Ish-këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka kritikuar strategjinë e politikës së jashtme të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency.
Këto komente, siç raportojnë mediat lokale, Bolton i bëri gjatë adresimit të tij në një drekë me dyer të mbyllura në Institucionin Gatestone në New York.
Sipas raportimeve, Bolton tha se lëvizja e Trumpit për të ftuar talebanët për bisedime të paqes në Camp David në Maryland dërgoi një “sinjal të tmerrshëm” dhe ishte “mosrespektues” për viktimat e 11 shtatorit, sepse siç tha ai, talebanët strehuan Al-Kaedën.
“Ai sulmoi Trumpin, pa përdorur emrin e tij, disa herë”, tha një i pranishëm anonim.
Përveç kësaj, Bolton vazhdimisht tha se dështimi i Trumpit për t’iu përgjigjur rrëzimit të një droni amerikan nga Irani në qershor ka çuar në agresionin e muajve të fundit të Teheranit.
Trump javën e kaluar në mënyrë të papritur largoi Boltonin nga funksioni që shërbente.
Bolton prej kohësh ka mbrojtur një qasje agresive ndaj politikës së jashtme, e cila është në kundërshtim me dëshirën e presidentit për izolim.