Një përballje e modeleve opozitare të Bashës dhe Ramës dhe dilema e një rotacioni “aforfe”

29 Tetor 2019, 18:42Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Deklarata e Lulzim Bashës “jam gati të jem kryeministër i Shqipërisë” ka ngjallur  komente kontradiktore apo material edhe për satirën politike që po ushtrohet me nota të forta nga portale humoristike, megjithatë thelbi i një mesazhi publik të opozitës duket se është qartësisht shpallja e një sjellje të re të Partisë Demokratike në mjedisin politik në vend.

Komentatorë pranë opozitës si Agron Gjekmarkaj e kanë komentuar këtë qasje si një transformim fundor, që tashmë rotacioni duhet të ndodhë de fakto, pa nëse e pa edhe.

Kurse Sokol Balla, në komentin e tij theksonte se Basha ka imituar në formë modelin e Edi Ramës në opozitë, jo thjesht të kalimit në kandidim të kryeministrit prej karriges së kreut të Bashkisë së Tiranës, por edhe me anë të një opozite reactive, që do të ngjallë frymë ndryshimi.

Në fakt, kopjimi i modelit “Rama” nga Basha dukej sheshit formalisht që kur Sali Berisha mendoi delfinin e tij për ta çuar në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që në kokën e tij e konsideronte si pasues politik.

Por siç thotë aksioma, kur historia përsëritet, ajo vjen si tragji-komedi. Megjithatë aksioma historike ka peshën e vet në analogji e natyrisht më shumë vlejnë faktet dhe hapat e zhvillimit të saj.

Le të shikojmë shkurtimisht etapat e zhvillimeve politike të opozitës së Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Opozita Rama

Edi Rama zgjidhet në vitin 2000 kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke mos qenë anëtar i PS-së, po si një outsider që vinte nga shoqëria. Në qeveri është kryeministër Ilir Meta, pas një pakti të arritur me Fatos Nanon kundër Pandeli Majkos, që një vit më parë u largua nga qeveria në një garë të fortë dhe me përplasje të brendshme.

Në vitin 2003, Edi Rama fiton mandatin e dytë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në kulmin e një përplasje të fortë brenda Partisë Socialiste, ku si Fatos Nano, kryeministër dhe kryetar i PS-së, po ashtu edhe Ilir Meta, një lider fraksioni, po zhvillonin një përplasje të fortë me njëri-tjetrin, përplasje që kishte sjellë në meidanin politik dy aleanca me Sali Berishën, kreun e atëhershëm të PD-së, marrëveshjen e Fatos Nanos me Berishën për të zgjedhur Alfred Moisiun në krye të shtetit, dhe si pasojë për të larguar Fatos Klosin nga kreu i SHIK, por edhe aleancën e Ilir Metës me Sali Berishën për të larguar kryeprokurorin Arben Rakipi, që hapi dosje ndaj ministrave të Metës dhe zgjedhjen e këshilltarit të presidentit Rexhep Meidani, Theodhori Sollakun (i cili kishte qenë edhe këshilltar i Berishës) si prokuror të Përgjithshëm.

Në fund të vitit 2003, kur Fatos Nano zboi Ilir Metën nga udhëheqësia e PS-së, Edi Rama kandidoi si kryetar i PS-së, duke zhvilluar edhe fushatë të brendshme. Ilir Meta publikisht mbështeti Rexhep Meidanin, i cili gjithashtu kandidoi për lider socialist.

Edi Rama, gjatë fushatës në bazë, lëvroi gjatë, edhe pse nën ilaritetin e idhtarëve të Nanos, natyrisht pjesës së administratës, se Berisha po rikthehej në qeveri. Në shumë nga asambletë e PS-së e cilësuan këtë si një fabul të ekzagjeruar dhe fantazi të kryebashkiakut artist, i cili nuk është se i mungonte fantazia edhe në ligjërimin politik.

