Edi Reja: Duhet bllokuar Griezmann, më duhen 11 luanë ndaj Francës. Ja se si mund t'i rrezikojmë

6 Shtator 2019, 20:27Sport TEMA

Edoardo Reja, trajneri i Shqipërisë, ka folur përpara kamerave dhe mediave në prag të sfidës ndaj Francës, ditën e shtunë.

“Për t’ia dalë me Francën, dihet që duhet të bëjmë sa më pak gabime, sepse po flasim për një kombëtare me shumë potencial dhe kampionë, duke qenë se i duhen pak hapësira për të na goditur”.

“Deschamps? E njoh shumë mirë, e kam mik dhe e respektoj. Ka ekuilibër të jashtëzakonshëm dhe nuk hidhet në sulm menjëherë me ekipin. Do të kërkojë ekuilibër taktik. Plus, ka futbollistë që dijnë të bëjnë diferencën dhe që në kundërsulm mund të të godasin. Nuk them që Franca do të luajë në mbrojtje, por do të na japë pak hapësira, duke u mbyllur ashtu si duhet”.

“Frika? Duhet kujdes, sidomos në mesfushë dhe Griezmann është ai që katalizon çdo aksion. Nuk e lëmë dot të lirë, sepse ai shpik nga momenti në moment. Nuk duhet mbuluar vetëm ai, por sidomos ai. Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në markim. Franca ka lojtarë të mrekullueshëm”.

“Hysaj vendimtar? Jo, duhet të luajmë të gjithë, si grup, njëri për tjetrin! Asnjë lojtar nuk bën i vetëm diferencën. E parashikoj ndeshje në mbrojtje në fillim, por nuk dua të jetë kështu gjithë ndeshjen. Duhet t’i vjedhim topat e parë, nëse arrijmë i vendosim në vështirësi. Më duhen 11 luanë nesër”.

“Deschamps na vlerëson dhe e ka thënë… Ai nuk flet kurrë kot! Jam krenar që na vlerëson dhe respekton. Besoj te djemtë e mi. E dimë që do të jetë e vështirë, por duam rezultat!”.

Çfarë do t’u këshilloni futbollistëve të tu, për ndeshjen ndaj kampionëve të botës?

I këshilloj të mos bëjnë gabime dhe t’i japin sa më pak hapësira Francës. Duhet të japim maksimumin dhe të mbyllim çdo hapësirë, pasi një gabim i vogël, mund të kushtojë shtrenjtë. Njëkohësisht duhet të jemi gati për të shfrytëzuar hapësirat që do të na lërë kundërshtari.

Bashkë me trajnerin e Francës, keni drejtuar të dy në të njëjtin sezon, në Serinë B. Cilat janë pikat e dobëta që mbani mend nga Deschamps?

Deschamps është një mik, për të cilin unë kam shumë respekt. Ai nuk do të rrezikojë dhe nuk do t’i hedhë të gjithë lojtarët e tij në sulm, por do të kërkojë një ekuilibër taktik,. Ka në skuadër futbollistë shumë të mirë taktikisht, që zbresin shpejt në kundërsulm dhe dinë të shfrytëzojnë hapësirat sado të vogla.

Nesër na duhen muskuj e centimetra, apo shpejtësi e teknikë?

Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në markim. Franca ka shumë cilësi dhe Griezmann është një futbollist që shfrytëzon çdo lloj hapësira e mund të na vërë në vështirësi edhe nga hiçi. Duhet të rreshtohemi mirë, të jemi agresivë dhe t’i markojmë kundërshtarët në çdo cep të fushës.

Luani ndaj një kundërshtari me shumë futbollistë të mëdhenj. A është imazhi i Hysajt është ai që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë takim?

Hysaj është sigurisht një futbollist i rëndësishëm dhe me një eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Është shumë i mirë në planin difensiv, por nuk mjafton vetëm ai, sepse duhet të luajmë të gjithë një ndeshje të madhe. Ne duhet të formojmë një skuadër me grup të fortë dhe të dyfishojmë markimet. Ata do të na hapin probleme, por duhet të bëjmë kujdes dhe të mos mbyllemi në mbrojtje. Duhet t’u rrëmbejmë topin sa më shpejt të mundemi dhe të tentojmë t’i vëmë në vështirësi. Unë kam nevojë për 11 luanë nesër, pasi nuk luftohet vetëm me Hysajn.

Deschamps pranoi se e njeh shumë mirë Shqipërinë dhe se dinte për ndryshimin e skemës, me ardhjen tuaj. Lajm i mirë apo i keq?

Lajm i keq, pasi sa më pak të të njohin, aq më mirë është. Megjithatë ai do të kërkojë që lojën ta bëjë skuadra e tij dhe jo t’u përshtatet karakteristikave të tij. Më vjen mirë që ai ka konsideratë për Shqipërinë, pasi që kur kam ardhur, skuadra luan më e organizuar dhe këtë e kemi treguar në fushë. Megjithatë çdo ndeshje studiohet me detaje dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por do të tentojmë të dalim me pikë. Nuk falet asnjë ndeshje, pasi fillimisht duhet të luhet dhe më pas të shohim rezultatin.

Franca shënon shpesh nga goditjet standarde. I keni marrë masat për këtë?

E njohim Francën dhe lojtarët e saj. Kanë një prezencë fizike të konsiderueshme, por edhe ne kemi lojtarë shtatlartë, që janë shumë të aftë në lojën në ajër. Ne do të tentojmë ta vëmë në vështirësi Francën edhe në rastet tona nga goditjet standarde.

2 komente në “Edi Reja: Duhet bllokuar Griezmann, më duhen 11 luanë ndaj Francës. Ja se si mund t’i rrezikojmë”

  1. Enver says:

    Duket nga intervista qe kemi nje trainer te nivelit te larte. Besoj qe Reja do te arrij te ndertoj nje skuader te mire por duhet kohe.

  2. Raimond vlonjati says:

    Ne do marrim pike neser

    Dhe mus me eshte fiksuar qe do fitojme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje