Prokuroria Speciale e Kosovës e ka intervistuar për herë të tretë bashkëpunëtoren më të afërt të liderit të ndjerë të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviçit, sekretaren Silvana Arsoviç, e cila dyshohet për përfshirje dhe për ndihmë të vrasësve të Ivanoviçit, shkruan gazeta “Zëri”.
Arsoviç dyshohet se i kishte kyçur kamerat vëzhguese në Zyrat e SDP-së pesë minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, ndërsa në momentin e vrasjes ajo ndodhej e vetme në zyrë.
Për vrasjen e Ivanoviqit akuzohen edhe nënkryetari i Listës Serbe Millan Radojçiq, për të cilin është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, policët Dragisha Markoviç dhe Nedelko Spasojeviç, si dhe Marko Roshiç, shkruan sot Gazeta “Zëri”. Edhe pas gati 19 muajsh vrasësi ose vrasësit e Oliver Ivanoviçit, nuk janë gjetur.
Në paraburgim si të dyshuar se kanë ndihmuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit ndodhen dy policë: Dragisha Markoviç dhe Nedelko Spasojeviç, si dhe Marko Roshiç, numri i tabelave të veturës së të cilës janë gjetur në xhepin e Ivanoviqit të vrarë.
I dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiç, i cili ka ikur në Serbi, pas aksionit të njësisë speciale ROSU të Policisë së Kosovës në veri, për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Ai gëzon mbrojtjen direkte të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Radojçiçin.