“Fiks Fare”: Si qendron e vërteta e përplasjes Bashki-UBT për ndërtimin e gjimnazit në Kodër Kamëz

11 Prill 2019, 10:09Sociale TEMA

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës tentativat e një grupi të vogël pedagogësh dhe studentësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës për të penguar ndërtimin e një gjimnazi në Kodër Kamëz.

Prona është e regjistruar në Hipotekë nga Bashkia e Tiranës, por prej disa ditësh, UBT kundërshton ndërtimin e kësaj shkolle, me arsyetimin se ka një projekt për ndërtimin e disa godinave.

Megjithëse nuk kanë pronë dhe para, përfaqësues të UBT-së pretendojnë se shkolla të transferohet vetëm 120 metra larg vendit aktual. Por, për bashkinë, një transferim i tillë do të dojë shumë kohë burokratike për ndërtimin e kësaj shkolle, që u vjen në ndihmë 30 mijë banorëve.

“Fiks Fare” shfletoi dokumentet dhe pyeti përfaqësues të bashkisë dhe universitetit. Nga dokumentet rezulton se Bashkia e Tiranës disponon me certifikatë pronësie një sipërfaqe rreth 9 mijë metra katrorë truall, në afërsi të UBT.

Toka ka qenë private dhe i është kthyer një pronari. Por, më pas, bashkia ka shpronësuar pronarin dhe e ka regjistruar në hipotekë.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan me Jonida Dokun, administratoren e Njësisë Bashkiake Nr.11. Sipas saj, projekti prek 30 mijë banorë dhe aktualisht, në zonë nuk ka gjimnaz.

Madje, 1 nga dy shkollat 9-vjeçare bën mësim me dy turne. Sipas saj, me ndërtimin e kësaj shkolle, zgjidhet ky problem.

Fiksi bisedoi me rektorin e UBT, z.Bahri Musabelliu. Ai kërkoi që shkolla të zhvendoset pak më larg, në mënyrë që mos të ketë probleme me universitetin.

Sipas tij, në vendin aktual është bërë një pedonale dhe se ka projekt për ndërtimin e disa godinave universitare.

Ilda Qazimllari, arkitekte në Bashkinë e Tiranës, thotë se pretendimet e përfaqësuesve të UBT, nuk kanë lidhje, pasi “prona është e bashkisë me certifikatë pronësie”.

Sipas saj, shkolla do ndërtohet në pronën e bashkisë, e cila ka shpronësuar pronarin. “Universiteti nuk ka pronë, megjithëse pretendonte se do të bënte pemishte” thotë ajo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje