Vettingu “djeg” kreun e Gjykatës së Elbasanit, shkarkohet për problemet me pasurinë

6 Nëntor 2019, 10:05Kronika TEMA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti.

Sipas KPK, ai është gjetur me probleme në të tri kriteret, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizimit.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj sqaroi, se ndryshe nga raporti i ILDKPKI ku nuk ishin konstatuar problematika lidhur me deklarimin e pasurisë, Komisioni ka identifikuar mungesë të burimeve të ligjshme e mospërputhje të deklarimeve.

Lidhur me pastërtinë e figurës, relatori Hamitaj tha se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cili gjyqtari Kurti ishte i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

“Pas analizimit të disa informacioneve të reja, DSIK e ka ndryshuar vlerësimin fillestar duke konstatuar pa përshtatshmërinë e gjyqtarit Kurti”, pohoi ndër të tjera relatori Lulzim Hamitaj. Ai shtoi se informacionet e reja do të vlerësohen gjatë marrjes së vendimit.

Po ashtu probleme janë konstatuar edhe në profesionalizmin e gjyqtarit.

Sulejman Kurti e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996 dhe ka punuar për gati një dekadë si gjyqtar i Gjykatës së Librazhdit.

Me shkrirjen e kësaj gjykate në vitin 2007, Kurti është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërkohë që në vitin 2016 u promovua si drejtues i kësaj gjykate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje