Dekretet janë rruga përmes të cilës presidenti i Republikës ushtron kompetencat e tij. Përmbajtja në formë dhe frymë e këtyre dekreteve duhet të jetë në pajtim me kompetencat që Kushtetuta i njeh institucionit të presidentit.
Ilir Meta nxorri në ditët e para të qershorit dekretin që anulonte zgjedhjet 30 qershorit dhe e mbron atë duke deklaruar se është në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta.
Ndërkohë, tre ditë para 30 qershorit, Meta nxorri një dekret të ri, me anë të të cilit shpallte 13 tetorin si datë zgjedhjesh për pushtetin vendor.
Mazhoranca nga ana tjetër nuk njeh as dekretin e parë dhe as të dytin, akuzon Presidentin për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe për këtë qëllim ka nisur në Kuvend procedurat për shkarkimin e tij.
Përveç dallimit se dekreti i parë anulonte zgjedhje, ndërsa dekreti i dytë shpallte një tjetër datë zgjedhjesh, mes dy vendimeve të Ilir Metës ka edhe një dallim tjetër procedurial.
Dekreti i parë u reflektua me shpejtësi në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që dekreti për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor nuk është pasqyruar ende në këtë fletore, shkruan gazeta Si.
Reflektimin në Fletoren Zyrtare, presidenti dhe opozita e shihnin si përforcim të kushtetutshmërisë së dekretit. Por, ligji për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare nuk i jep kësaj të fundit të drejtën të interpretojë një akt të një institucioni tjetër, por vetëm ta botojë atë.
Ligji në fjalë nuk përcakton drejtpërdrejtë afatet e botimit për dekretet presidenciale që nuk lidhen me kthimin ose miratimin e ligjeve të Kuvendit.
Për këta të fundit përcaktohen afatet kohore në nenin 8, që thotë se brenda 5 ditëve nga dekretimi i një ligji nga ana e presidentit, ligji duhet t’i dorëzohet Qendrës së Botimeve Zyrtare për pasqyrim në Fletoren Zyrtare.
Dekretin le tja çoje Monikes se i duhet.