Skeda e pasurisë së kryebashkiakut të Pogradecit: Investitor në 45 apartamente, 37 bodrume dhe 3 njësi tregtare në Shëngjin

10 Qershor 2019, 17:56Kronika TEMA

Eduart Kapri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Pogradecit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Ai fitoi me 50.93% të votave kundrejt rivales të tij të propozuar asokohe nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Eduart Kapri është diplomuar për Financë në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Gjatë viteteve 1992 e deri në 1993 ai ka qenë shef llogarie në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Pogradecit.

Ndërsa në vitet 1998-2002 ka qenë administrator i një sipërmarrjeje në sektorin privat. Më pas përgjegjës i qendrës ekonomike pranë Qendrës Arsimore Rajonale Pogradec. Nga viti 2004 e në vazhdim ka qenë Administrator i kompanive private që operojnë në sektorin e ndërtimit,  importit dhe tregtimit të duhanit.

Kapri është përfshirë në politikën lokale në vitin 2011, si anëtar i Këshillit Bashkiak. Për shkak të bojkotit të zgjedhjeve lokale nga opozita, ai nuk kandidon për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Pogradecit. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Pogradecit nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetarit aktual te Bashkise se Pogradecit, Eduart Kapri per vitet 2015-2017.

Kryebashkiaku Eduart Kapri deklaronte pasuri të llogaritur në 9.6 milionë lekë në vitin 2015; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij ka pësuar një rënie të vogël dhe llogaritet në vlerën e 9.2 milionë lekëve.

Kapri deklaron një apartament në Pogradec me vlerë 7.8 milionë lekë, kursime në cash prej 1.4 milionë lekësh dhe likujditete të bankë prej 348 mijë lekësh. Ai deklaron gjithashtu që zotëron si bashkëinvestitor 45 apartamente, 37 bodrume dhe 3 njësi tregtare në një pallat të ndërtuar në Shëngjin të Lezhës.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 4.8 milionë lekë. Rreth 60% e të ardhurave kanë si burim pagën e Z.Kapri ndërsa pjesa tjetër është siguruar nga puna e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.

Por BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në këtë analizë morinë e pronave të patundshme në Shëngjin të Lezhës, me burim aktin e përpjestimit vullnetar si bashkëinvestitor. Subjekti nuk deklaron megjithatë se sa ka qenë investimi i tij në këtë projekt dhe sa është vlera e 45 apartamenteve, 37 bodrumeve dhe 3 njësive tregtare.

Nga analiza cilësore u vërejt gjithashtu se në vitin 2016, Z.Kapri deklaron pakësim të likujditeteve bankare në një shumë më të madhe se gjendja e disponueshme e tij, e deklaruar më parë.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

1 komente në “Skeda e pasurisë së kryebashkiakut të Pogradecit: Investitor në 45 apartamente, 37 bodrume dhe 3 njësi tregtare në Shëngjin”

  1. Ne nga Poradeci says:

    Eshte familje e persekutuar nga regjimi i Enver Hoxhes. Vellai i z. Kapri (sot pronar firme ndertimi), eshte denuar ne ate kohe me 2 vjet burg per aresye se duke qene shofer me ZIS ne NSHN, nje makine te ngakuar me hekur ndertimi per objektet e ketheu ne shtepine qe po ndertonte. Per vitet e burgut ka mare dhe demshperblim perveç tenderave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje