Moise Kin është sensacioni i momentit në Itali. Sulmuesi i Juventusit ka shfrytëzuar çdo minutë të dhuruar nga trajneri Masimiliano Alegri.
19-vjeçari ka shënuar sa herë është thirrur në apel, teksa golat e tij nuk kanë rezultuar asnjëherë për statistikë, por kanë qenë vendimtar për skuadrën.
4 ndeshje dhe 5 gola ka regjistruar Kin në ndeshjet e fundit, pa llogaritur edhe dy golat e shënuar me Kombëtaren e Italisë. Cilësitë e djaloshit janë të konfirmuara dhe tashmë, sulmuesi ka nga pas gjithë vëmendjen e klubeve të mëdha europiane, ndërsa Juventus ka në dorë xhevahirin e radhës.
Duke parë ecurinë e Kin dhe interesimin e klubeve, “Zonja e Vjetër”, ka nisur të mendojë për rinovimin e kontratës. Ajo aktualja përfundon në vitin 2020, teksa propozimi i drejtuesve bardhezi është ta shtyjnë deri në 2024. Kontratë nga e cila Kin do të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagesës, pasi italiani për momentin përfiton 850 mijë euro, ndërsa pas rinovimit do të arkëtojë afërsisht 3 milionë euro në sezon.
Një pagë që konsiderohet e lartë për një futbollist 19-vjeçar, por me të dhënat e Kin, Juventusi nuk do të kërkojë ta humbasë për asnjë arsye, duke ditur që menaxheri i lojtarit është Mino Raiola, i cili njihet për lëvizjet e shpeshta të klientëve të tij.