Ahmataj e nis mbarë me Tiranën, Teuta ndal Bylisin, Nwabueze “djeg” edhe Vllazninë

27 Tetor 2019, 15:03Sport TEMA

Julian Ahmataj e nisi me këmbën e mbarë eksperiencën e tij si trajner i Tiranës, teksa udhëhoqi bardheblutë drejt fitores me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj Luftëtatrit, skuadër të cilën e drejtoi në sezonin e kaluar.

Tekniku i ri i kryeqytetasve, i cili u ul në pankinë vetëm ditën e premte, kishte bërë disa ndryshime të rëndësishme në formacion, duke lënë në stol Bakajn, Karabecin, Hasanin, Kale dhe Dungën, ndërsa nga minuta e parë luajtën Lika, Halili, Celhaka, Torrasa e Ismailgeci.

Bardheblutë morën kontrollin e lojës që në fillim, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën e gjirokastritëve, ndërsa në minutën e 27’ erdhi edhe episodi më i rëndësishëm i ndeshjes, që përcaktoi edhe rrjedhën e saj.

Greku Prikas ndali një top me dorë mbi vijën fatale, duke u mohuar golin kryeqytetasve, por arbitri ishte i vëmendshëm dhe ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin gjirokastrit e akordoi 11-metërsh për Tiranën.

Penalltinë e mori përsipër Idriz Batha, i cili rrëshqiti pranë topit dhe gjuajtja e tij u ndal nga portieri Paiteris, por në këndoren pasardhëse, pas një rrëmuje në zonë, ishte Agustin Torrasa që kaloi në avantazh bardheblutë.

Vetëm dy minuta më vonë, Tefik Osmani la fushën e lojës i dëmtuar, duke detyruar Ahmatajn të hedhë në fushë Gentian Muçën, që mungonte prej shumë kohësh në minutën e 42-të ishte Michael Ngoo, që pas një pasimi të saktë të Grent Halilit, gjeti edhe golin e dytë për bardheblutë.

Pjesa e dytë pati pak histori, me bardheblutë që menaxhuan mjaft mirë avantazhin dhe superioritetin numerik, ndërsa gjirokastritët e patën thuajse të pamundur të vënë në provë portierin Lika.

Megjithatë pak para vërshëllimës finale të arbitrit, pati kohë edhe për një tjetër gol për Tiranën, këtë herë të shënuar nga Edon Hasani, që erdhi nga stoli dhe vulosi suksesin 0-3 të kryeqytetasve, që tani ngjiten në krye, në kuotën e 17 pikëve, aq sa kanë edhe Bylis e Partizani.

Ngec ndërkohë në shtëpi Bylisi, që ndryshe nga ndeshja e të mërkurës ndaj Tiranës, pasditen e sotme nuk shkopi më shumë se një barazim pa gola ndaj Teutës, skuadrës që i ka shkaktuar edhe humbjen e vetme këtë sezon.

Edhe sot ishin mallakastriotët ata që patën iniciativën, duke qenë vazhdimisht kërkues për fitoren, por mundësitë më të mira të shënimit i patën durrsakët, që ndryshe nga një javë më parë, sot luajtën me kokën lart dhe lanë shumë pak hapësira në mbrojtje.

Renato Arapi iu afrua ndjeshëm golit me një gjuajtje nga distanca, por topi u përplas në traversë, ndërsa shkodrani Uendi Veçaj testoi në 2-3 raste aftësitë e portierit Isli Hidi, por reagimi i këtij të fundit ishte fantastik, duke mos lejuar që topi të ndalet në rrjetë.

Të mërkurën mposhti i vetëm Teutën, duke shënuar dy golat e parë, ndërsa sot sulmuesi amerikan i Laçit, Nwabueze bëri të njëjtën gjë ndaj Vllaznisë, duke i ndëshkuar dy herë shkodranët, në fitoren 3-0 të kurbinasve.

Pas shumë minutave me duele në mesfushë dhe në hije, Kyrian Nwabueze bëri një depërtim fantastik dhe me një gjuajtje të saktë mposhti portierin shkodran Alen Sherri. Edhe në fillim të pjesës së dytë, amerikani bëri të njëjtën gjë, duke shënuar një gol mjaft të bukur nga distanca, para se Regi Lushkja të vuloste suksesin e radhës, me të njëjtin rezultat si ai i para tre ditëve ndaj Teutës.

Kjo fitore ngjit Laçin në kuotën e 13 pikëve, ndërsa shkodranët mbeten me 15 pikë në renditje dhe tani duhet të mendojnë për ndeshjen e radhës, që do të jetë ndaj Bylisit të Ballshit, që gjithashtu po bën një sezon mjaft të mirë .

Kategoria Superiore do të vijojë nesër me supersfidën Partizani-Kukësi, në orën 18:00 në “Selman Stërmasi”, ndërsa po në të njëjtën orë, në Vlorë do të zhvillohet përballja Flamurtari-Skënderbeu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje