Sundimi ligjit e vetmja rrugë drejt BE-së

4 Tetor 2019, 11:18Blog TEMA

Nga Majlinda Bregu

Më vjen mirë që pas disa përpjekjeve, RCC së bashku me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë, arritën të organizojne këtë pikëtakim me 6 vendet e Ballkanit Perendimor. Një pikëtakim ku shpresoj që së bashku me përfaqësues nga institucionet e pavarura të drejtësisë, shoqëri civile, media të kemi mundësi përplasje mendimesh e qarje hallesh për zbatimin e ligjit në vendet tona, dhe kjo e sotmja të mos mbetet thjesht një konferencë me mesazhe të përsëritura.

Jo pa qëllim ky takim ndodh sot në Tiranë dhe po me të njëjtin qëllim pas një muaji ministeriali tjetër i drejtësisë do të jetë në Shkup.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet të cilat presin vendimin e mesit të Tetorit për Celjen e Negociatave si domsodoshmëri për të ruajtur reformat e nisura dhe për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit europian.

Por për sa kohë anëtarësimi në BE vijon të jetë synimi përfundimtar i të gjashta ekonomive të rajonit, të gjithë presin me ankth vendimin e ketij tetori për të lexuar më qartë ndryshimet që mund të sjellë ky vendim në situatën gjeopolitike në rajon e më gjerë, marrëdheniet dypaleshe e bashkëpunimin rajonal.

RCC ka një instrument shumë interesant të matjes së opinionit publik dhe biznesit për cdo vit, i cili quhet Ballkan Barometër. Leximi i të dhënave të këtij viti ishte më shumë se pune zyre edhe për ne. Dhe pas analizave e rianalizave përfundimi ynë ishte: qytetarët e lexojnë realitetin mencurisht.

56% e qytetarëve të rajonit mbështesin anëtarësimin në BE. Për herë të pare pas 5 vitesh kjo shifër është më e lartë se 50%. Nuk di të them nëse kjo rritje në mbeshtetje vjen se qytetarët janë të lodhur me realitetin së brendshmi, apo se sa më e vështirë bëhet Europa aq më shumë e duam ne.

Unë jam vetë dëshmitare e kohërave të ndryshme të ec e jakeve tona europiane.

Nuk mbaj mend sa shumë raporte, kritere, takime. biseda, ore të tëra me nerv, pa nerv, pasion, zemërim, debat, sulme, premtime, bllokime, gënjeshtra, të verteta, kemi konsumuar këto vite, por pavaresisht se c’më sjell para syve kujtesa, nuk arrij ende të kapërdij pse sa herë na duket se jemi më afër, ndërtojmë distanca edhe me të mëdha…

Është e vërtetë! BE-ja ka qenë shtysa kryesore dhe më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe pakicave.

Arsyeja tjetër se pse ky pikëtakim u vendos në Tiranë, ka të bëjë pikërisht me Reformën në Drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria.

Miratimi i reformës në drejtësi në Shqipëri dhe procesi i vetingut, po aq sa edhe situata e pazakontë e vakuumit t krijuar në institucionet e drejtësisë, ka krijuar një lloj stepjeje tek ekonomitë e tjera të rajonit. Nuk është proces i lehtë të ndryshosh 1/3 e Kushtetutës sic ndodhi në Shqipëri apo të rivlerësosh/vetosh të gjithë gjyqtarët e prokurorët e sistemit, duke rrezikuar edhe boshatisjen e institucioneve. Sikur diskutimet mes nesh në rajon, mbi modelin radikal të reformës në drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria të ishin publike, sikur reagimet për procesin e vetingut apo habia mbi numrin e gjyqtarëve që kanë lënë sistemin gjyqësor në Shqipëri, përmes shkarkimeve dhe dorëheqjeve, të ishin po aq publike, jam e bindur që do ta kishin të gjithë më të lehtë për të kuptuar cdo të thotë : Its all about justice!

Sot jam edhe më e bindur se 18 muajt e debateve, vështirësive, luftës së nervave me të gjithë aktorët politikë që në media flisnin për një system të ri të drejtësisë të pavarur nga cdo lloj ndikimi politik, dhe nga ana tjetër krijonin pengesa artificiale për ta bllokuar, ia kanë vlejtur pavarësisht kostove personale të gjithkujt që beson se për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike, ku pandëshkueshmëria nuk është normë e shoqërisë dhe ku askush nuk është mbi ligjin, duhet te paguash edhe nje cmim!

Rumania ende sot tronditet politikisht pikërisht prej zbatimit te reformës në drejtësi. Rumania dhe Bullgaria u bënë vende anëtarë në 2007. Pavarësisht reformave me cepa e dërrmuese përfshi dhe ndryshimet në sistemin ligjor, Bullgaria dhe Rumania edhe pas një dekade kanë akoma në fuqi mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit, përmes të cilit Komisioni Europian monitoron që reformimi i drejtësisë vazhdon edhe pas Anëarësimit.

Kroacia u bë vend anëtar në 2013. Kroacia i shpëtoi deri diku mekanizmit që ka në fuqi Bullgaria e Rumania, pasi reformën në drejtësi iu desh ta bënte para anetarësimit. Por në 2000 kur Kroacia ndryshoi për herë të tretë kushtetutën që prej nënshkrimit të MSA, numri i dosjeve pirg në gjykata ishte 1,5 milione. Në 2018 mbërriti në 407 mijë.

Cka po bën Shqiperia sot, për Kroacinë kanë qenë benchmarks për mbylljen e kapitujve 23 & 24.

Dhe për të mos marrë shembull vetëm anetarësimet e këtij dhjetëvjecari. Vetëm një vit më parë Komisioni Europian coi Poloninë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për ndryshimet në lidhje me Gjykatën e Lartë të cilat cënonin pavarësinë e këtij institucioni.

Ndaj sa herë të behemi keq për vonesën në këtë proces, mbase është mirë t’i themi vetes së për zbatimin e ligjit jo vetëm steka do të ngrihet më lart, por monitorimi do të vije vit pas viti duke u shtuar.

Po i kthehem edhe njëherë Ballkan Barometrit.

Nuk është rastësi, që përvec drejtësisë institucioni tjetër me i pabesueshëm në të njëjtat shifra është Parlamenti. Dhe s’ka si të jetë rastësi që edhe Bundestagu cakton një binom kushtesh si parakushte për celjen e negociatave: reformën zgjedhore dhe kushtet që lidhen me reformën në drejtësi.

Keto jane problemet sistematike që kanë vendet tona. Nëse zbatimi i ligjit pengohet nga ata që kanë pushtet politik dhe që kanë mundësi ta gozhdojnë dominancen e tyre përmes procesit të votimit, atëherë ja pse reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë një kusht i vetem ose një Binom. Mungesa e një reforme elektorale, pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Kush bllokon reformën zgjedhore pengon zbatimin e ligjit, forcimi i të cilit i heq kudo pushtetit mundesinë për të abuzuar me votën.

“Ide dhe koncepte të panjohura u aplikuan në një vend me tradita të ndryshme ligjore dhe politike” ( “Ideas and concepts hitherto unknoën have been applied in the country of very different legal and political traditions”). Kështu Alexis de Tocqueville përmblidhte hapat e parë të demokracisë në Amerikë. Kjo është ajo që ndodh me reformën në drejtësi dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Ceshtja është kush na jep garanci që kjo reforme do të sjellë ndryshimin që duam dhe sa do të jetë e qendrueshme?

Unë nuk di sa kohë do të marrë vendosja e një sistemi efektiv e të paanshëm drejtësie dhe kthimi në hallka të besueshmërisë, per me teper qe koha iken e na lë të gjithëve shpesh në një paqartësi solemne. E shkuara është ende pjesë e të tashmes, e tashmja duket e zymtë e ardhmja është under construction. Por di se rrugë tjetër për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët europiane të rajonit, pervec asaj te sundimit te ligjit,- Nuk ka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje