Kur shoqeria respekton nje gazetar

3 Qershor 2019, 20:00Kulturë TEMA
Kur shoqeria respekton nje gazetar

    Nga Kristaq LAKA

I ftuar nga shoku im Kristo Mërtiri, bashkë me kolegë, miq e shokë të tij, pothuaj nga e gjithë Shqipëria, mora pjesë në ceremoninë e dorëzimit atij, të titullit të lartë: “Qytetar Nderi i Përmetit” akorduar nga Këshilli Bashkiak i Qytetit të Luleve. Në sallë, më shumë kishte njerëz në këmbë se sa ulur. Kuptohej lehtësisht, se duhej zgjedhur një sallë më e madhe! Në evente të tilla ku puqen bashkë ana emocionale me atë gazmore, është e pamundur të ndalosh ndonjë batutë me humor, por çuditërisht, në atë ceremoni që zgjati gati dy orë, nuk pipëtiu miza. U dëgjuan me aq vemëndje të gjithë ata që folën. Dhe orkestra, ajte në krye të sallës, i qau këngët e meloditë përmetare me të cilat përshëndetën Kriston dhe familjen e tij. Të gjithë, me aq dashuri, me aq bukuri, me aq përgjegjësi e shpirt, i bënë portretin gazetarit të shquar Kristo Mërtiri. Superlativa!? Jo nuk ishin superlativa, por vlerësime merite, aq sa ishte e pamundur mos ndjeje emocione e krenari. Si plot shokë, kolegë e miq të tjerë, kërkova disa herë të thosha edhe unë disa fjalë, por moderatori, që e drejtoi atë ceremoni me aq elegancë, duke na kërkuar falje neve që na mbeti dora drejt tij, e mbylli… Po çdo të thosha unë më atë ceremoni? A mbeti gjë pa thënë? Po, do të thosha ca gjëra nga jeta e gazetarit Kristo Mërtiri, që nuk i dinë të gjithë, sepse ne kemi më shumë se 45 vjet shoqëri, që nga auditorët e Universtetit e deri më sot. Dhe ato që nuk i thashë dot atje, në atë ceremoni plot mbresa, po i shkruaj në gazetë.

   

     “Ç’është kjo çudi, Kristo Mërtiri në rresht”?!

Kështu do t’i drejtohesha sallës. Si është e mundur ta shikoj Kristo Mërtirin në rresht, bile në rreshtin e parë? Gazetari Kristo Mërtiri, është nga gazetarët e rrallë, që askush nuk e futi dot në rresht e as doli kurrë nga rreshti i tij, në të dy epokat. E lanë pa punë, brodhi sallave të gjyqeve politike, u degdis rrugëve të mërgimit, po mbeti prapë ai. S’e futën që s’e futën dot në rresht, po dhe ai mbeti në rreshtin e tij. Si është e mundur që ta ulësh në rreshtin e parë e ta shohësh edhe duke qarë?! Qan o qan edhe gazetari “rrebel” Kristo Mërtiri. Qan… Qan nga emocionet e nga vlerësimi që i bëjnë talentit të tij, misionit e vlerave të tij, penës së tij. Njeriu i ndershëm qan e i kanë lezet edhe lotët. S’e kanë futur dot në radhë, ndaj ai ka qënë në radhën e parë të gazetarëve, në ballinën e gazetarisë shqiptare, që kurse e mori penën në dorë kur ishte 23 vjeç këtu në Përmet, e s’e ka ndarë asnjëherë. Përmeti e përmetarët sot e ulën nderin e gazetarisë në radhën e parë dhe i përulen e i këndojnë nderit. U vunë në garë, se këtë gazetar nga Peshtani i Tepelenës, e kanë ulur edhe në Kukës, edhe në Vlorë duke i dhënë tituj të lartë Nderi, pa qenë qytetar në asnjë nga këto qytete.  Njerëzit dinë t’i bëjnë nder nderit.

Dikush më pëshpëriti: Qëka i famshëm Kristoja?! Sot, më të shumtit, i thashë, e blejnë famën, titujt apo gradat me para, me prona, me lajka, me servilizëm, apo me kularin në zverk. Ajo është famë e neveritshme. Fama e Kristos kalon përmes busullës së nderit e lirisë. Famën e krijoi pena, talenti e guximi i misionit të tij. Dhe kur kurorën e famës ta thurin shokët, miqtë e njerëz që ndoshta edhe s’e kanë takuar fizikisht, por e kanë lexuar, dhe kanë qarë apo kanë mbledhur grushtat nga shkrimet e tij, ajo merr një kuptim të veçantë. Sepse ai depërton thellë në besimin e tyre, se ai i do njerëzit e thjeshtë e të ndershëm. E tha bukur vetë: Unë i dua të gjithë miqtë e shokët e mi që janë në rrugën e nderit, ashtu siç janë, me huqe e pa huqe. Ky titull nderi është një dhuratë që peshon shumë, një dhuratë shpirtërore që nuk mund të zëvendësohet as me një mal flori.

       

   Të arrestohet gazetari Kristo Mërtiri!!!

 Gazetari Kristo Mërtiri, ka magjinë e të depërtuarit në shpirtin e njerëzvë. Pena e tij ngjyet në faqet e historisë së popullit, në jetën e veprën e njerëzve të mëdhenj që i rrinë kurorë lavdie Shqipërisë, në Jug e Veri e në Kosovë, pena e tij ngjyet në gjakun e dëshmorve, në lotin e nënave, në brazdat e ballit të veteranëve të Luftës, në djersën e punëtorit e të fshatarit, në dorën e zgjatur të lypsave, në mallin e zhuritur e dramat e mërgimtarëve ku ka qarë e gëlltitur mallin zhur, tok me ta. Te flokët e buzët e nënës e te çekani e ylli partizan i babait. Nuk ka njeri që të ketë lexuar shkrimet e tij e të mos ketë thënë: “Të puthsha penën që të kullon mjaltë”! Por ai, atë të shkretë penë, nuk e ka vetëm mjaltë e ka edhe thumb, si puna e bletës. Ai është gazetari më shpirtrebel, fuqitronditës. I pakomromis me të keqen, armik i betuar i politikanëve të korruptuar e hajdutë, gënjeshtarë e hipokritë. Ai më shumë se kushdo, në emer të popullit të ndershëm, mban në dorë penën thikë kundër tyre dhe i ka goditur pa mëshire. Ai ka gjetur mënyrë e tij të shprehurit dhe i quan këta lloj politikanë, polit(h)ikanë. Dhe nuk është tërhequr asnjëherë edhe pse e kanë kërcënuar deri edhe në tempullin më të lartë të demokracisë e i lirisë, në parlament!

   Si ndodhi?! Ishin vitet e para të pluralizmit. Kristua punonte në gazetën “Bashkimi”, unë isha kryeredaktor i gazetës së re me frymë të kthjellët demokratike “Pasqyra”. Në zyrën time hyri turfullishëm Kristo Mërtiri. Ç’ke”? – i thashë. Ma boto këtë shkrim, se kryeredaktori im nuk do që të ma botojë. Kishte bërë debate. E lexova shkrimin me një frymë dhe ndjeva mornica. Një nga drejtuesit e rinj të politikës së re pluraliste që pretendonin se do të sillnin demokracinë, si në gjithë Europën, u pa në Rinas duke vjedhur ndihmat që Bota i dërgonte me avionë për popullin e gjorë, në atë kohë të jashzakonshme. E dërgova menjëherë shkrimin në shtypshkronjë. Të nesërmen ai shkrim bëri aq shumë bujë sa tronditi elitën e re politike dhe tempullin e demokracisë. Në atë të premte që u botua shkrimi, në orën 6 të mbrëmjes, ai tempull u hap me kërkesën e një grupi deputetësh që kërkonin arrestimin e gazetarit Kristo Mërtiri, shkarkimin e kryeredaktorit të gazetës “Pasqyra” dhe mbylljen e saj… Ndërsa dëgjoja llafebombat kërcënuese të tyre, m’u bë sikur ai tempull po binte… Ishte fillimi i demokracisë dhe njerëzit të pamësuar me buja të tilla, mendonin se do të bëhej gurguleja. Në fakt edhe trëmbeshin. Po Kristo Mërtiri nuk u trëmb. Për gazetarin e vërtetë nuk ka kurrë trëmbje. Nuk u trembet minave mbi të cilat ecën, se gazetaria është si fushë e minuar e minakërkuesit në çdo mund t’i shpërthejnë minat. Dhjetra shkrime, të nesërmen, vërshuan në gazetën “Pasqyra” e plot gazetarë me shkrimet e tyre u hodhën në mbrotje të gazetarit të guximshëm. Gazetari përballë fakteve dhe të vërtetës, kur të tjerët çirreshin e ulërinin për ta çuar në burg, ai qeshte. E vërteta është si vetëtimë që verbon. Ai kurrë nuk e ka shkelur betimin e gazetarit që të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

 

Përse i hoqe ato fjalë??… (Një zemëratë e Kristos)

Nuk e kam ndjerë veten më ngushtë kur, pas botimit të një shkrimi të Kristos në gazetën “Kushtrim brezash” më merr në telefon e me një zëmëratë që s’e mbante dot telefoni më thotë: “Përse e hoqe togfjalëshin “Pasardhës veterani”?! Unë jam bir veteterani,- tha. Jam i biri i veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Gole Mërtiri. E them me mburrje. Kam shumë tituj, por titulli “Pasadhës veterani” është mbi të gjithë e më jep nder. Ky togfjalësh është dinjiteti im, krearia ime më e madhe. Se ka edhe nga ata batakçinj që si kameleoni ndërrojnë ngjyrat. U ndjeva vërtet ngushtë. Nuk e di se si u hoq ai togfjalësh “Pasardhës veterani”, poshtë emrit të tij! Dhe çdo herë sa dërgon shkrime nuk mungojnë asnjëherë edhe këto fjalë të thjeshta me domethënie të madhe: “Pasardhës veterani”. Nuk është thjesht vetëm respekti e dashuria për babanë e tij veteran, i cili ishte protagonisti kryesor i Protestës së Parë Antifashiste të Punëtorëve që ndërtonin Urën e Bënçës në Tepelenë, më 10 maj 1939… Kur këtu e 80 vjet më parë, punëtorët e atij kantjeri, kundërshtuan egërsisht të merrnin pjesë në pritjen e ministrit italian të Punëve Botore dhe të brohoritnin për fashizmin, edhe pse u premtuan nga 5 lekë si shpërblim(!), punëtorët e revoltuar kërcyen nga makinat: “Tutje,- u tha Gole Mërtiri- nuk shitet shqiptari për pesë lekë… Poshtë fashizmi!’’’… Dhe për t’i mbyllur gojën ja mbyllën duar me hekura, e arrestuan, e burgosën në kalanë e Gjirokastrës dhe e internuan në Shëngjin të Lezhës… Por ka më shumë arsye… Eshtë respekti e qëndrimi i këtij intelektuali ndaj LANÇ. Gazetari Kristo Gole Mërtiri, si pasardhës veterani, është partizan i ri, luftëtar i mbrojtjes së asaj Lufte famëmadhe dhe ngrihet kundër atyre që duan të nxijnë e tjetërsojnë historinë e LANÇ, këtë faqe më të lavdishmen e historisë. Nuk preket Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, o të marrë!- shpërthen ai. Në shkrimet e tij për Luftën, për partizanët, për dëshmorët për nënat shamizeza, ai vë shpirtin dhe bën polemika të pamëshira, me “atentatorët politikë” edhe me “atentatorët mediatikë” të Luftës. Polemika buron nga thelbi i profesionit të tij. Ai, përmes polemikave, e ngre luftën në piedestal siç e meriton. Polemika thoshte Balzaku, është piedestali i njerëzve të shquar. Qofsh kurdoherë i nderuar, shoku im i dashur, Kristo!

Këto desha të thosha në atë festë të Kristos. Por pa mbaruar ceremonia më merr në telefon Kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Rustem Peçi e më thotë: Të shkruash për Kriston, se e kemi pasardhës veterani shëmbullor… Ndjeva përsëri emocione e përgjegjësi. Por edhe më shumë m’i shtoi emocionet shoku ynë Gjikë Kurtiqi kur u ngrit e foli më shkurt nga të gjithë, por që u duartrokit më shumë nga të gjithë. Ai recitoi vetëm këto vargje që ishin si qershia mbi tortë: “Kristo Mërtiri, Kristo Mërtiri,/ Ndër gazetarët më i miri,/ Më i miri, më i vërteti,/ Sot po e nderon Përmeti,/ Nesër Kombi Shqipëtar,/ Se e ka zemrën behar”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

8 komente në “Kur shoqeria respekton nje gazetar”

  1. Arjan Fetuni says:

    Nuk te njoh Kristaq Laka, por shkrimet ti kam lexuar. Nuk kisha pare nje gazetar te shkruaj me aq dashuri e respekt per kolegun e tij. Ndaj dhe une do them si shkruan dhe ti ne kete artikull: Te puthsha penen z.Laka. E them kete se nuk te heq dot nje presje se e njoh mire Kristo Mertirin, rebelin, zemerbardhin, te guximshmin. Faleminderit. Me ke perlotur me shkrimin tend por dhe me ke bere me krenar per mikun tim qe meriton shume. Ti e ke thene fjalen tende qe dalin nga nje shpirt i madh.

  2. Stefani says:

    Bravo Permeti, qe ka nderuar kete gazetar dinjitoz. Nderim e respekt per penen e tij dhe autorin e artikullit.

  3. Enkeli says:

    Mire qe pame shoqerine te respektoj gazetaret. Po shteti ne Shqipri i respekton ata qe e meritojne vertete?

  4. MARKNN says:

    Them me siguri qe ky shoku Kristaq Laka para se re shkonte ne Permet e ka ngrene paçen dhe pilafin tek Pilo Lala nga ku mendoj se Kristo Mertiri nuk do ta linte pa, ndonje thele, se pilafin me kos po e po. Mjerim dhe matufepsje kolektive.

    1. Shaqo says:

      Ti Markkknm.t ke mendjen vetem te pilafi e pacja se je shok e mik i Balliut…
      Nje bravo e madhe per Kristaq Laken qe flet e shkruan me sinqeritet e thjeshtesi per shokun e tij.
      Edhe une, si i njohur i Kristaqit, nga shkolla e mesme, e pergezoj per kete shkrim.

  5. Andi Belo says:

    Bobo, doli miu i kanaleve te ujrave te zeza, tani me nofken Marknn. E nxjerr koken dhe prap e zhyt ne fekale. Mos u fshih mor edepsez, se keshtu do te vdesesh, ne poshtersi e qelbesirllek. Kur ti hedh gure e fsheh dore per keta gazetare, kushedi c’ intriga perpunon e hedh. Pune minjsh halesh.

  6. Shaqo says:

    Ti Markkknm.t ke mendjen vetem te pilafi e pacja se je shok e mik i Balliut…
    Nje bravo e madhe per Kristaq Laken qe flet e shkruan me sinqeritet e thjeshtesi per shokun e tij.
    Edhe une, si i njohur i Kristaqit, nga shkolla e mesme, e pergezoj per kete shkrim.

  7. Ardi says:

    Te lumte Pena zoti Kristaq!nje shkrim vertet dinjitoz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje