Mesfushori Radja Nainggolan do të përballet këtë fundjavë me skuadrën që ka pronësinë e tij, Interin, në sfidën që zikaltrit do të luajnë në transfertë ndaj Cagliarit, ekip që ka marrë në huazim belgun.
Në një intervistë të gjatë për mediat italiane, Nainggolan ka treguar se do t’i pëlqente të punonte me Conten dhe të tregonte vlerat e tij, por nga ana tjetër vlerësoi mënyrën e drejtpërdrejtë që drejtuesit zikaltër i kishin komunikuar në lidhje me të ardhmen e tij.
“Më pëlqeu që u treguan të drejtpërdrejtë dhe ma thanë gjithçka hapur. Nuk më takoi Marotta, por ishin Conte dhe Oriali që më treguan vendimin e shoqërisë.
Më pëlqeu shumë Conte dhe do të doja të punoja gjatë me të e të tregoja vlerat e mia, por edhe kështu jam i lumtur.
Bashkëshortja ime po lufton me sëmundjen dhe këtu në Sardenja do të jetë me familjarët dhe miqtë e saj, dhe do ta ketë më të lehtë”, deklaroi belgu.
Të njëjtën situatë si Nainggolan ka edhe Mauro Icardi brenda klubit zikaltër, por argjentinasi deri tani ka rezistuar dhe nuk ka pranuar të largohet. Vetë Nainggolan zbuloi edhe arsyet e krisjes së klubit zikaltër me ish kapitenin e tyre, Icardin.
“Situata e Icardit është ndryshe, pasi ai po vuan pasojat e deklaratave televizive të të shoqes. Disa njerëz nuk e falën për ato deklarata, ndonëse për mua personalisht nuk përbënte problem, pasi nuk ndiqja televizor fare. Megjithatë do të ishte mirë që edhe Mauro të pranonte një tjetër destinacion, për të treguar vlerat e tij”, tha Nainggolan.
Në lidhje me ndeshjen e fundjavës, Nainggolan tha se është gati t’u tregojë drejtuesve se kanë gabuar me të, ndërsa pranoi se do të donte të rikthehej sërish, por kjo i dukej e vështirë të ndodhte sërish.
“Mendoj se nuk ju pëlqen shumë mënyra se si unë jetoj e sillem, por dua t’u tregoj se kanë gabuar. Dua të tregoj vlerat e mia në fushë jo vetëm ndaj Interit, por ndaj çdo kundërshtari, ndonëse e di që rikthimi në Milano do të ishte i vështirë”, tha belgu.