Këtë tezë Rama, e lëvroi edhe më tej derisa u zhvilluan zgjedhjet e 2005-s, ku nga mbështetës të Nanos u akuzua se po i vë shkopinj nën rrota qeverisë së kreut të PS-së.

Në 3 korrik 2005, Sali Berisha fitoi mazhorancën relative në Kuvend, por jo shumicën për të formuar qeverinë. Madje Gramoz Ruçi, bëri një deklaratë atë botë se e majta dhe e djathta kanë 70 me 70 deputetë, duke ju referuar edhe LSI-së së Ilir Metës, e cila si e majtë antiberishiste hyri në Kuvend, duke i shkaktuar një humbje PS-së në shumë zona mazhoritare në vend.

Por Fatos Nano, zgjodhi që të japë dorëheqjen dhe të pranojë humbjen, duke i hapur rrugën kështu një rrotacioni paqësor të pushtetit pas 8 vjet qeverisjeje të PS-së. Nano jep dorëheqjen edhe si kryetar i PS-së.

Edi Rama kandidon në tetor 2005 për kryetar i Partisë Socialiste dhe fiton pas dy seancave dramatike përballë Rexhep Meidanit, që i kushtuan dorëheqjen Gramoz Ruçit si numri dy i PS-së.

Edhe pse Ilir Meta e sulmoi fuqishëm zgjedhjen e Edi Ramës si kryetar i PS-së, ky i fundit premtoi dhe realizoi një bashkim politik me LSI-në, në një aleancës të së majtës që paraqitej si alternativë politike në zgjedhjet vendore të vitit 2006.

Në atë kohë nuk kishte as karta biometrike e as pasaporta me shenja gishtërinjsh, por vetëm certefikata që lëshoheshin me firmë e vulë nga një zyrë që drejtohej nga i ndjeri Ferdinand Poni, zv.ministër dhe shef i gjendjes civile të Republikës.

Edi Rama kërkoi garanci për dokumentet zgjedhore, duke kërkuar një ndryshim në Kod.

Presidenti Alfred Moisiu udhëhoqi një tentativë të suksesshme me të gjitha partitë parlamentare dhe në fund u arrit një akord i përbashkët për të bërë një ndryshim në Kodin Zgjedhor. Në ligj u vendos me kërkesë të kreut të shtetit, edhe një dispozitë kalimtare, që presidenti cakton një datë të re zgjedhjesh. Të cilën e dekretoi më 18 shkurt 2007.

PD-ja kandidoi përballë Edi Ramës njeriun më të fortë politik të momentit: të ndjerin Sokol Olldashin, ministrin më proaktiv të qeverisë “Berisha”, që kishte vendosur në pranga bosët e narkotrafikut, Lul Berisha e  Aldo Bare.

Olldashi udhëheq një fushatë aggressive, si politike ashtu dhe në imazh: “Fytura e re e Tiranës”, ishte sllogani i ministrit të Brendshëm që dha dorëheqjen nga posti përpara kandidimit. Olldashi luajti fort edhe politikisht duke takuar në një bar të njohur Fatos Nanon, si sinjal akordi kundër Ramës.

Kreu i PS-së, që si këshilltar fushate kishte një emër të njohur të nevv evangelistëve të Goerge VV Bush, presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Ed Gillespie, arriti të marrë mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, duke vulosur aksiomën se tashmë ai ishte kthyer në një “kafshë politike”.

Por nuk mjafton me kaq, PS-ja e drejtuar nga Edi Rama fiton Bashkinë e Durrësit ku PS humbi 8 me 0 dy vjet më parë dhe triumfon në të gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë, përveç Shkodrës: Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Berat, Lushnjë, Lezhë, por edhe një numër komunash, por jo shumicën, të cilën e fiton PD-ja me koalicionin laraman, fitore që kreu i PD-së e konsideron si triumf numerik.

Pas zgjedhjeve të vitit 2007, Edi Rama zhurmon opozitën kundër qeverisë me denoncime direkte dhe indirekte në Kuvend dhe media, ku mbahen mend bilbilat e deputetëve socialistë, që sollën edhe kontrolle nga rojet e Gardës, apo përplasjet e Sali Berishës me Taulant Ballën, Saimir Tahirin apo Erion Braçen, ku nuk kurseu as fjalë me “libër shpie” sapo përmendeshin familjarët e kryeministrit.

Në qershor 2007, presidenti i SHBA George VV Bush zhvillon vizitën e parë zyrtare në Shqipëri. Protokolli i shtetit përjashton Edi Ramën nga takimet zyrtare, duke e zëvendësuar me kreun e grupit parlamentar.

Vijmë në korrik të vitit 2007. Duhej të zgjidhej presidenti i Republikës. Edi Rama udhëheq një betejë për një kryetar shteti outsider me synimin për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi në atë kohë presidenti zgjidhej vetëm me 84 vota.

Sa për parantezë; mazhoranca e Sali Berishës nuk kishte asnjë mundësi të arrinte 3/5-at, pasi opozita kishte numrat për të bllokuar ligjet me shumicë të cilësuar.

Ky moment sjell një zhvillim të fuqishëm në PD, ku numri dy i saj, Bamir Topi udhëheq një betejë të brendshme për të marrë ai postin e kreut të shtetit. Dhe me anë të një marrëveshje me Fato Nanon dhe mbështetësve të tij në Kuvend, arrin të zgjidhet, duke futur në krizë PS-në, i ashtuquajturi grupi i “gjashtëses”. Largohet Ben Blushi nga kreu i grupit parlamentar të PS-së dhe rikthehet Gramoz Ruçi, njeriu që prej 1992-shit kontrollonte ekuilibrat organizative të PS-së, sidomos në jug, që është edhe baseni elektoral i socialistëve.

Viti 2008. Shqipëria i afrohet ftesës për anëtarësim në NATO në kulmin e frustrimit të opozitës pas dështimit me Presidentin e Republikës. Si “menu” shtesë ndodh edhe katastrofa apo megaskandali i Gërdecit ku vdesin 26 vetë e plagosen qindra nga një shpërthim i tmerrshëm i një punishteje demontimi municioni, ku Nevv York Times vendos gishtin mbi djalin e Kryeministrit Sali Berisha si përfitues i një afere milionash.

SHBA i kërkon opozitës një qëndrim të saj në lidhje me ftesën e anëtarësimit në NATO, në një event publik. Ambasadori amerikan në atë kohë ishte John VVithers, një intelektual i klasit të parë i State Departament-it, i cili kishte qenë edhe Drejtor Operacional në diplomacinë më të fuqishme të botës.

Edi Rama thotë “PO” dhe VVithers e cilëson këtë qëndrim si prej një “burri shteti”. Në Bukuresht, ku do të jepej ftesa shkojnë në delegacion së bashku PD dhe PS së bashku me Presidentin e Kryeministrin.

Pas këtij zhvillimi, Edi Rama ndërmerr një akt që do ti kushtojë shumë politikisht, bën marrëveshjen me Sali Berishën në të ashtuquajturat negociata me messenger, ku arrihet ndryshimi i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor që sjell si pasojë një Republikë të Kryeministrit dhe një model zgjedhor rajonal proporcional. Presidenti Bamir Topi i del kundër, ndërsa Ilir Meta zhvillon edhe një grevë urie në Kuvend.

Viti 2009, Shqipëria pranohet në NATO, një zhvillim superhistorik dhe më pas shkon në zgjedhje parlamentare. Ilir Meta, kreu i LSI-së hyn në zgjedhje kundër të PD e PS dhe bën fushatë si një anti-Berishist duke akuzuar Ramën që i rrahu shpatullat doktorit ditën e Gërdecit.

Rezultati: Sali Berisha fiton 70 vende në Kuvend, së bashku me trenin e tij të partive të vogla, Edi Rama merr 68 deputetë dhe Ilir Meta fiton 4 vende. Barazim e majtë e djathtë. Alternativat? Koalicion i madh, zgjedhje të reja, ose…. Siç ndodhi Sali Berisha dhe Ilir Meta bëjnë qeverinë dhe doktori merr mandatin e dytë pa triumfuar por duke fituar me milimetra.

Rama kërkon rinumërim në disa zona, apo hapjen e kutive pjesërisht. Mazhoranca refuzon, madje duke djegur edhe fletët e materialeve zgjedhore demonstrativisht. Situata acarohet, Rama bën betejë në PS me Ben Blushin që kërkon largimin e tij, duke fituar me linjë të ashpër opozite. Bën protesta, bllokim rrugësh, grevë urie me deputetët para kryeministrisë, ndërhyn BE por nuk arrihet akord.

Pas humbjes në zgjedhjet e 2009-s, Edi Rama, menjëherë dërgon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e detit me Greqinë të firmosur nga Lulzim Basha e Dora Bakojanis. Të 9-të gjyqtarët e Kushtetueses rrëzojnë marrëveshjen, duke i dhënë opozitës së Ramës një fitore politike të rëndësishme, që do të shërbej si asset në rrugën drejt qeverisjes.

Megjithëse nuk ka më shumë se shumicën absolute të Kuvendit, Sali Berisha, duke shfrytëzuar paktin me Ramën në 2008-n merr të gjitha pushtetet, si Presidentin dhe drejtësinë, madje përplaset edhe me NATO-n për ligjin e SHISH, por kreu i Aleancës vjen menjëherë në Tiranë dhe Berisha bën prapaktheu.

Në fund të vitit 2010 shpërthen videoskandali Meta-Prifti dhe opozita thërret demonstratën e 21 janarit 2011. Katër qytetarë vriten përpara kryeministrisë nga Garda e Republikës.

SHBA nuk përkrah linjën e ashpër të opozitës dhe megjithëse janë vrarë 4 protestues ambasadori amerikan i sapoardhur Alexandër Avizu quan Sali Berishën “burrë shteti” pasi ky i fundit anuloi një antimiting me përkrahës të mazhorancës përballë atyre të opozitës.

Por SHBA merr përsipër që FBI të bëjë ekspertizën balistike për të ndihmuar Kryeprokuroren Ina Rama. Këtu degradon gjithçka. Sali Berisha pengon hetimin  siç kishte bërë me hetimin ndaj Lulzim Bashës për Rrugën e Kombit dhe Fatmir Mediut për Gërdecin. Quan Presidentin, Kryeprokuroren dhe Edi Ramën si pjesëtar të një puçi kundër tij. Në këtë armosferë zhvillohen zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Opozita e Edi Ramës fiton jo vetëm qytetet e mëdha në vend, por edhe qytete si Kavaja e Laçi që kishin qenë të PD-së.

Në Tirana Rama fiton për herë të katërt por KQZ e drejtuar nga Arben Ristani anulon fitoren duke i dhënë me makinacion bashkinë Lulzim Bashës. Kreu i PS-së, nuk reagon por tërhiqet dhe shkruan një pamphlet politik që e titullon “Kurban” dhe bëhet gati të vijë në pushtet, duke marrë Ilir Metën në aleancë. Askush nuk e kupton këtë koalicion nga e majta, por Rama arrin të fitojë shumicën Kushtetuese të 84 votave.

Opozita e Bashës

Pas humbjes  së PD-së në zgjedhje, Lulzim Basha, kryebashkiaku i Tiranës që kishte kryer gjysmën e mandatit për të ç’prishur  projektet e Edi Ramës që nga sheshi “Skënderbej” e plani urbanistik, mori drejtimin e PD-së pas largimit të Sali Berishës në një garë me Sokol Olldashin, e cila u trukua hapur nga kryeministri në ikje që kishte përgatitur terrenin për pasardhësin.

Megjithatë, opozita e Lulzim Bashës përballë qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës në katër vitet e para, si pasojë edhe mungesës në Parlament pati si protagonist doktorin, i cili, edhe pse ishte larguar nga drejtimi komandonte grupin parlamentar të PD-së, i cili që nga dita e parë zhvilloi një strategji bombardimi ndaj qeverisë.

Që muajin e parë, opozita sulmoi egërsisht Edi Ramën, duke dalë kundër një pakti me SHBA-në për shkatërrimin e armëve të Bashar Asadit në Shqipëri, duke provokuar protesta të mëdha, madje për herë të parë në 30 vjet përpara ambasadës së SHBA-së.

Edi Rama tërhiqet por Basha nuk guxon ta quajë publikisht një fitore të tij, pasi SHBA shprehet e zhgënjyer për qëndrimin dyzues të opozitës.

Mazhoranca propozon një reform territoriale ku eleminon të gjitha komunat e vjetra dhe formon një hartë me 61 bashki në vend.

Lulzim Basha refuzon që të hyjë në proces të reformës territoriale dhe mazhoranca e miraton vetëm me votat e saj, pra PS-LSI-PDIU.

Kreu i PD-së, megjithatë vijon një betejë të fortë kundër mazhorancës, përkatësisht duke sulmuar deputetët dhe kryetarët e bashkive që kishin problem me ligjin e që vinin nga kontigjenti i të ashtuquajturve “të fortë”. Me përkrahjen edhe të SHBA-së dhe BE-së, Lulzim Basha arrin të sigurojë një tjetër fitore politike me ligjin e dekriminalizimit, çka tronditi mazhorancës dhe i dha Lulzim Bashës një kartë të fortë politike. Por në zgjedhjet vendore të vitit 2015, PD-ja fiton vetëm 15 bashki, ndër ta vetëm Shkodrën e Kuksin si qendra rajonale.

Kreu i PD-së e quan fitoren e PS-LSI-së si një  makinacion i “krimit të lidhur me pushtetin”.

Një vit më pas, SHBA dhe BE përfundon hartimin e zhvillimit më të rëndësishëm politik në vend, reformën në drejtësi që parashikonte vetting të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Basha i jep fjalën ambasadorit të SHBA Donald Lu se është pro, por më pas opozita kundërshton thelbin e reformës që është Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Në këtë kohë PD bëhet aleate me LSI-në, duke dalë në pah tandem Berisha-Meta.

Kreu i PD-së, qartasi nuk kishte zë në kapitull pasi disa herë ndërkombëtarët shkonin në zyrën e ish-kryeministrit pasi dilnin nga zyra e Bashës. Në fund PD-ja pranon të votojë reformën në drejtësi, duke marrë të drejtën e vetos në komisionet që zgjedhin anëtarët e komisioneve të vettingut, por më pas dërgon në Kushtetuese vetë ligjin e vettingut.

Një vit më pas, pikërisht kur duhet të të zgjidhen komisionet e vettingut, Lulzim Basha del nga institucionet, ngre një çadër përpara kryeministrisë dhe refuzon të hyjë në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës nga qeveria. Për 5 muaj, politika bllokohet dhe situate acarohet. Në fund, me ndërhyrjen e SHBA, Basha del nga çadra duke bërë një marrëveshje me Edi Ramën. Që ndajnë qeverinë përpara zgjedhjeve, duke i dhënë opozitës dikasteret kryesore. Berisha dhe Meta sulmojnë egërsisht marrëveshjen ndërkohë që Bashan is fushatën duke sulmuar egërsisht Ilir Metën dhe LSI-në.

Kreu i PD-së në momentin më të vështirë të opozitës, fshin brenda natës të gjithë emrat e njohur të PD-së dhe ndërton një Parti Demokratike nga e para me njerëz të rinj e të pa identifikuar politikisht. Kjo provokon një lëvizje jot ë vogël brenda së djathtës që nga Topalli, Imami, Patozi, Mustafaj e shumë personazhe të PD-së që shprehen të tronditur nga kjo lëvizje që e quajnë “të papërgjegjshme”.

Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, PS fiton 74 deputetë, kurse PD-ja nuk arrin dot numrat për të kondicionuar parlamentin. Madje edhe 20 deputetët e LSI-së nuk duhet se bëjnë punë.

Lulzim Basha, bie në heshtje muajt e verës dhe në shtator gris marrëveshjen me Edi Ramën, duke bërë të ditur se ai nuk e ka mbajtur fjalën që të bënte një qeveri të përbashkët. Lidh një aleancë me LSI-në dhe partitë e vogla të së djathtës, duke

nisur një stinë përplasjesh me hyrje dhe me dalje nga Parlamenti.

Në fund të vitit 2018 SHqipëria pëson një lëvizje të fortë studentore por opozita nuk arrin të kapitalizojë protestat, pasi largohet nga studentët.

Në vitin 2019 Lulzim Basha shpall “revolucionin” më traumatik që prej vitit 1990, ku  opozita largohet nga sistemi duke djegur mandatet e deputetëve dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore.  Zhvillohen protesta të dhunshme përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku u arrit deri sa të thyhej porta e Kryeministrisë.

Ky vendim i shkakton një përpasje të re me SHBA dhe BE, të cilët paralajmërojnë personalisht Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Ndërkaq, vendet vakante të deputetëve të larguar zëvendësohen nga deputetët rezervë, ndërkaq, Rudina Hajdari nga PD e Lefter Koka nga LSI nuk largohen nga Kuvendi. Krijohet kështu një opozitë e re në vend, me PD-në zyrtare jashtë institucioneve dhe pa asnjë kryebashkiak apo këshilltarë bashkish në çdo cep të Republikës.

Megjithatë Basha, vendosi tani të inicojë një stinë konstruktivizmi në politikë, duke bërë të ditur se do të bëjë marrëveshje me mazhorancën për një reform zgjedhore, duke hyrë kështu në sistem, e që sipas gjasave do të kërkojë të paktën zgjedhje të reja lokale të parakohshme të pjesshme apo edhe parlamentare, që ka pak gjasa t’i arrijë. Që të jetë gati për kryeministër, në fillim duket se do t’I duhet që të krijojë një opozitë të bashkuar dhe aleancë të re politike, duke nisur nga opozita e Rudina Hajdarit. Por deri më sot Basha po ndjek një rrugë të re, që metaforikisht po nis nga dy vila në periferi të Tiranës ku është vendosur familja e tij, çka i ka hapur një telash edhe më të madh vetes…

TemA    

3 komente në “Një përballje e modeleve opozitare të Bashës dhe Ramës dhe dilema e një rotacioni “aforfe””

  1. Lul kastraveci pa fara says:

    Qe eshte gati lulushja per KM,duket nga shikimi qe i drejton Rames.
    Duket sikur i lutet aman ma ler mua karriken ose si ziliqar ose si ata te uriturit qe nuk kane pare kurr dafllak,ne kete rast hajdar

  2. Tani says:

    Bukur asnje presje nuk i leviz. Luli perpara duhet te fitoje zgjedhjet e 2021 pastaj te behet kryeminister.
    Qe PD-ja te fitoje ato zgjedhje duhet te drejtohet nga nje figure e mbeshtetur nga demokratet, se Luli e ka humbur kredibilitetin dhe elektoratin demokratas.

  3. Komentuesi says:

    Ylli Pata bravo.Ke bere nje analize historiko-politike te shkeqyer.Ne kete shkrim tregon punen e madhe dhe te sakrifices se Edi Rames per te ardhur ne pushtet,ashtu dhe punen radikale dhe pa sens te lul Bashes per pushtet qe nuk ka per te ardhur kurre dhe nuk behet dot kryeminister.Basha eshte jo vetem i paafte e drejtoi pd-ke ,por eshte dhe shpirt zi.Atij i pelqen vehtja se e di qe eshte bukurosh per t’a dhjer,dhe mburret se do behet kryeminister.Nje mute qe te haj. Edi Rama ka fat qe eshte Basha ne krye te pd-ke dhe do jete per shume kohe kryeminister.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje