Historia e patreguar e kampeve të Lushnjës

18 Gusht 2019, 18:27Sociale TEMA

Nga Gentiana Sula

Në fund të nëntorit 1953 u mbyll kampi famëkeq i Tepelenës. Ata që u liruan nga internimi, kapërcyen telat me gjemba dhe në këmbë morën rrugën për shtëpi.

Mijëra të internuarit e tjerë të kampit, u hipën në kamionë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u nisën drejt së panjohurës.

Kryeqendra e internimit ishte Savra, një fshat buzë rrugës në Lushnjë, ku ndodhej edhe komanda.

Sapo zbritën në zonën kënetore të Myzeqesë, e cila në vitet e mëpasme funksionoi si ferma “29 Nëntori”, të internuarit e Tepelenës, tashmë jashtë telave me gjemba, u rreshtuan për apelin e radhës me njoftimin e çangës.

Familjet “armike të popullit” nga e gjithë Shqipëria u vendosën në 7 baraka, në kushte shumë të vështira dhe për ta nisi një jetë e re, me punën në fermë, apelin e përditshëm dhe përshtatjen me kushtet e reja të jetesës.

E ideuar si kryeqendër internimi politik, ku do të mbaheshin në kontroll “klasat e përmbysura”, Savra i kapërceu arsyet për të cilat u krijua dhe jeta filloi të gjallonte me të gjitha ngjyrat e saj.

Në pak vite Savra dëshmoi martesat e para mes të internuarve, ku familjet e mëdha, të dënuara shumëfish, lidhën pazgjidhshërisht fatet e tyre. Dinjiteti njerëzor i “dyerve të mëdha”, Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Alizoti, Alla, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Mirakaj e dhjetëra të tjerë, mes të cilave e pesë kryeministrave shqiptarë, Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës, Fiqiri Dines, po mundte hapësirat e ngushta të barakave, ku vijonte përkthimi shqip i “Orlandit të çmendur” të Ariostos, me 40.000 vargje, nga Prof. Guljelm Deda, dëgjoheshin zërat e fëmijëve të lindur në Savër dhe shpresa po fitonte mbi të gjitha, me ligjësitë e saj të pashpjegueshme.

Siç shprehet një nga të lindurit në internim, – Jozef Radi, i biri i Prof. Dr. Lazër Radit, – i cili e kaloi një pjesë të jetës në Savër, “për herë të parë pas Tepelenës, të internuarit kishin një ëndërr, në vend të një klithjeje vdekjeje”.

Kjo afri e “klasave të përmbysura”, ky grumbullim që rreshtohej rregullisht për apel dhe gjatë ditës i nënshtrohej punëve më të rënda bujqësore, shumë shpejt u pa si kërcënim real nga arkitektët e tij.

U vendos që Savra të shpërndahej në shumë fshatra të zonës kënetore dhe familjet e ndëshkuara t’i kryenin atje internimet 5-vjeçare. Qendra internimi u kthyen fshatrat e Çermës kamp, Çermës sektor, Grabianit, Gradishtës, Kryekuqit, Karavastasë, Bedatit, Plugut, Gjazës, Rrapëzës, Kolonjës, Dushkut, Zhamës, Sulzotajt, Karbunarës, etj.

Komisioni i internim-dëbimeve mblidhej dhe vendoste për shtyrje të internimeve, sa herë anëtarët e këtyre familjeve mbërrinin në ditët e fundit të dënimit të dhënë, kryesisht nga 5 vjet.

Në disa shkresa të Aranit Çelës dhe Mihallaq Ziçishtit, thuhet se:

“Nuk ka t’internuar që të mbahen pa vendim të komisionit përkatës pranë kësaj Ministrije. Ka persona që janë internuar qysh nga viti 1950 dhe para kësaj kohe, por për këta persona, për rrezikshmëri shoqërore është zgjatur afati i qëndrimit të tyre në internim, të tillë janë persona që kanë qenë me pozita gjatë okupacionit të vëndit, si p.sh. familja Mirakajvet, Hasan Dostit, Pervizit, etj.”

Të internuarit renditeshin përditë për apelin në oraret e caktuara dhe i kishin të ndaluara lëvizjet jashtë fshatit ku jetonin. Për lëvizjet jashtë fshatit duhet të pajiseshin me leje të operativit. Punët e tyre ishin më të vështirat në fermë dhe privimet nga jeta sociale ishin gjithherë të pranishme.

Në këtë kontekst, a mund të konsiderohen kampe të punës fshatrat e mësipërm të fermës “29 Nëntori”? Apo ishin qendra internimi? Apo ishin burgje pa hekura?

Gjatë procesit të dokumentimit, sot, 30 vjet pas rënies së komunizmit, ne fotografuam vijën e ujit në Gjazë, e cila ishte pika kufitare që nuk mund të kapërcehej nga të internuarit. Edhe vija e ujit në Gjazë ka historinë e saj të patreguar të kufirit.

Po dënimet e rinovuara 5-vjeçare për 35 vjet me radhë, familjare, a u jepnin këtyre qendrave të internimit, të vendosura në ferma të mëdha e pjellore, ngjyrimin e kampeve të punës së detyruar?

Po marrëdhënia e përcaktuar qartë mes “këtyre të apelit” dhe fshatarëve të zonës, punëtorë të fermës, me vështirësitë e përditshme të punës e jetës së përbashkët, apo demaskimet teatrale në vatrat e kulturës të fshatrave përkatëse, si mund të përkufizohen?

Po arrestimet e të internuarve, dalja me pranga nga zyra e operativit, apo leja e refuzuar për t’u varrosur në vendlindje, si rasti i të ndjerit Mark Temali, si ndikojnë në emërtimin e këtyre qendrave të internimit ku shkuan jetën mbi 700 familje, siç ka dokumentuar Instituti për Integrimin e të Përndjekurve Politikë.

Ka shumë pyetje e përgjigje komplekse e shkuara e afërt, e cila meriton të njihet, të tregohet, të studiohet, të dokumentohet e, duke u rrëfyer në vende kujtese, të bëhet e vizitueshme për të rinjtë dhe brezat që do të vijnë.

Kjo është detyra e rëndësishme që kemi marrë përsipër.

Për këtë, Autoriteti synon ta shtrijë bashkëpunimin e vet në fushën e kujtesës, me të gjitha institucionet publike, shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Ky është projekti juaj/ish-të internuarve, që do të përkrahet nga ju, zhvillohet me ju dhe rritet me përfshirjen e të gjithëve.

Prezantimi i një projekti të tillë kompleks, me qasjen tonë europiane, i mbështetur mbi dinjitetin njerëzor, vë në jetë një ndër synimet e AIDSSH-së për hapjen e dialogut mbi të shkuarën, bazuar në kërkim, të dhëna e dëshmi, përfshirjen e të gjithë shoqërisë në të dhe edukimin qytetar të të rinjve, me vlera të demokracisë e respektim të të drejtave të njeriut.

*Fjala e mbajtur sot, ne emer te #AIDSSh

7 komente në “Historia e patreguar e kampeve të Lushnjës”

  1. cubi.matjan says:

    “Dyer Te Medha”?!!!!? KUSh???? Kuislinget, Tradhetaret pakufi, panderprerje, padin e paimam.Haaaaa Genti Suma shkruan mesiper. Harresa, harresa. Kurre mos iu zente. Mallkimi me I rende qe mund ti behet njeriut. E ke nuk e zuri ky mallkim per aq kohe sa koken vetem
    para e Conte. Shiko edhe mbrapa – I thane – atehere kuptoi se ishte ne buze Te Gremines… .

    1. Poshte Fashizmi says:

      FUNDERRINAT e Shqiperise ishin mbledhur ne katunin e Lushnjes! Ahhhh Enver te lumte dora dhe mendja!
      Presim me padurim diten qe FUNDERRINAT e sotme ti mbledhinm te gjithe ne nje katund te Afrikes, qe te shpetoje atdheu yne nga keta shkerdhata! Per kete kerkohet nje Enver i Ri!!!

  2. Artur says:

    Sa per kujtese se nder ato familje ne Lushje ka qene te internuar edhe familja JUKA e META nga shkodra. Faleminderit

  3. Per aq kohe sa jeni ne kete pozicion pune, ju Znj.Sula duhet te beni detyren pa u prononcuar ne media si gazetare e radhes. Ka ligje shteti. Kete nuk duhet ta harroni. Por, edhe mbas largimit nga kjo detyre delikate, ju nuk duhet te shfrytezoni materialet apo produktet e pozicionit zyrtar qe u eshte besuar sot. Ju nuk keni te drejte te shfrytezoni per interesa personale, etj., njohurite qe mesoni.gjate ushtrimit te detyres. Detyra Juaj eshte Kushtetuese, por edhe e shenjte.

  4. pak arësye says:

    PO puna per reabilitimin e ketyre ka filluar shpejte Gentiana. Miljarda leke te taksapaguesve shqiptare u kaluan si demshperblim ketyre , sikur fajin ta kishin taksapaguesit dhe jo qeveria e shteti. Populli e mori ne kryqe me demokracine, keta u bene miljardere deri tek brezi trete. Ne Tepelene u ngrit nje muze i pa precendete, Edi Rama e beri hero Mitat Frasherin, ndersa Uran Butka ka shkruar mijra faqe libri per heroizmat e ballisteve dhe bashkepuntoreve te nazi-fashistit. Kemi dhe nje Celo nga Progonati qe tund kembete kur rri ne karrike. Dhe jo vetem: Sot ata bejne ligjin, ndersa te pafajshmit e dikurshem, jane te fajshemit e sotem. Ndryshuan vetem krahet. Duhet te vije nje kohe tjeter qe gazetare te shkruajne per shumicen e heshtur. Me kete qe shkrova nuk dua te hedhe poshte te gjitha gjerat, por u be boze e qelbur. Sot jane ngritur per te fshire nga memorja dhe luften e dyte boterore. Edhe kjo do te realizohet se forca rreaksionare e kane ne dore demokracin e quajtur. Por s’ka gje: populli do mbijetoje me lakra dje e me lakra sot. Bile ato jane me te shtrenjat e bio. Lufta nuk u be per demokraci, por per çthurje dhe ajo u realizua edhe me kontributin e Sali Berishes.

  5. Buda says:

    Debim -Internimet jane njollat me te zeza te sistemit Socialist Diktatorial ne Shqiperi.
    Nje keshille modeste per respekt te Gentianes: bashkepunoni me historiane dhe jo poete,

  6. Savraku says:

    Nje shkrim me fjale te pergjitheshme,te perseritura dhe riparseritura nga shume shkrues…..Une kam jetuar ne Saver vajta kur isha 8 vjec dhe u largova rreth te 20 -ave.Nuk kam qene i internuar….u rrita dhe une me rritjen e Savres,Savres se betejave te Skenderbeut me turqit.Gjate gjithe kohes kam ndjere keqardhje per te ardhurit me force , me aq sa mund te kuptoje nje i mitur.U rita me shoqerine ,cuna te “lire” e te internuar.Edhe sot kam shoqeri me shume shoke qeedhe ata u rriten ne internim.
    Vetem nje gje do te thosha….ne Saver ishin vetem tra kater procese pune,te gjitha ne bujqesi,aty punonin edhe pjestaret e rritur te famiuljes sime e te gjithe te tjereve,brigadat ishin mikse,norma e punes e njejte,prashitje,rrallim,hapje kanali,vaditje,vjelje pambuku etj etj.Nuk kishte diskriminim ,diferencim….kurse per problemet e tjera te jetes,natyrisht qe kishte.
    Ju uroj te gjithe bashkejetuesve te mi te kene jete te gjate,shendet dhe gjithe te mirat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje