Laura Codruta Kovesi është një nga emrat më të njohur në Rumani dhe njëra prej dy kandidatëve për kreun e një zyre të re antikorrupsion për Bashkimin Europian. Prokurore e përgjithshme e Rumanisë për 6 vjet me radhë (2006-2012), ajo ka qenë femra më e re që e ka mbajtur ndonjëherë këtë post në vend.
Pas mbarimit të mandatit, ajo emërua në krye të Prokurorisë Antikorrupsion, detyrë që e mbajti në vitet 2013-2018, kohë gjatë së cilës u ngritën akuza dhe u çuan pas hekurave biznesmenë e politikanë, madje edhe një ish-kryeministër. Kjo solli reagimin e qeverisë së kryeministrit Viktor Ponta.
Kovesi u shkarkua nga ministri i Drejtësisë, duke lënë pas një imazh të besueshëm që ndërkohë ishte krijuar në vendin e saj dhe në BE. Një sondazh i kryer në vitin 2015 tregoi se ajo gëzonte te rumunët të njëjtin besim që gëzon Kisha Ortodokse (rreth 60%).
Kovesi garon përballë prokurorit të përgjithshëm francez, Jean François Bonhert, për drejtimin e Prokurorisë Publike Europiane, një zyrë antikorrupsion, e cila do të hetojë rastet e abuzimit me buxhetin.
Në një intervistë për “Financial Times”, Kovesi rrëfen se si në cilësinë e shefes së akuzës, ajo urdhëroi nisjen e hetimeve për ministra, deputetë, senatorë, kryebshkiakë, këshilltarë e biznesmenë të pasur.
“Para vitit 2004, askush nuk mund t’i prekte, sepse edhe në atë kohë shumë prokurorë kanë tentuar të hapnin hetime, por nuk ia kanë dalë, sepse shefat e tyre urdhëronin mbylljen”, tregon ajo.
Në vitin 2016, Kovesi është nderuar me urdhrin “Légion d’Honneur”, për kurajën e jashtëzakonshme kundër korrupsionit. Ndërsa në vitin 2017, PSD, e cila sapo kishte marrë pushtetin (në pushtet dhe në opozitë që pas revolucionit) nisi t’i tërhiqte reformat antikorrupsion.
“Disa politikanë dhe biznesmenë nisën të trembeshin, sepse panë që prokurorët mund t’i hetonin dhe gjykatësit t’i gjykonin. Ata nuk mund të vidhnin më të pashqetësuar, si zakonisht, dhe nuk mund të vidhnin më fare”, thotë Kovesi.
A është korrupsioni një problem individual apo kulturë? “Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj. Mendoj se të dyja bashkë. Edhe pse çdo vit ka dënime, korrupsioni nuk është zhdukur. Nuk mendoj se është një problem për të gjithë shoqërinë. Është një problem individual që ka të bëjë me mentalitetin”, thotë ajo.
Në intervistë, Kovesi sjell rastin e një kryebashkiaku, i cili u kap duke marrë ryshfet emegjithatë, u rizgjodh prapë.
“Një gazetar i pyeti qytetarët: Pse e votuat sërish? Përgjigjet ishin të habitshme: Ai mori ryshfet, por mori më pak se të tjerët. Ose: Po, mori ryshfet, por ndërtoi një park të bukur. Kjo tregon mentalitetin”, thotë ajo.
Rumania nuk është vendi i vetëm në Evropën Lindore në bankën e të akuzuarve për korrupsion. Shumë rumunë mendojnë se janë etiketuar padrejtësisht nga Brukseli dhe se Bullgaria në veçanti është trajtuar më lehtë në lidhje me çështjen e korrupsionit. Kovesi tregon një episod të ndodhur në një samit të prokurorëve rajonalë.
“Një prokuror [nga një vend tjetër] më tha: ‘Shikoni, znj. Kovesi, ne jemi patriotë; ne nuk vjedhin paratë e shtetit tonë; ne vjedhin vetëm fonde evropiane”.
Ne kemi nevojë për arsimim në anti-korrupsion,” shton ajo. “Mbeta e befasuar me studentët, kur u thashë: ‘Shikoni, nëse doni të kaloni një provim dhe ju jepni mësuesve para, kjo është një krim.’ Ata nuk e dinin këtë. Është një mungesë e edukimit”, thotë ajo.
Kovesi thotë se para ligjit, të gjithë janë të barabartë, madje edhe miqtë e saj.
“Kam vetëm disa miq. Kam shumë të njohur. Ti mund ta takosh dikë 10 herë dhe pas kësaj ai mund të ketë probleme ligjore. Është problemi i tij, jo problemi im. Nëse rasti i tij është në duart e mia ose të kolegëve të mi, ai duhet të hetohet dhe të akuzohet”.