ANALIZA: Vetëm një e majtë paneuropiane mund ta mundë populizmin

3 Qershor 2019, 12:45Bota TEMA

Slavoj Zizek*

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian ka ndryshuar gjithçka apo nuk ka ndryshuar asgjë?

Zgjedhjet sollën disa detaje spektakolare, si mposhtja dërrmuese e të dyja partive kryesore në Mbretërinë e Bashkuar. Sidoqoftë, këto nuk duhet të na verbojnë para faktit thelbësor se nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe dhe e habitshme. Po, e djathta e re populiste ka bërë përparim, por mbetet larg trendit mbizotërues.

Në vend të kësaj, në thelb ajo që ndodhi ishte një variant i motos së vjetër “disa gjëra duhet të ndryshojnë në mënyrë që gjithçka të mbetet po njësoj”.

Perceptimi i vetë europianëve është se ata kanë shumë për të humbur nëse marrin përsipër riskun e një revolucioni (ndryshim radikal) dhe kjo është arsyeja pse shumica kanë tendencë të votojnë për partitë që u premtojnë atyre paqe dhe një jetë të qetë (kundër elitave financiare, kundër “kërcënimit të emigrantëve” …).

Kështu, një nga humbësit e zgjedhjeve evropiane të vitit 2019 ishte e majta populiste, veçanërisht në Francë dhe Gjermani. Kjo sepse shumica nuk duan mobilizim politik. Populistët e djathtë e kuptojnë këtë mesazh shumë më mirë. Pra, ajo që ata në të vërtetë ofrojnë nuk është demokraci aktive, por një fuqi e fortë autoritare, e cila do të funksiononte për (siç e paraqesin ata) interesat e popullit.

Nuk është asgjë siç duket

Pikërisht aty hyn edhe kufizimi fatal i DIEM-it (Lëvizja për Demokraci në Europë) të grekut Yanis Varoufakis: thelbi i ideologjisë së saj është shpresa për të mobilizuar shumicën e njerëzve të zakonshëm, për t’u dhënë atyre një zë me anë të thyerjes së hegjemonisë së elitave qeverisëse.

Edhe suksesi i partive të blerta në zgjedhjet evropiane të vitit 2019 i vjen për shtat kësaj formule: nuk duhet të merret si shenjë e një zgjimi ekologjik autentik; ishte më shumë një votim zëvendësues, i preferuari i të gjithë atyre që qartësisht e perceptojnë pamjaftueshmërinë e politikës hegjemoniste të establishmentit evropian dhe kundërshtojnë reagimin nacionalist-populist ndaj tij, por nuk janë të gatshëm të votojnë për të majtën më radikale.

Në këtë këndvështrim, kjo ishte vota e atyre që duan të mbajnë ndërgjegjen të pastër, pa bërë një veprim konkret. Kjo do të thotë se, ajo që menjëherë bëhet e qartë në rastin e partive të sotme evropiane të blerta është toni mbizotërues i moderimit: ato mbeten masivish të përfshira në qasjen e “politikës së zakonshme” dhe qëllimi i tyre është thjesht kapitalizmi me fytyrë të blertë. Ne jemi ende larg nga radikalizimi shumë i nevojshëm që mund të vijë vetëm përmes një koalicioni të të blertëve dhe të majtës radikale.

Mësimi për të majtën nga e gjithë kjo është: braktisni ëndrrën e mobilizimit të madh popullor dhe fokusohuni te ndryshimet në jetën e përditshme. Suksesi i vërtetë i një “revolucioni” mund të matet vetëm ditën pasi gjërat të kthehen në normalitet: nga fakti se si ndryshimi perceptohet në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Përrallë paralajmëruese

Prandaj, fati i trishtë i Syrizës është simboli emblematik i situatës së re të së majtës evropiane. Në rrugën për të humbur pushtetin në zgjedhjet e ardhshme greke, paradoksalisht do të lejohet të luajë rolin që zakonisht u rezervohet diktaturave të djathta.

Në atë pikë mori pushtetin në kohën e krizës ekonomike dhe de factoshkatërroi mobilizimin popullor rrënjësor (që qëndron në bazë të fuqisë së saj) duke imponuar masa të ashpra kursimi.

Tani që puna është kryer, me gjasë do të humbasë pushtetin dhe partia konservatore “normale” (Demokracia e Re) do të marrë drejtimin. Kjo është bota ku jetojmë sot: një botë në të cilën populistët e djathtë miratojnë masa të shtetit social dhe e majta radikale bën punën autoritare të imponimit të masave shtrënguese.

Duke u rikthyer te Britania e Madhe, rrëmuja e Brexit-it nuk është përjashtim, por vetëm shpërthimi i rëndë i tensioneve që përhapen në të gjithë Evropën. Ajo çfarë tregon situata në Mbretërinë e Bashkuar është se si, siç do të kishte thënë Mao, kontradiktat e dorës së dytë kanë rëndësinë e tyre.

Gabimi i Corbyn-it ishte se veproi sikur zgjedhja mes “Brexit apo jo” nuk ka vërtet rëndësi, kështu që (megjithëse vetë ishte me Brexit) ai “notoi” në mënyrë oportuniste mes dy palëve; duke u përpjekur të mos humbasë vota nga asnjëra palë. Si rezultat, ai i humbi nga të dy anët.

Por kontradiktat dytësore kanë rëndësi. Ato janë shumë të rëndësishme në marrjen e një pozicioni të qartë. Kjo është, në përgjithësi, pyetja e vështirë që e majta europiane po i shmanget me kujdes: se si, në vend që t’i nënshtrohet tundimit nacionalist-populist, të përpunojë një vizion të ri majtist të Evropës.

Kërcënimi nuk vjen nga populizmi: populizmi është thjesht një reagim ndaj dështimit të establishmentit liberal për t’u qëndruar besnik potencialeve emancipuese të Evropës, duke ofruar rrugë të gënjeshtërta për t’iu shmangur problemeve të zakonshme të njerëzve.

Pra, mënyra e vetme për të mposhtur vërtet populizmin është që t’ia paraqesë vetë establishmentit liberal, politikën e tij aktuale, nën një kritikë të pamëshirshme. Fillimi i ri i së majtës radikale është kështu e vetmja mënyrë për të shpëtuar Evropën. Por cila e majtë? Jo e majta populiste në zhvillim e shteteve të fuqishme nacionaliste, por një e majtë panevropiane. / RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli /

*Slavoj Zizek është filozof, studiues në Institutin për Sociologji dhe Filozofi në Universitetin e Lubjanës dhe profesor me famë ndërkombëtare i Universitetit të Nju-Jorkut.

1 komente në “ANALIZA: Vetëm një e majtë paneuropiane mund ta mundë populizmin”

  1. Flutura says:

    Nje analize e perkryer; fantastike.
    Keshtu duhet te ndodhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje