“Zoti ka vdekur. E vramë ne dhe tashmë kemi mbetur jetim!”

31 Korrik 2019, 12:39Kulturë TEMA

Intervistoi: Nikos Papachristou

Me këto fjalë surprizuese që trondisin, kleriku 78-vjeçar (sot 89 vjeç), At Filotheos Faros, analizon marrëdhënien e sotme të besimtarëve me të Shenjtën. Një marrëdhënie ‘konsumi’, të cilën, siç thotë, e forcojnë me qëndrimin e tyre publik dhe mënyrën e jetesës pjesa më e madhe e klerikëve.

Me një stil të guximshëm të fjalës, deri diku thumbues, por edhe autokritik, At Filothei është kleriku i parë që nuk nguron të karakterizojë si të duhur ‘Paktin e Bashkëjetesës së Lirë’, për vetë faktin se Republika në këtë rast u drejtohet qytetarëve dhe jo besimtarëve. I quan ‘farisej’ e ‘hipokritë’ ata hierarkë dhe klerikë që nxitojnë të flasin për ‘prostitucion’ apo ‘mëkate’, duke shtuar se ashpërsia e tyre në të vërtetë përkthehet në kërkimin e një ‘alibie’ për t’u çorientuar ndaj veprimeve personale ‘jo të drejta’. Madje i konsideron përgjegjës për faktin se shumë njerëz të rinj në moshë përfundojnë në psikiatri të ngarkuar me sindromet e fajit. Sa për ata që e shohin këtë si një sulm ndaj Kishës, u përgjigjet në mënyrë kuptimplotë: “Kisha e Krishtit nuk rrezikohet prej armiqve të jashtëm”.

Qëndrimet e At Filotheos Faros, të cilat botohen në gazetën ‘Kathimerini’ dhe prekin kuadrin e marrëdhënieve të Shtetit me Kishën, do të nxisin dialogun publik; shumë vetë do të bien dakord dhe po aq do t’i kundërshtojnë ato, madje do të provokohen personalisht prej qëndrimeve në fjalë.

“Është më se e drejtë që Republika promovon dhe zbaton Paktin e Bashkëjetesës. Pyetja që lind këtu është nëse Greqia përbën republikë parlamentare apo regjim teokratik të tipit ‘Khomeini’? Duket që në pjesën më të madhe të saj Greqia është një teokraci. Karakteristik është fakti që kandidatë për deputetw, kryetarë bashkie dhe të politizuar të tjerë duhet të shkojnë të puthin dorën e Dhespotit përpara se të nisin fushatën elektorale. Dhe për më tepër, janë kamerat ato që kujdesen të ruajnë këtë moment në memorjen e publikut dhe për tu parë më pas nga votuesit, sepse në rast të kundërt të politizuarit nuk do të kishin më asnjë shpresë”-thotë At Filotheos Faros.

Pa asnjë mëdyshje deklaron kundërshtinë e tij me frymën e vendimit të ashpër që u dha së fundmi nga Sinodi i Shenjtë i Përhershëm dhe sipas të cilit çdo marrëdhënie bashkëshortore jashtë martesës ortodokse quhet ‘prostitucion’.

“Ky qëndrim i Sinodit shpreh një largim thelbësor nga fryma e Ungjillit. Për mendimin tim shtrembërohen mësimet e Jezu Krishtit dhe fryma e tyre. Rregullat, sipas Sinodit Ekumenik Penthekt, janë ilaçe dhe masa pedagogjike që përdoren sipas gjykimit shpirtëror. Por nuk janë ligje. Mbi të gjitha, Krishti erdhi në Tokë për të ndryshuar regjimin e traditës judaike dhe kryesisht asaj fariseje. Kërkoi si synim zhvillimin e brendshëm spiritual dhe jo menaxhimin e së keqes nëpërmjet perceptimit ligjor e policor. Megjithatë, fryma judaike-fariseje arriti të penetrojë prej kohësh në jetën e Kishës. Krishti thotë se prostitucioni dhe fenomene të tjera të ngjashme burojnë nga trupi i njeriut, por nuk gjykon asnjë mëkatar, përveç se hipokritin. Fryma e Krishtit nuk ka karakter konstitucional e ligjor, por përpiqet të tregojë se cili është thelbi i mëkatit. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë sjellje të jashtme. Për shembull, vrasja perceptohet nga Krishti si refuzim i tjetrit dhe rrjedhimisht në mësimet e tij nuk mund të tolerohet koncepti i ‘vetë-justifikimit’. Asnjë nuk mund të thotë që unë jam imun dhe më pas të akuzojë të tjerët si mëkatarë”.

‘Hipokritë dhe Farisej’

Jo pak mitropolitë lwnë të kuptohet se duhet të vendosen sanksione spirituale kundër atyre që bëhen pjesë e ‘Paktit të Bashkëjetesës’. Çfarë thotë për këtë At Filothei?

“Krishti ishte i qartë kur deklaroi se erdhi të shpëtojë botën dhe jo të gjykojë njerëzit. ‘Mos gjykoni që të mos gjykoheni!’ Përkundrazi, dënoi hapur sjellje të tilla si hipokrizia. Duke u folur Farisejve – të cilët bënin atëherë të gjitha ato që bëjmë ne klerikët në ditët e sotme – i ekspozoi publikisht për shkak të bizhuterive zbukuruese dhe jelekëve vezullues që vishnin, këmbënguljen e tyre për t’u ulur në radhët e para të ceremonive të shtrimit të darkave, si dhe për faktin e shfrytëzimit të fukarenjve. Vazhdimisht Krishti dënoi nënshtrimin ndaj të mirave materiale, ndaj jetës të rehatshme dhe luksit. Të gjitha këto i shohim sot te priftërinjtë. Jetojmë si Princër, qarkullojmë me kraisler dhe mercedez, na shërben gjithë ai popull, mbulohemi me florinj dhe kemi pushtet absolut mbi shpirtin e njerëzve. Janë gjëra rënqethëse nëse mendoni se të gjitha këto bëhen në emër të Krishtit, i cili nuk kishte as strehë dhe bariste këmbëzbathur. E pra, jemi devijantë ndaj të gjitha mësimeve të Krishtit dhe më e pakta që mund të presë dikush prej nesh është të mos hedhim gurë kundër të tjerëve. Ishin kryesisht mëkatet tona ato që dënoi Jezu Krishti. Nuk foli për marrëdhëniet paramartesore, por tha qartë se nuk mundet dikush t’i shërbejë dy Zotave: Zotit dhe Mamonit. Tha gjithashtu që kush ka dy palë veshje, njërën duhet ta falë.

Ne priftërinjtë kemi shumë neuroza që lidhen me erotizmin. Dhe shumë nga ato që themi në jetën e përditshme mund të jenë rrjedhojë e neurozave që ne bartim. Mendoj se pjesa më radikale e klerikëve në çështjet e etikës seksuale janë edhe më neurotikët e erotizmit, ose ata që fshihen përmes krijimit të alibive. Aplikojnë radikalizmin për të mos i lejuar të tjerët, njerëzit e thjeshtë, të mendojnë se tek ata fshihet një jetë personale intensive, e cila ka lidhje me atë që nuk ngurohet të dënohet po intensivisht. Pa asnjë dyshim që kur dikush ka në kontroll erotizmin e njerëzve, atëherë ai është në gjëndje t’i mbajë në zinxhir këta njerëz”

Hendeku

At Filothei flet për përçarje në shoqëri pasi Hierarkia e Kishës e konsideron ‘Paktin e Bashkëjetesës’ si një akt kundër familjes.

Dëgjoj disa mitropolitë të thonë se u intereson shëndeti i familjes greke. Ah sikur t’u interesonte, por në të vërtetë ata janë plotësisht indiferentë dhe të paaftë të kontribuojnë në menaxhimin e krizës së familjes. Pjesa më e madhe e Dhespotëve dhe priftërinjve janë grigjërisht të padukshëm dhe kurrë nuk kanë qëndruar pranë një njeriu në nevojë. Jo t’i japim recetë veprimi, por t’i qëndrojmë afër. Sepse, shumë herë, ajo që ka nevojë njeriu në vështirësi nuk është t’i ofrojmë zgjidhje, por të shohë se ne kujdesemi për të.

Në këtë moment familja greke ndodhet në një krizë të frikshme. Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve sot bartin çrregullime psiqike, shumë prej të cilave kanë si shkak priftërinjtë e dhunshëm ndaj mëkateve trupore. Jemi ne priftërinjtë ata që i çojmë fëmijët drejt psikiatrive. Kur dëgjoj prift psikiatër të thotë se ka arritur të shërojë homoseksualë, menjëherë kuptoj se është përpjekur të aplikojë lobotomi psikologjike, duke i shtyrë ata drejt torturave të tmerrshme dhe sindromave të fajit. Katalogu i psikopatologjisë që gëzon prestigj ndërkombëtar dhe që publikohet këtu e 50 vite nga Shoqëria Amerikane e Psikiatrëve nuk e konsideron homoseksualizmin sëmundje. Nga ana tjetër, ekzistojnë priftërinj Grekë që e konsiderojnë sëmundje. Dhe besoj se ai që përpiqet të shërojë një homoseksual është vetë një i sëmurë i cili përdor njerëz të vuajtur në betejën e tij neurotike

Me autokritikë të thellë At Filothei dënon sjelljet autoritare të disa klerikëve:

Shikoni, ne klerikët, në pjesën më të madhe, jemi brendshmërisht ‘kazanë të ndryshkur’. Pra, përpiqemi të mbulojmë ndjenjën e insufiçiencës së brendshme. Sepse shumë nga ne, nëse u heq mjekrën dhe rasën, nuk jemi ndonjë gjë. Do të ishim thjesht një asgjë. Por, këto petraile dhe sende personale që veshim, na bëjnë të fitojmë prestigj, na japin mundësinë të përcaktojmë jetën e të tjerëve, të tjerët varen nga fjalët tona, pra ne fitojmë pushtet. Dhe kështu gënjehemi se disponojmë kapacitetin të rrisim vetëbesimin tonë. Pika që s’na bie! Kur them kështu nuk e kam fjalën vetëm për vetëbesimin, por për përgjegjësinë që ne kemi kur i shtymë të tjerët në gjirin e ilaçeve psikotrope, e cila është në vetvete një rrugë pa kthim. Gjithashtu, shumë prej nesh përpiqen të gjejnë mënyra të tjera për të vënë në dukje faktin që ekzistojmë edhe ne klerikët. Për shembull, merremi me çështjen e emrit të Shkupit ose me gjëra të tjera të ngjashme – që nuk lidhen me misionin tonë – për të thënë se diçka vlejmë dhe bëjmë. Por a kanë këto ndonjë lidhje me mësimet e Krishtit?!

Sipas At Filotheit, qëndrimi i Kishës për ‘Paktin e Bashkëjetesës’ nuk duhet të ketë formën e dënimit dhe marxhinalizimit të atyre që bëhen pjesë e tij, por fjalën e Jetës që ofron Jezu Krishti.

Parimet themelore të Krishtit janë dashuria e njeriut për Zotin dhe dashuria e njeriut për njerëzit e tjerë. Marrëdhënia me tjetrin përbën burim themelor jete për njeriun. Por marrëdhëniet në vetvete nuk janë të thjeshta dhe duhen përpjekje të mëdha për ti bërë ato sa më të shëndetshme. Dimensioni erotik është edhe më i rëndësishmi i këtyre marrëdhënieve. Dhe këtu është e lehtë të bëhen devijime. Sa më shumë devijime, aq më pak plotmëri ka jeta. Dhe plotësimi i jetës vjen brenda marrëdhënieve substanciale, të cilat duan kohë, mund dhe përpjekje të vërteta. Nëse ajo që u duhet të rinjve është ndonjë indulgjencë, atëherë ata nuk ndryshojnë aspak nga priftërinjtë të cilat ua privojnë atë të rinjve. Në ditët e sotme Zoti ka vdekur. E kemi vrarë ne dhe kemi mbetur jetimë. Llafet që shpesh themi, të mëdha, qiellore dhe hynore, jo vetëm që nuk rezatojnë besim, por pasyrojmë ankthin që na karakterizon kur përpiqemi të mbulojmë mungesën e besimit. Sepse besimi nuk transmetohet me llafe, por rezatohet. Nuk mjafton të thuash se ‘Unë besoj’, por është mënyra e jetesës ajo që dëshmon besimin. Sot, mënyra e jetesës të të gjithëve ne vetëm besim nuk mund të dëshmojë. Besimin e perceptojmë si të ishte një e mirë materiale dhe konsumi. Themi: kemi nga kjo, kemi dhe nga ajo, pra i kemi të gjitha dhe kështu nuk ngurojmë të pretendojmë: ‘Është koha të sigurojmë pronën tonë edhe në Parajsë’!”

Publikimi i intervistës 11 vite më parë në gazetën “Kathimerini” u bë me rastin e diskutimit asokohe të ligjit që lejonte dhe rregullonte bashkëjetesën e homoseksualëve. Ky ligj shkaktoi debat publik dhe reagime të mëdha në shoqërinë greke, kryesisht në gjirin e Kishës Ortodokse dhe ndikimit që ajo ruan ndaj sferës politike dhe shoqërore. At Filotheos Faros ishte një nga zërat e vetëm dhe të izoluar që u shprehën publikisht pro ligjit dhe kundër reagimit të spektrit fetar. Impakti i mendimeve origjinale të At Filotheit nuk qëndron vetëm te problemi në fjalë, por shtrihet në aspektin e organizimit shoqëror, moral dhe politik edhe të shoqërive të tjera. Pikërisht për këtë arsye, po e përkthejmë intervistën për auditorin shqiptar.

Kush është At Filotheos Faros?

Lindi në 1930 në Pire. Studioi Shkenca Politike pranë Universitetit Panteio të Athinës; Juridik në Universitetin Aristoteli të Selanikut; Teologji në Universitetin e Athinës; dhe Psikologji Baritore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U shugurua dhjak dhe më pas prift në vitin 1962 në Athinë. Në vazhdim shërbeu si klerik në SHBA. Gjatë viteve 1969-1976 ishte pedagog i Psikologjisë Baritore në Fakultetin e Teologjisë të Oksfordit në Boston. Paralelisht, gjatë periudhës 1970-1976, shërbeu si konsulent-klerik pranë spitalit J. B. Thomas Day Care, ku ofroi mbështetje baritore për çiftet e reja, fëmijët e të cilëve ndesheshin me probleme shëndetësore serioze, si dhe përgjegjës i departamentit të Mbështetjes Familjare në Klinikën Psikiatrike të Human Resource Institute në Boston. Pas kthimit në Greqi në vitin 1976, u mor sistematikisht me punë kërkimore-shkencore dhe shërbeu në Qendrën e Konsulencës së të Rinjve të Argjipeshkvisë së Athinës. Pas daljes në pension, kreu shërbesat fetare në Kishën e Shën Kollit të Rangavasë në Plaka të Athinës, ku nuk nguroi të bisedojë çdo ditë për probleme me të cilat ndesheshin të rinjtë dhe çiftet e reja.

Përkthimi shqip për ResPublica.al : Jordan Jorgji, pedagog i studimeve politike në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

14 komente në ““Zoti ka vdekur. E vramë ne dhe tashmë kemi mbetur jetim!””

  1. Peza says:

    Ky eshte prift njerezor!
    Ketij i besoj plotesisht,por askujt tjeter!
    Te tjeret jane prifterinj biznesmene,qe vertetojne tezen e Marksit se “FEJA eshte opium per popullin”!

    1. "Zoti" nuk ekziston,keshtuqe as ka lindur e as ka vdekur says:

      Prifterinj “njerezore” apo prifterinj biznesmene, te gjithe vertetojne tezen e Marksit se FEJA ESHTE OPIUM PER POPUJT!
      Filozofi roman Seneka ka thene : Fene vegjelia e beson, pushtetaret e perdorin, te diturit e perbuzin!!!
      E mos harroni, besimi ne zot u shfaq diten kur nje mashtrues takoi ne rruge nje budalla!

  2. Tela says:

    Z. Jorgji faleminderit qe sillni ne vemendjen e publikut intrervista te tilla sa informuese aq dhe interesante . Menyra e te konceptuarit e At Filothei Faros e te qenit sherbetor i zotit dhe si ai shikon homosexualitetin eshte vertet revolucionare per nje bashkesi kaq konversatore si eshte Kisha ortodokse greke

  3. Lani says:

    O ZOT NA MDIHMO SE E KEMI SHKATERRUAR BOTEN EDHE FAMILJEN. .ZOT NA LE MEND E KOKES

  4. Zeri says:

    Nuk jam ortodoks, por ky qenka nje njeri i madh dhe i ndricuar. Respekte!

  5. syri says:

    Per shume njerez Zoti egziston dhe ka jete pas vdekjes! Per ateistet ai nuk eshte pare gjekundi! Por Zoti ,duhet pare ne fund te fundit si model jetese! Moral,jo krime dashuri dhe respekt dhe te tjera cilesi te mira! Bota po c’thurret nga nje grusht njerezish te pangopur! Keta njerez pasohen nga turma mediokrish te pa shkolluar qe duan te bejne para me c’do kusht! Politika shqiptare eshte e mbushur plot me njerez te tille! Me tipiket Saliu dhe likja!

    1. i cudituri says:

      GOMAR! Pikerisht ata qe sundojne boten, kete ide qesharake qe thua ti duan te fiksojne ne trute e njerezve derdimene si puna jote!
      TRUPESHK!

  6. Prometheu says:

    Nuk mund te vdese dikush qe nuk ka ekzistuar kurre.

    1. "Zoti" nuk ekziston,keshtuqe as ka lindur e as ka vdekur says:

      SAKTE!

  7. Dash says:

    RESPEKT ! Prift i rralle ne Greqi , …mesimet e tij UNIVERSALE , do te ishte shume bukur qe Greqia te emancipohej nen nje udherrefyes te tille , sepse keto mesime do te reflektonin edhe ne qendrimin e shtetit ndaj gjitonit verior ose babait te Greqise qe jane iliro-arvanito-shqiptaret…..(te jete gjalle akoma ?)…………shume perpara !

  8. Dikush says:

    Faleminderit per perkthimin me cilesi te larte. Fjalet e ketij prifti jane vertet njerezore dhe te verteta.

  9. Komentuesi says:

    Vertete, At Filotheos Faro,qenka nje njeri i madh ne mes te medhenjeve,dhe meriton respektin e gjithe njerzeve te botes,per mençurin e tij.Qenka njeri i jashtezakoshem.Sikur njerzit dhe kleriket e botes, te te gjithe feve,te ishin si At Filotheos,bota vertete do ishte shume perpara.E lexovame shume vemendje shkrimin mbi mendimet e tija brilante dhe me ka lene mbresa te jashtzakosheme ne shpirtin tim,pershtypje shume te mira.Urime dhe pershendetje.

  10. realisti says:

    Ndjehen fjalet e Niçes dhe filozofia e tije ne arsyetimin e ketije prifti . E ka thene ai Niçja me pare qe zoti ka vdekur. Umberto Galimberti ,nje profesor filozofie italian arsyeton ne te njejten fryme. Ai thote se çelesi qe zberthente kuptimin e veprimeve dhe jetes se shoqerise njerezore ishte fjala ZOT. Nese historise se mesjetes i heqim fjalen Zot nuk kuptojme asgje. Pra Zoti bente boten per njeriun e asaj kohe. Sot çelesi qe zberthen kuptimin e veprimeve dhe te jetes se njeriut nuk eshte me fjala Zot por fjala pará. Nese historise moderne i heqim fjalen pará nuk kuptojme asgje. Pra paraja ben boten per njeriun e sotem . Ne kete kuptim zoti ka vdekur , ai nuk ben me boten.

    1. ik ere pirdhu says:

      Zoti lindi kur nje mashtrues ordiner takoi rastesisht nje debil inferior (si ty) ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje