Zhaklina Peto rikthehet në garë, shpejtohet ngritja e Gjykatës Kushtetuese (por vendoset në pikëpyetje standardi i procesit)

23 Gusht 2019, 18:26Kronika TEMA
Zhaklina Peto rikthehet në garë, shpejtohet ngritja e Gjykatës

Mbledhje e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

E skualifikuar për pasuri të padeklaruara dhe të pajustifikuara, Zhaklina Peto rikthehet përmes gjykatës për herë të dytë në tryezën e vendimarrjes së KED-it. Një lejim i mundshëm i saj shpejton ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, por vendos njëherazi në pikëpyetje standardin e procesit.

Nga Aleksandra Bogdani

Gjykata Administrative e Apelit ka rikthyer në garë për Gjykatën Kushtetuese pedagogen e Fakultetit të Drejtësisë, Zhaklina Peto, e skualifikuar më parë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për shkak të problemeve me pasurinë.

Peto ngriti padi kundër vendimit të KED-it më 9 gusht dhe më 22 gusht, një trupë gjyqësore e përbërë nga Alkelina Gazidede, Amarildo Laçi dhe Bari Shyti vendosi të pranojë pjesërisht padinë e saj.

Dispozitivi i vendimit të publikuar tregon se Gjykata Administrative e Apelit ka shfuqizuar dy vendime të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilat i ndalonin Petos kandidimin për një mandat të plotë dhe një vakancë të parakohshme; të dyja këto të shpallura nga Presidenti i Republikës më 17 shkurt 2018.

Peto ka kërkuar gjithashtu që lejimin e kandidimit ta sigurojë përmes vendimit të gjykatës, por kjo kërkesë është pushuar dhe çështja është rikthyer sërish për vendimarrje në tryezën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Zhaklina Peto ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1995 dhe zotëron titullin Master në Shkencat Civile si dhe PHD. Ajo është pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë prej vitit 1996 si dhe autore e disa librave në fushën e së drejtës.

Paralelisht me padinë e mësipërme, Peto ka dorëzuar një padi të dytë kundër KED-it në datën 13 gusht, duke kërkuar sërish lejimin e kandidimit për vakancën e parakoshme. Padia e dytë është në proces shqyrtimi nga një trupë tjetër gjyqësore.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka çertifikuar deri më tani kandidatë të mjaftueshëm për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që një rikthim i mundshëm në garë i pedagoges Zhaklina Peto do të riaktivizonte edhe listën e pestë për vakancën e përkohshme të 17 shkurtit 2018, duke shpejtuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, një vendim i ndryshëm i KED-it për kriterin e pasurisë do të ngrinte pikëpyetje mbi standardin e procesit.

Problemet me pasurinë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat më 2 gusht 2019. Sipas vendimit të zbardhur, ajo u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve.

Lidhur me kontrollin e pasurisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi administroi raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se Peto “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.

Sipas ILDKPKI, Peto ka deklaruar pronësinë mbi një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit që ka gjithashtu sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.

Për këtë pasuri, ILDKPKI konstaton gjithashtu se subjekti ka mungesë dokumentacioni justifikues në lidhje me shpenzimet dhe burimin financiar të shtesës, ka mungesë dokumentacioni për 80 mijë dollarë të deklaruara si dhuratë nga prindërit si dhe vlera e deklaruar prej 3.9 milionë lekësh për blerjen e apartamentit dhe tarracës në vitin 2000 gjykohet të jetë e ulët.

ILDKPKI ka konsideruar gjithashtu të dyshimtë transaksionin e shkëmbimit të një apartamenti 110 m2 me një apartament 156 m2. Sipas ILDKPKI, apartamenti i shkëmbyer është blerë për rreth 117 mijë euro në vitin 2017 dhe është shitur për 170 mijë euro një vit më vonë.

Një transaksion i ngjashëm është evidentuar edhe në vitin 2013, ku Peto sipas ILDKPKI deklaron se ka blerë një makinë për 500 mijë lekë, të cilën e ka shitur katër vite më vonë për 13 mijë euro.

Në raportin dërguar KED-it, ILDKPKI konstaton gjithashtu paqartësi dhe mungesë dokumentacioni ligjor për burimet e mbi 150 mijë eurove të paguara gjatë transaksioneve me pasuritë e paluajtshme. Inspektoriati konstatoi gjithashtu se dokumentacioni i të ardhurave të deklaruara nuk ishte i plotë. Dyshime u ngritën gjithashtu mbi një apartament prej 35.5 m2, për të cilin Peto rezultonte si qiradhënëse në vitin 2009.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e KED, Zhaklina Peto i ka hedhur poshtë pretendimet e ILDKPKI-së dhe ka dhënë shpjegime mbi gjetjet e konstatuara.

Lidhur me shtesën 130 m2, Peto ka pretenduar se ndonëse nuk është specifikuar në deklaratë, ka dorëzuar në ILDKPKI lejen e legalizimit për sipërfaqen e mësipërme si dhe dokumentacionin ligjor. Ajo ka shtuar gjithashtu se ndërtimi pa leje është bërë nga shitësi, ndaj edhe shtesa ka qenë e paregjistruar.

Ajo pretendoi gjithashtu se kishte justifikuar me dokumentacion ligjor burimin e 80 mijë dollarëve që i kishin dhuruar prindërit, sipas së cilës 50 mijë dollarë rrjedhin nga kontrata e shitjes së një apartamenti.

“Gjithashtu rezulton se nga deklarata me dt. 20 qershor 1999, znj. S.R i ka dhënë zonjës Sh.P shumën 30 mijë dollarë me qëllim dhurimit të shumës vajzës për blerje apartamenti,” ka shtuar ajo.

Peto ka shpjeguar gjithashtu se kontrata e shkëmbimit të apartamenteve ishte në formën e kërkuar nga ligji dhe se ajo kishte investuar rreth 60 mijë euro, çka e ka rritur vlerën e saj nga 117 mijë në 170 mijë euro. Ajo ka pretenduar gjithashtu se kishte burime të ligjshme për të gjitha pikëpyetjet e tjera të ngritura nga ILDKPKI.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kontraktuar edhe një ekspert financiar për analizën e pasurive të Znj. Peto, i cili ka dalë në përfundimin se pasuritë kishin burime të ligjshme dhe se justifikoheshin me të ardhurat e dokumentuara të familjes.

Megjithatë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dhënë të drejtë raportit të ILDKPKI, duke arritur në përfundimin se “deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin dhe se ka mungesë dokumentacioni dhe mosdeklarim të pasurive dhe vlerave të tyre.

15 komente në “Zhaklina Peto rikthehet në garë, shpejtohet ngritja e Gjykatës Kushtetuese (por vendoset në pikëpyetje standardi i procesit)”

  1. pak arësye says:

    Te gjithe ata qe kane mbaruar universitet ne Shqiperi nga 1991 e deri ne 2013, jane njerez te pa afte per asnje pune, vetem te vjedhin dhe kriminalizojne; kete e bejne mire. Po marre nje shembull konkret dhe me pesh kombtare nga posti: presidenti republikes ka mbaruar per ekonomist, por del pyetja sa dite ka punuar ekonomist dhe a merr vesh po ta çosh ne banke a ne ndonje vend tjeter me kete detyre e profesion? Zero me bisht, nuk merr vesh fare nga ekonomija. Kur presidenti eshte nje NUL, po te tjeret ku jane?! Do thuashe qe ka plot, por Shqiperine e perfaqeson presidenti dhe jo nje specialist i thjeshte. Presdenti nuk di as ate llogarine 8 : 2(2+2) qe pashe para ca ditesh. Ja pyeteni per rezultatin dhe do beje te njejten gafe si Lulezim Basha qe strategjine e ka bazuar tek babale dhe 7×7=42 . Prandaj Shqiperia eshte ne kete gjendje. Merre me mend, gjyqtare plepash, prokurore plepash, ai vlonjati qe ma mburrni shume Leskaj qe ka mbaruar qysh ne 1993 tre universitete e sot eshte kryetari kontrollit shtetit (pika shteti)…keta jane, kjo eshte Shqiperia dhe ky eshte populli azgan. Po qe jane birbila gjyzar nga goja dhe kujtojne se me ato qe thone te kane mbushur mendjen sepse kane mendjen e tyre te mbushur me kashte te thate. Ne qoftese ju lodha apo merzita me komentin, mos e lexoni, kalojeni me poshte : ju faleminderit per mirekuptimin.

    1. Ppa says:

      Pak aresye…je ne rregull kur themi ne ketej nga Vlora.

    2. Kalec Dega says:

      Rilindja me Ramen po nderton shtetin e se drejtes mohuar dhe shkaterruar nga Sali Shpellari.


      Kush tha qe ne Shqiperi ka vdek humori dhe estrada!

      Ky a shteti i ri rilindur apo ripjellur nga Rama e Ruci/Meta.


      SPAKU si vetingu ne duart e Mafjes ne pushtet .

      Si Saliu dhe Rama po tall menderen dhe po lyen m u tin me shu rre dhe shqiptari bageti merr fryme lirshem me shprese se dicka magjike do sjelle shteti rrumpalle i Sali/Rames.

  2. Miri says:

    Me ILDKP merreni ju akoma..Ky institucion eshte thjesht institucion gjobvenes, asgje tjeter..Si mumd tw presesh relacione objektive kur Shkelqim Ganaj e mat çdo gje me euro. Çdo institucion qe ka te beje me akte ose hetime te kryera nga ILDKP duhet ti marre ato me rezerva se o nuk jane te sakta ose ne ato raporte eshte mendimi hakamrres i Shkelim Ganaj per ndonje qefmbetje, porosi marre nga dikush ose nese eshte gjyqtar ose prokuror ka lidhje me ndonje vendim qe nuk i pelqen z. Ganaj..ILDKP eshte nje nga institucionet me te korruptuara te vendit. Presim drejtesi nga ata qe jane zhytur ne korrupsion.

  3. Chicago Bulls says:

    Gjykatat e Metes/Rucit/Rames/Saliut…ca ka nonji gja t’re?

  4. Maja says:

    Ueeeeee, haahahaaah Po pse ore deri ketu ka mberritur puna! SA funy vend eshte Shqiperia!

  5. Deshmitari.okular says:

    Po te mos ishe ushtar i bindur i Argites.Jo vetem nuk mundet te ishe pedagoge ne juridik Por as te futeshe ne dere.Edhe kandidaturar e magjistratures i caktonte ajo,jo pedagoget qe pa diskutinln.

  6. Artan says:

    Po pati njeri te pakompromentuar ne shqipri eshte Zhaku. Kaq vjet ne fakultet dhe kurre nuk i ka degjuar njeri per keq. Si shkuan punet me burrin e pare jane punet e tyre, por ajo eshte zonje grua.
    Sa per pare, prindrit kane pas prona ne tirane den babaden.
    Ti thu qe eshte shoqe me Moniken, po a e ke pa noj her ke selia LSI? As nji here. As mitingje a ku di une me politike. E kjo dmth q e ndan shapin nga sheqeri.

  7. Like says:

    Ben vaki edhe me makinen ashtu. Nuk e di rastin ne fjale por po te tregoj nje shembull:
    Nje djale nga Tropoja para nja 10 vjetesh kishte sjelle nje makine qe kushtonte 18.000 euro. Ben nji aksident dhe iken. E mbyll makinen ne garazh dhe nuk e nxorri me nga frika. Mbas vitesh e shiti per 500€ per pjese!!

  8. alphade says:

    Replike me “pak arezye” si flisni keshtu per presidentin e Respublikes,
    qe nuk na ditka llogarite dhe eshte “nul” ne fushen ekonomike. Ai mund
    te mos marre vesht per ekonomine dhe llogarite e shtetit, por kur vjen
    puna per “ekonomine e vet” eshte HAS, nuk ja ha qeni shkopin. Besoj se
    si Ti dhe Une jemi dakort ne kete pike ?!

  9. Fakulteti i Çdrejtesise says:

    Na jepte mesim ne fakultet drejtesie kjo… me makuterine e saj per gjerat materiale dhe qe nuk merrte mundimin ta fshihte (si ca kolege te tjere aty) i peshonte studentet sipas kamjes! Vertet prurje te tilla shkermoqin reformen ne drejtesi, te pakten per ata qe i njohin keta persona

  10. Eniana says:

    Turp per ata qe e shajne Zhaklinen. Eshte pedagoge shume e mire, kolege e shkelqyer, shefja me e mire e departamentit civil. Njeri me te mire dhe me korrekt nuk gjen. E meriton me shume se kushdo tjeter te shkoje. Ne qe e njohim nga afer e dime se cila eshte e verteta. Kushdo qe e njeh Zhaklinen e di qe pasurite i ka te familjes: prona te gjyshit, biznese te babait. Nuk besoj se duhen rreckamane gjyqtaret. I uroj suksese Zhakut e me behet qejfi per te.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje