INTERVISTA/ Kryebashkiaku i Finiqit regjistrohet si kandidat i pavarur: Partitë gjenden në luftë kampesh, ja çështja e tabelave dygjuhëshe dhe marrëdhëniet me Athinën

9 Maj 2019, 15:53Politika TEMA

Kryebashkiaku aktual i Bashkisë Finiq, Leonidha Kristo, ka vendosur të garojë sërish në zgjedhjet lokale të 25 qershorit.

Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2015 ku u prezantua si kandidat i partisë minoritare greke “MEGA”, Kristo në këtë garë elektorale është regjistruar si i kandidat i pavarur.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “TemA”, ai tregon se ky vendim erdhi pas një konsulence me banorët e zonës që përfaqëson.

I pyetur lidhur me këtë vendimmarrje, ai shprehet se forcat politike  janë futur në një luftë  kampesh dhe gjykon se nuk duhet të bëhet pjesë.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe mbi raportet me “Athinën zyrtare” ku pretendon më tepër fonde në shërbim të komunitetit.

Ndërkohë, ai ka folur edhe mbi bilancin dhe sfidat me të cilat do të shfaqet para elektoratit të tij.

Z. Kristo, siç e dini në prag të zgjedhjeve vendi ndodhet në një ngërç të fortë politik. Si erdhi vendimi juaj për të rikandiduar?

Zgjedhjet i takojnë  popullit dhe jo partive, ndaj unë në këtë rast përfaqësoj popullin. Nga ana tjetër unë jam kryetar në detyrë i bashkisë. Nga ky pozicion, kam detyrimin të raportoj para komunitetit që më ka zgjedhur për arritjet, problemet, shqetësimet që kemi përballuar dhe do të përballojmë në të ardhmen. Raportimi është detyrim kryesor i një  pushtetari. Këtij detyrimi unë nuk kam në plan t’i fshihem. Të gjithë njerëzit me të cilët  bisedoj në zonën  time e respektojnë dhe e mbështesin këtë vendim. Këtu buron vendosmëria ime për të kandiduar.

Pse zgjodhët të hyni në garë si kandidat i pavarur dhe jo si pjesë e një sigle politike?

Partitë politike aktualisht janë futur në një luftë kampesh me njëra-tjetrën. Është një luftë e cila bëhet për qëllime të tjera dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet. Qytetarët e Finiqit dhe unë si kryetar i tyre nuk e mirëkuptojmë këtë luftë prandaj nuk bëhemi pjesë e saj. Beteja jonë janë zgjedhjet dhe ne duhet t’i shërbejmë vetëm asaj.

Disa ditë më parë vendi u përfshi nga një debat i fortë lidhur me tabelat automobilistike të vendosura në Finiq. ARRSH ndërhyri për t’i hequr tabelat e  vendosura nga bashkia dhe i zëvendësoi ato me tabela të tjera. Si kryebashkiak, cili ka qenë roli juaj?

Detyrimi për vendosjen e tabelave i vjen qeverisë nga ligji për minoritetet. Pavarësisht nga kjo, legjislacioni rrugor nuk ka asnjë rregull të përcaktuar dhe asnjë format për  tabelat dy apo tre gjuhëshe. Së pari, vendosja e tabelave në minoritet  është një akt i vonuar dhe për këtë përgjegjësinë e ka qeveria. Së dyti ne i vumë tabelat bazuar në ligjin për minoritetet, i votuar nga parlamenti shqiptar  në datë 13.04.2017.  Gjithsesi publiku duhet ta kuptojë se ende formati ligjor për tabelat dy dhe tre gjuhëshe nuk ekziston. Ky format duhet miratuar sa më parë.

Po, por mënyra e vendosjes së shkrimit poziciononte në hapësirën kryesore gjuhën greke dhe më pas atë shqipe…

Për mua është e parëndësishme nëse shkrimi në tabelë është me dy ngjyra apo cila është radha e shkrimit. Për mua rëndësi ka të zbatohet ligji dhe të respektohet minoriteti. Nga ana ime jam i kënaqur që kjo lëvizje e bashkisë vuri në lëvizje autoritetet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se me kaq mbaroi puna. Formati i tabelave dy ose tre gjuhëshe duhet të bëhet ligjërisht. Sinjalistika dy dhe tre gjuhëshe, duhet të vendosen kudo ku ligji e kërkon. Edhe nëse për këtë shkak do të duhet që edhe këto tabela e vendosura nga ARSH  të ndërrohen  dhe të zëvendësohen me tabela të rregullta sipas përcaktimeve ligjore.

Z. Kristo ju përfaqësoni një zonë minoritare, mund të dimë se çfarë raporti keni aktualisht me Athinën zyrtare?

Kryetari i bashkisë meret me çështje që i takojnë qeverisjes vendore. Këto janë një pjesë e vogël e çështjeve që  prekin minoritetin. Për to ka struktura të tjera që merren kryesisht. Për çështjet e qeverisjes vendore, autoritetet greke janë interlokutor i rëndësishëm brenda kompetencave që ka kryetari i bashkisë. Në mandatin tim të parë unë kam shfrytëzuar këtë marrëdhënie për të sjellë  në Finiq  donacione në shërbim të komunitetit. Përgjithësisht jam i kënaqur edhe pse pretendoj për më shumë.

Në përfundim të këtij mandati katër vjeçar, a keni një vlerësim për punën tuaj si kryetar bashkie?

Kjo çështje do të jetë tema e fushatës sime elektorale dhe vlerësimin do ta bëjnë zgjedhësit me votë. Por unë mendoj se publiku jashtë bashkisë  duhet të njihet me disa nga arritjet tona të rëndësishme të 4-vjeçarit. Në këto katër vjet bashkia Finiq ka menaxhuar një plan investimesh prej rreth katër miliard lekësh, me burime të saj, të qeverisë dhe fonde të BE. Vërtet një fond modest, por që ne e kemi alokuar të gjithin për infrastrukturë publike, e gjitha e prekshme dhe në shërbim të qytetarëve çdo ditë. Shoh që njerëzit kanë venë re ndryshim dhe e çmojnë atë. Jetesa e komunitetit  bëhet më e mirë  kur kushet në të cilat ai jeton janë më të mira. Bashkia ka punësuar  në  administratën e vet rreth 200 persona, jo vetëm duke dërguar shërbimet tek  njerëzit por  sidomos duke i kthyer ata në bashkëadministratorë. Nëse tendenca e përgjithshme në Shqipëri është kalimi i shërbimeve te privati, bashkia jonë ka zgjedhur të punojë me njerëzit e vet dhe me ndërmarrjet e veta, me kosto të ulët dhe me cilësi të lartë. Këto janë tiparet e qeverisjes sonë.

Ju keni qenë i mandatar për katër vite në krye të Bashkisë Finiq. Cilat kanë qenë tre nga objektivat kryesore të papërmbushura?

Ndoshta mund të jenë më shumë sesa tre sepse dëshirat janë më shumë se mundësitë. Por në çështjet që unë i konsideroj emergjente janë azhornimi i 12 fshatrave, shtrirja e furnizimit  më ujë të pijshëm për fshatrat që nuk kanë burime dhe asfaltimi i plotë i rrugëve rurale. Shkaku për mosrealizimin lidhet 100% me mungesën e financimit. Burimet e veta të bashkisë janë thërrime në raport shumën që kërkojnë këto projekte.  Një çështje e rëndësishme që kërkon vëmendje të posaçme është zgjidhja përfundimtare e abuzimeve  me pronat. Problemet e pronësisë në Shqipëri ngelen ende të pazgjidhura, por vuajtjen e kanë njerëzit në terren. Atyre u rrëmbehet prona me dokumente false dhe hallin e tyre duhet ta qajmë bashkarisht, pushtet qendror edhe vendor. Sigurisht që për këto çështje dhe për të tjera si këto  në bashkinë Finiq do të ketë diskutim të hapur dhe konkret me zgjedhësit. Shpresoj që ky diskutim të përfshijë dhe kandidatët konkurrues.(TemA)

5 komente në “INTERVISTA/ Kryebashkiaku i Finiqit regjistrohet si kandidat i pavarur: Partitë gjenden në luftë kampesh, ja çështja e tabelave dygjuhëshe dhe marrëdhëniet me Athinën”

  1. Millosh kopiliqi says:

    Po toponimet shqipe në helaqistan a do të rivendosen, a do ketë dygjuhësi atje, toponimet çame, çfare të drejtash ka gjuha shqipe në helaqistan. Eja në austri dhe shiko çfare “vlere” ka ajo greqishtja e juaj , arkitektja greke pastron dhoma hoteli

  2. ¬ says:

    Deri tani politika i ka kushtuar vëndit si në financë po dhe në vendime.

  3. Pellazgos says:

    Refugjatet nuk jane njesoj me popullsine Afthohtone qe shkelin Atdheun e tyre qe nga koha e majmunit zoti Milosh kopiliqi.
    Sa per Camet nga Thesprotia dhe jo Camurja,ata ishin shtetas Osmane,te konvertuar nga Orthodhks ne Jenicere.

  4. Pellazgos says:

    Refugjatet musllumane dhe katolike ne Greqi nuk jane njesoj me popullsine Afthohtone Greke qe shkelin Atdheun e tyre qe nga koha e majmunit zoti Milosh kopiliqi.
    Sa per Camet nga Thesprotia dhe jo Camurja,ata ishin shtetas Osmane,te konvertuar nga Orthodhks nga Jenicere.
    Prandaj mos e ngatero kekun me byrekun.

  5. Taulant Palla says:

    Kur keto hajvanet tane grinden per pushtet dhe para, ti o byrazer gllabero ndonje rryp toke dhe konvertoje sa me shpejt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje