Kristaq Xharo
30 qershori nuk është preludi i krizës, por vetëm një etapë e saj. Kriza nuk ka shanse të përfundojë në këtë datë. Ndërkombëtarët, vetëm ata, mund të kërkojnë “ndalimin e përkohshëm të zjarrit”, por çfarë ndodh më pas ka shumë pak gjasa për të ndryshuar. Një ditë pas së nesërmes (e datës 30 qershor), do të jetë një ditë më pas. Nuk është asgjë e ngjashme si te filmi i famshëm hollivudian “The Day After Tomorrow” i Roland Emmerich, dedikuar një apokalipsi natyror të botës, në temperaturat e ngrirjes globale. Temperaturat e krizës, të ngjashme si ato të kësaj stine, do të tentojnë t’i afrohen pikës së vlimit, por nuk do ta kalojnë atë.
Shumicës së pyetjeve që lidhen me krizën, analistët iu kanë dhënë përgjigje duke afruar edhe skenarë nga më të thjeshtë deri në ato apokaliptikë. Mungon vetëm analiza e krizës nga vetë inspiruesit. Janë 30 vjet, ku numri i krizave iu afrohet numrit të viteve, por edhe një analizë e vetme nuk gjendet. Për pasojë nuk ka pasur asnjëherë të përmendur si përgjegjës, të dëmtuar apo të fituar. Tipari i përbashkët i këtyre krizave, nëse do t’i referohemi librit të famshëm të Friedrich Glasl “Menaxhim konflikti”, është që ato përfundojnë pasi kanë përshkuar të gjitha ciklet e veta negative, tetë cikle dhe mbyllen pak përpara se palët të përfundojnë së bashku në humnerë, cikli i nëntë.
“Me urra” drejt konfliktit civil
Kriza aktuale, sipas inspiruesve të saj, besohet se po shkon drejt konfliktit civil. Për mjaft prej tyre kjo datë do të jetë në ose pas datës 30 qershor. Por çfarë është konflikti civil dhe a është ai konflikt i armatosur? Përgjigjen në këtë rast mund ta kërkojmë në tri drejtime. Së pari, nga klasifikimi që i bëjnë konfliktit civil rezolutat e OKB-së dhe vlerësimet e Këshillit të Sigurimit. Ky klasifikim e ka bazën në përkufizimin e dhënë nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve të Konflikteve, në Uppsala të Suedisë, ku “…konflikti civil është konflikt i armatosur bazuar në papajtueshmëri ekstreme i shoqëruar me përdorimin e forcës së armatosur ndërmjet dy palëve, nga të cilat rezulton jo më pak se 25 të vrarë gjatë konfliktit, brenda një viti kalendarik…”. Tejkalimi i këtyre kritereve e shndërron konfliktin në luftë civile.
Së dyti, ligjëruesit e termit “konflikt civil” përpiqen vetë të na qartësojnë se cila është ideja e tyre në këtë kontekst. Ata shprehen se ky konflikt nuk do të jetë i ndryshëm nga ai i vitit ’97. Kujtojmë që anarkia civile e atij viti të mbrapshtë, por jo të largët, përveç dëmeve kolosale ekonomike, lidhet me rreth 3 800 të vrarë, nga të cilët 360 forca të policisë e më shumë se 5 000 të plagosur. Pra edhe përdoruesit e termit besojnë në një konflikt të armatosur dhe me numër viktimash. Termi konflikt civil nuk është mosbindje, rezistencë apo përplasje civile, është tejkalimi i secilës prej tyre në konflikt të armatosur.
Së treti, kushdo ka mundësi të qartësohet për idenë nëse kërkon në motorin “Google” për këtë term (konflikt civil). Ai përmendet më shumë se 280 milionë herë dhe sipas Johan Galtung, profesor në Universitetin e Oslos, i mirënjohur si themeluesi i teorisë së konflikteve, në 98 për qind të rasteve ai vlerësohet si konflikt i armatosur. Pra konflikti civil është konflikt i armatosur, me një numër viktimash, jo më pak se njëzet e pesë. Nëse palët besojnë te zgjidhja e krizës nëpërmjet konfliktit civil ata pranojnë që do të ketë edhe përleshje të armatosur, por edhe viktima. Më tej për konfliktet civile mund të gjejmë mjaft informacion në raportet periodike të Bankës Botërore (2011, 2014, 2017) që niveli i zhvillimit bie 15-20%, që cikli i përsëritjes është çdo 10 vjet, 40 deri 50% largohen nga vendbanimet, 40% e fëmijëve lënë shkollën etj. (Për më tepër shih ‘Consequences of Civil Conflict, të Bankës Botërore.)
A ka kriza aktuale premisat për të kaluar në një konflikt civil? Analiza mund të zgjerohet në mjaft parametra. Por, në një vështrim të shpejtë le të ndalemi vetëm në tri aspekte: kontekstin, në palët pjesëmarrëse dhe në objektivat e saj. Së pari lidhur me kontekstin, kjo krizë filloi si krizë politike dhe jo civile dhe vlerësohet se ka evoluar kryesisht brenda këtij konteksti. Ideja për ta kthyer në krizë të shoqërisë civile, nëse ka ekzistuar kjo ide, për shumë arsye ka dështuar. Ajo nuk arriti të tërheqë më tepër çështje dhe interesin e plotë të shoqërisë. Ajo është dhe mbeti krizë e elitave politike, më tepër e mënyrës së drejtimit, edhe pse duket se këto elita po bëjnë “luftën, jo betejën e tyre të fundit”. Pra konteksti mbetet tërësisht politik. Mund të gjenden elementë të veçantë për ta përngjasuar me krizën e vitit ’97, por jo për ta përgjithësuar e barazuar atë.
Së dyti në palët e angazhuara në këtë krizë, që nesër do të mund të ishin përballë në një konflikt “të kërkuar” civil. Palët fund e krye janë politike në të gjithë spektrin e tyre, që nga drejtimi deri te ndjekësit. Në këto kushte, nëse kriza do të shndërrohet në konflikt, ai mirëfilli do të jetë politik dhe jo civil, pra vështirë të kemi një konflikt civil, por me një përplasje, rebelim politik. Nëse do të kërkojmë krahasim, më i afërti dhe i mundshmi është viti ’98 dhe jo viti ’97.
Dhe së treti, në objektivat që kanë shpalosur palët. Në një rast të tillë objektivat vlerësohen duke i lidhur detyrimisht me strategjinë. Edhe me një vështrim të shpejtë, në shumicën e objektivave të palëve nuk dallohet që ato të kenë vlera strategjike (kombëtare). Maksimumi nëse flasim për strategjike, ato (objektivat) janë partiake. Objektivat e tyre “strategjikë” nuk arrijnë të ngrihen në nivelin e interesave të publikut e aq më pak të kombit. Palët janë zhytur në objektiva, veprime dhe kërkesa taktike. Robert Green, autor i librit “33 strategji”, e quan këtë fenomen thjesht “ferr taktik”. Përveç zhurmës dhe pasojave, gjithçka mbetet në nivel taktik dhe asnjëherë nuk të ndihmon drejt objektivave strategjikë. Problemi ndoshta qëndron se palët pothuaj i kanë harxhuar të gjitha mënyrat dhe mjetet taktike në dispozicion.
A mund të dilet nga kriza dhe “të shmanget” konflikti civil?
Vendi ka kaluar një numër krizash që afrohen atyre të viteve. Në shumicën e tyre të inspiruar apo të stisura nga elitat apo liderët politikë aq sa mund të konsiderohen si kriza të lidershipit. Megjithëse arsyet sociale dhe ekonomike kanë qenë mjaft të mprehta, ato janë kaluar në hije nga superkrizat politike. Edhe kriza aktuale nuk bën përjashtim. Kriza në nivelin politik zbulon dy veçori: brishtësinë e sistemit dhe mundësitë e zgjidhjes. Ndërsa vazhdojmë të mbetemi në tranzicion, për meritë të elitave politike, sistemi vazhdon të mbetet i brishtë dhe elitat nuk përdorin asnjë aftësi për menaxhimin dhe zgjidhjen e krizave. Mundësitë e zgjidhjeve i kemi pritur përherë nga ndërkombëtarët. Këtë radhë duket se ndërkombëtarët po eksperimentojnë me krizën aktuale. Ky veprim na ndihmon për të kuptuar paaftësinë e elitave tona për ta menaxhuar krizën dhe aftësinë për ta tejkaluar atë në kufijtë e konfliktit. Dhe në këtë rast shoqëria, tej përmasave të militantëve fanatikë po kuptojnë se të dyja palët nuk janë të aftë të ndërtojnë vetë strategji për zgjidhjen e krizës. Disa e quajnë pakt kombëtar. Ato (palët) duket se nuk zotërojnë as ide e as mjete për ta zgjidhur. Mungon aftësia për të njohur dhe eliminuar forcat dhe burimet inspiruese të konfliktit, në një mënyrë kulturalisht neutrale dhe jo gjykuese.
Në përgjigje të pyetjes, besohet se kriza do të vazhdojë, por pa eskaluar në konflikt civil. Kriza do të vazhdojë deri sa palët, sipas Galtung, “të gjejnë një mënyrë ku tërheqjen ta paraqesin si triumf”. Garanci e moskalimit në konflikt civil edhe kësaj radhe do të mbeten aleatët, të cilët si gjithmonë afrojnë edhe angazhim edhe model. Një model i menaxhimit të krizës, pa e lejuar atë të eskalojë në konflikt e dha presidenti Trump. Ai, sapo u informua se një kundërpërgjigje ndaj Iranit do të kishte edhe viktima, pati vullnetin të shmangë kalimin nga kriza drejt konfliktit, qoftë duke “rrezikuar” edhe për reputacionin hegjemon të SHBA-së. Pra janë kushtet të besohet, që edhe elitat tona politike nuk do të kenë guximin për të zgjedhur si dredhi strategjike konfliktin civil (i armatosur), pasi ky vend nuk ka nevojë për dëshmorë për çështjen e partive.(Gazeta Liberale)