Olsi Rama sulmon FSHF-në dhe arbitrat: Pabarazi, luajtëm 10 kundër 12 vetave

5 Tetor 2019, 20:08Sport TEMA

Partizani barazoi në shtëpi ndaj Teutës, mes rezultatin 1-1 në një sfidë tepër të kontestuar, teksa të kuqtë u detyruan ta luanin me 10 lojtarë këtë përballje për afro 1 orë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Romeros.

Në prononcimin pas ndeshjes për mediat, drejtori i Partizanit, Olsi Rama, nuk i fshehu rezervat në lidhje me gjykimin dhe vendimin e FSHF-së për ta luajtur ndeshjen pa tifozë, teksa u shpreh:

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e të gjithë djemve sot. Mendoj që kampionati jonë i vërtetë fillon sot. Kishim një hapje me fitore në derbi, por sot treguam që jemi një ekip që kemi bërë hapa përpara.

Në ecurinë tonë, rëndësinë më të madhe se sa 3 pikët ka paraqitja e ekipit, intensiteti, përqendrimi dhe mënyrë se si luajnë.

Sot fatkeqësisht e filluam ndeshjen me një karton të kuq. Kartoni i kuq ishte përkundrejt lojtarit tonë të 12-të, tifozëve, të cilët nuk patëm mundësi t’i kishim në stadium me gjithë dëshirën tonë për t’i patur.

Duke u përpjekur me FSHF dhe Komisionin e Disiplinës që të konvertonim dënimin.

Një pabarazi gjykimi kjo për sa i përket Tiranës që arriti të shlyente një ndeshje të dënimit me sfidën e Kupës, ndërsa ne jo.

Na u hoq një element shumë i rëndësishëm i lojës tonë, lojtari i 12-të dhe fatkeqësisht kemi luajtur ndeshjen në një situatë 10 kundër 12. Unë nuk merrem me episodet jam gjithmonë shumë i gatshëm të pranoj dhe toleroj shumë element të ndeshjes edhe për sa i përket arbitrave.

Nuk po merrem fare me kartonat e verdhë që mori Romero, që në 36 minuta bëri vetëm një gjysëm faulli dhe u dënua me karton të kuq, ndërkohë që mbrojtësi i djathtë i Teutës, në mënyrë flagrante ndaloi Melon.

Ajo ndërhyrje është një karton i verdhë në mesfushë, kur ndërpret aksionin dhe jo më ndaj një lojtari që ishte duke shkuar drejt portës dhe do ishte kartoni i dytë i verdhë, që do e vinte lojën në baraspeshë.

Gjykoj që djemtë sot dhanë shumë kundrejt ekipit që vazhdon të jetë i pari në klasifikim. Merituam të fitonim dhe të merrnim shumë më tepër se 1 pikë. I përgëzova dhe i falënderova gjithashtu. Ajo që mua më intereson dhe i intereson dhe stafit teknik është që ne të rrisim nivelin e lojës. Kemi një pushim që do të na japi mundësinë të rikuperojmë një pjesë të energjive. Kam besim tek ekipi dhe ecuria e mëtejshme…”, tha Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje