzit janë para së gjithash për mua, ata janë më të rëndësishëm sesa aktiviteti dhe ambiciet politike. Ukrainasit po na prisnin,” tha zoti Zelenskiy
Zoti Poroshenko, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2014, doli në vendin e dytë me rreth 17 përqind.
Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko ishte në vendin e tretë me 13 përqind të votave.
Nëse rezultatet mbeten dhe asnjë kandidat nuk fiton shumicën, më 21 prill do të mbahet një balotazh mes dy kandidatëve kryesorë.
Volodimir Zelenskiy është i ri në politikë dhe është kritikuar se nuk ka dhënë shumë detaje mbi politikat e tij të ardhshme nëse zgjidhet.
Nga ana e tij, zoti Poroshenko është akuzuar nga kundërshtarët se ka autorizuar skema për blerje votash. Miratimi i tij nga publiku pësoi rënie për shkak të vështirësive ekonomike në vend. Fushata e tij përfshinte premtimin për të rimarrë kontrollin e Krimesë pas aneksimit të saj nga Rusia në vitin 2014.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të hënën se “asnjë shkelje sistematike” nuk u regjistrua gjatë zgjedhjeve me gjithë akuzat për blerje votash në shkallë të gjerë.