Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, ka zbuluar për “Corriere dello Sport” formacionin ideal të tij, duke u fokusuar te të gjithë lojtarët që ka stërvitur në karrierë. Moduli i këtij formacioni është 4-3-3.
Sa për lojtarët, ai ka shtuar një emër shtesë në 11-shen ideale, që do ta llogariste nëse do ta ndryshonte vendosjen taktike në fushë.
Italiani nuk dyshon se kush do ta mbrojë portën dhe ky është Gianluigi Buffon, i cili ka bërë “gardianin” bardhezi për 17 vite më radhë. Ai koinçidoi me trajnerin Capello gjatë dy sezoneve te Juventusi. Sa për lojtarët që do të luanin në mbrojtje, gjejmë emra historikë.
Cafu dhe Roberto Carlos, do të luanin nga e djathta në të majtë, respektivisht, ndërsa në qendër Paolo Maldini me Franco Baresi. Këta dy të fundit i ka drejtuar te Milani. Capello ishte trajner i Cafú te Roma, ndërsa Roberto Carlos e ka pasur “nën armë” te Real Madridi, në sezonin 1996-1997.
Në mesfushë, në “kullën e regjisë”, Capello do të vendoste Fernando Redondo. Argjentinasi do të ishte përgjegjës për organizimin e lojës, ndërsa Dejan Saviçeviç në krahun e majtë. Legjendën spanjolle, Raul Gonzalez, të cilin e ka drejtuar te Real Madridi, do ta aktivizonte në të djathtë.
Së fundi, Capello “vë bast” për një sulm të pamëshirshëm, që përbëhet nga Ruud Gullit, Marco Van Basten dhe Ronaldo Nazário. Dy holandezët, Gullit dhe Van Basten, i ka drejtuar te Milani, ashtu si Baresin dhe Maldini. Me “Fenomenin” brazilian, rrugët e trajnerit të njohur italian u kryqëzuan te Real Madridi, gjatë sezonit 2006-2007.
Në funksion të top-formacionit të tij me lojtarët që ka drejtuar, Capello do të preferonte edhe Francesco Totti. Kapiteni i përjetshëm i Romës do të angazhohej në rast të ndryshimit të modulit nga 4-3-3 në 4-4-2.
Kujtojmë se karriera e tij e gjatë si trajner klubesh e Fabio Capello përfshin ekipe të njohura, si Milan, Roma, Real Madrid dhe Juventusi.
Klubi ku pati më shumë suksese ishte Milani, me të cilin fitoi një total prej 4 titujsh të Serie A, 1 Superkupë Europiane, 3 Superkupa Italie dhe një Ligë Kampionësh.